KESH shet 15 milionë euro energji
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare shiti dje, përmes një tenderi, 364 milionë kilovatorë të destinuara për eksport te disa kompani të huaja që merren me ndërmjetësimin e transaksioneve të energjisë elektrike në rajonin e Ballkanit. Lajmi u dha nga zyrtarë të KESH në një njoftim për shtyp.
“Për periudhën 01-30 Qershor 2010, KESH sh.a. ka shitur sasinë e energjisë elektrike 363.600 MWh, me një vlerë monetare mbi 14.8 milionë euro”, – bëri të ditur KESH. Kontratat lidhen duke marrë parasysh një nga produktet e energjisë elektrike të shitur në bazë ditore në bursën e Athinës. Në bazë të deklaratës së KESH, rezulton se energjia e eksportuar në qershor do të ketë një çmim mesatar shitjeje prej 43 eurosh për MWh, shifër kjo shumë më e lartë se ajo e marrë nga eksportet e pesë muajve të fundit, kur energjia u shit për 30-40 euro për MWh. çmimi më i lartë i pritshëm për qershorin lidhet me faktin që Greqia është një vend ku konsumi maksimal i energjisë shënohet gjatë verës për shkak të sezonit turistik, ndryshe nga vendet e tjera, ku konsumi më i lartë shënohet gjatë dimrit.
KESH po përjeton një situatë jashtëzakonisht të mirë hidrike, gjë që ka rritur prodhimin në nivele shumë të larta. Deri në fund të qershorit, KESH pritet të sigurojë 70-80 milionë euro nga eksportet e energjisë, ndërkohë që të gjitha të ardhurat e korporatës gjatë vitit 2009 qenë më pak se 60 milionë euro. Kompani të ndryshme nga Shqipëria, Serbia, çekia dhe Zvicra kanë shërbyer si ndërmjetëse në eksportet e energjisë.
Shqipëria konsumon zakonisht 7 deri në 8 miliardë kilovatorë energji elektrike në vit, ndërsa prodhimi mesatar në dekadën e fundit ka qenë 4.5-5 miliardë kWh. Duke marrë parasysh se viti më i mirë në prodhimin e energjisë elektrike në vendin tonë ka qenë 1996, me 6.1 miliardë kWh të prodhuar, është e vështirë të thuhet se këtë vit vendi do të jetë suficitar në këtë produkt, pavarësisht situatës shumë të mirë hidrike të pjesës së parë të vitit.
#