Pishinat në Tiranë, nisin kontrollet e Higjienës
Pishinat dhe resortet që ofrojnë banjë dielli për pushuesit e kryeqytetit do të kontrollohen në mënyrë të vazhdueshme dhe të përhershme, të paktën deri në 15 ditën e parë të muajit shtator. Kontrolli do të kryhet nga inspektorët e Drejtorisë së Higjienës, ndërkohë që do të ketë edhe një supervizim edhe nga struktura të Institutit të Shëndetit Publik. Duke nisur nga sot, pishinat që ndodhen brenda qytetit të Tiranës apo në fshatrat përreth e periferi do të kalojnë në filtrin e kontrolleve, për pastërti, higjienë, klorinim, teknologji të përdorur. Por jo vetëm kaq, kontrollet që do të ushtrohen nga specialistët do t’i referohen edhe plotësimit të kushteve për punësimin e një mjeku, ruajtjen e vlerave të pehashit në ujë, si dhe pastërtisë së mjedisit në përgjithësi, duke i shtuar këtu edhe pranimin e pushuesve, nëse është në kushte normale apo mbi kapacitetin e pranueshëm.
KontrolletSipas kritereve të vendosura nga Drejtoria e Higjienës, punonjësit përgjegjës në pishina duhet të jenë të mirinformuar për shërbimet që kryejnë, për pastërtinë e ujit të pishinave, si për sa i përket klorinimit, por edhe të mbajtjes së vlerës së duhur të aciditetit, pehashi në vlerat 6.5 deri në 8.3.
Në raportin mujor të kontrollit të pishinave, Drejtoria e Higjienës do të vërejë numrin e pushuesve të pranuar në pishina të vogla, që sipas rregullit nuk duhet t’i kalojnë 50 pushues në ditë. Në resortet që ofrojnë një hapësirë më të madhe lejojnë nga 100-150 pushues në ditë. Ndërsa pishinat që janë brenda Tiranës, ose jo shumë larg me kryeqytetin, rezultojnë të jenë më të frekuentuarat. Në raportin e vjetshëm të Drejtorisë së Higjienës sqarohej se në një nga blloqet e pishinave çdo ditë priteshin nga 300-350 pushues. E frekuentuar mbetet edhe pishina e notarëve.
Ndryshe nga vitet e kaluara, kur kryeqytetasit e kanë çelur sezonin turistik në mes të muajit maj, këtë herë moti nuk ka qenë në favor të biznesit. Shirat dhe moti i paqëndrueshëm kanë bërë që pishinat në Tiranë të jenë të pafrekuentuara, kjo vetëm për shkak të temperaturave dhe kushteve të paqëndrueshme atmosferike.
Ndërkohë që sipas parashikimit të motit edhe këtë muaj pritet që moti të jetë i disfavorshëm, i paqëndrueshëm dhe me reshje të vazhdueshme. Kjo do të jetë një e papritur, por nga ana tjetër edhe tronditëse për financat e këtyre bizneseve, të cilat në më të shumtën e rasteve duhet të shlyejnë detyrimet karshi bankave, të marra për investim dhe përmirësim të kushteve për pushuesit.
Sakaq, pavarësisht motit apo problemeve atmosferike, disa prej pishinave dhe resorteve që ofrojnë banjë dielli në Tiranë, do të ofrojnë çmime të lira për të frekuentuar pishinën, ose hyrja në ditët e para të çeljes së sezonit do të jetë edhe falas. Sakaq, kushtet e ujit, dezinfektimit të mjediseve, klorinimit dhe pastërtisë duhet të jenë të sakta dhe korrekte, duke qenë se nga sot nisin zyrtarisht kontrollet e Higjienës në të gjitha resortet e pushimit.