E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjata: PS në Kushtetuese pa zgjidhje

20/06/2011  Ish-kryetari i KQZ-së sqaron hapat ligjorë për rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë

“Numërimi i fletëve të kontestuara mbyll procesin, shpall rezultatin, del fituesi”

Numërimi i votave të kontestuara në Komisionin Qendror Zgjedhor do t’i japë fund “odisesë” së tejzgjatur për rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë. Ky ishte qëndrimi i ardhur dje nga ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata, lidhur me një proces të tillë. Në vlerësimin e ish-kreut të këtij institucioni, cilido të jetë hapi ligjor i ndjekur nga ana e Partisë Socialiste për të kontestuar këtë rezultat, nuk do të kishte asnjë efekt negativ mbi të. Burime pranë selisë rozë bënë me dije se pas përfundimit të procesit të numërimit në KQZ të fletëve të kontestuara, do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për t’i kërkuar pavlefshmërinë e mënyrës së ndjekur nga ana e institucionit qendror të zgjedhjeve për shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Por, sipas Gjatës, edhe pse Gjykata Kushtetuese është organi suprem i gjyqësorit shqiptar, nuk mund dhe nuk do të ketë asnjë ndikim në rezultatin e Tiranës. Në këtë mënyrë, edhe nëse socialistët i drejtohen, nuk do të mund të pezullojnë ose ngrijnë përkohësisht shpalljen e fituesit sipas KQZ-së.

“Gjykata Kushtetuese nuk është shkallë gjykimi. Nuk i hyn problemit se kush ka të drejtë, domethënë sa fletë u gjetën në një kuti apo në një tjetër. Nuk i hyn themelit të çështjes. Pra, shqyrton vetëm kushtetutshmërinë. A ka qenë procesi i rregullt, konform gjithë procedurave që parashikon Kodi Zgjedhor, apo jo? Nuk ndryshon rezultatet. Nuk pengon shpalljen e rezultatit”, vuri në dukje Gjata. Madje, duke sqaruar më tej një çështje të tillë, ish-kryetari i KQZ-së shtoi se “procesi mbyllet, shpallet rezultati, del fituesi, fillon punën dhe më pas, kur të shpallet vendimi, si të thuash, shohim e bëjmë. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë fuqi prapavepruese. Nuk merret me këto histori, por thotë vetëm gjërat që vijnë në kundërshti me Kushtetutën. Mend për tjetër herë”. Kësisoj, për PS-në, ndërmarrja e një hapi të tillë ligjor nuk do të sillte asgjë pozitive në favor të saj.

Pozicioni i Gjykatës Kushtetuese

Gjatë vlerësimeve të tij mbi pritshmëritë pas mbylljes së procesit të numërimit në KQZ, i cili u diktua nga Kolegji Zgjedhor, ish-kryetari i KQZ-së, Çlirim Gjata, përjashtoi mundësinë e ndërhyrjes së Gjykatës Kushtetuese në rezultatin e zgjedhjeve për kreun e ri të Bashkisë së Tiranës. Sipas tij, i vetmi ndikim i Kushtetueses do të jetë rekomandimi për të përmirësuar kodin elektoral dhe një ndërhyrje e tillë do të ishte e vlefshme vetëm për zgjedhjet e ardhshme. “Sikur sot të fillojë Gjykata Kushtetuese, do minimumi 6 muaj, por kësaj çështjeje nuk dihet se kur do t’i vijë radha. Nëse ajo nesër konstaton pakushtetutshmërinë, mund të shërbejë për të rregulluar ligjin”, nënvizoi Gjata gjatë fjalës së tij, lidhur me një çështje të tillë. Gjithashtu, nisur nga fakti se deri në vitin 2001, Gjykata Kushtetuese ishte hallka pasuese e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shpalljen e rezultatit, Gjata vlerësoi se vendimmarrjet e këtij institucioni për zgjedhjet kanë qenë një njollë e zezë në historinë tij.

Europarlamentarja Pak kritika klasës politike në vend

“Stop konfliktit, imazhi i Shqipërisë është ulur aq poshtë”

Faktori ndërkombëtar në apelet e njëpasnjëshme për klasën politike në vend ka qenë mjaft kritik, madje në mesazhet e tij ky faktor ka paralajmëruar dhe pasojat që do të kishte Shqipëria në rrugën drejt Bashkimit Evropian, nëse palët nuk do t’i jepnin fund konfliktit politik. Kështu, në të njëjtën linjë ishte dhe deklarata e ardhur dje nga europarlamentarja Doris Pak, e cila nuk kurseu gjuhën për përfaqësitë e partive parlamentare. Në këtë mënyrë, përmes një analizë kritike për situatën politike të momentit në Tiranë, eurodeputetja Doris Pak fajësoi politikëbërësit për dëmtimin e imazhit të Shqipërisë. Sipas saj, konfliktet ndërpartiake po vonojnë trenin integrues të vendit, dhe kjo kërkon kohë për t’u ndrequr. “Shqipëria ka nevojë për punë, ka nevojë që parlamenti të funksionojë plotësisht. Shumica nuk i ka numrat për t’i miratuar të gjitha ligjet. Unë shpresoj që parlamentarët e opozitës të rikthehen dhe të bëhet e mundur që në këto dy vite të mandatit të kësaj qeverie të përshpejtohet integrimi evropian. Sepse ky është interesi i vendit, jo i opozitës, as i qeverisë”, vlerësoi Pak gjatë fjalës së saj, sa i takon mosmarrëveshje mes partive politike shqiptare. Madje, në po këtë linjë, Pak u kërkoi drejtuesve të këtyre partive që “t’i lënë betimet nga urrejtja për njëri-tjetrin, sepse imazhi i Shqipërisë është ulur aq poshtë, sa s’ka ku të shkojë më keq. Vazhdimisht shohim e dëgjojmë të njëjtat gjëra. I duhet dhënë fund kësaj”. Gjithashtu, euoparlamentarja sqaroi mënyrën se si përcillet ky konflikt në sytë e Brukselit. “Sigurisht, ne nuk themi që politikanët ta duan njëri-tjetrin, por themi që ata duhet të jenë korrektë dhe të kenë respekt për njëri-tjetrin. Dhe ky respekt mungon. Klasa politike nuk sillet si një klasë e vërtetë politike”, vuri në dukje Pak, lidhur me një çështje të tillë.

Deklarata e PS-së për KQZ

Shalsi: “Berisha e ka çuar vendin drejt një shtegu të rrezikshëm”

“Qytetarët folën, votat e tyre u numëruan në sy të milionave shqiptarëve, Saliu humbi. Kjo është e vërteta e patjetërsueshme e zgjedhjeve të 8 majit në Tiranë”. Me një deklaratë të tillë u shfaq dje përpara medias deputeti i PS-së, Eduart Shalsi, i cili shprehu qëndrimin e partisë që përfaqëson mbi procesin e ndërmarrë nga ana e KQZ-së, për numërimin e fletëve të kontestuara të votimit. “Pamë një tjetër shfaqe të shëmtuar të KQZ, që vazhdon edhe sot. Pamë urdhra që nuk mbështeten aspak në procedurat e përcaktuara në ligj, kuti që hapeshin, me numra kodesh sigurie që nuk përputheshin me ato të shënuara në procesverbale, fletë votimi që gjendeshin jashtë zarfeve të mbyllura. Kjo është ajo që ndodh në KQZ, një Komision që i ngjan më shumë tregut të gjësë gjallë, sesa një institucioni serioz dhe dinjitoz”, vuri në dukje Shalsi gjatë fjalës së tij. Gjithashtu, në vlerësimin e deputetit socialist një proces i tillë po ndodh për shkak se “duke mos qenë i aftë të fitojë, por duke mos pasur as kurajën për të pranuar humbjen, Sali Berisha e ka çuar vendin drejt një shtegu të rrezikshëm, koston e të cilit do ta paguajnë të gjithë shqiptarët. Kjo shfaqje sa e paimagjinueshme, aq dhe e paprinciptë, duhet të marrë fund një herë e mirë”. Sipas tij, që prej datës 14 maj, ditë kur qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë panë qartazi se fituesi i Bashkisë së Tiranës ishte Edi Rama me 10 vota para, Sali Berisha hapi një tjetër kapitull të turpshëm zgjedhjesh në Shqipëri. Për PS-në, kryeministri Berisha duhet t’i japë fund një procesi të tillë, i cili deformon vullnetin e popullit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›