E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset u vënë flakën kazanëve në Plazh e qytet

17/06/2011  Nuk i duan pranë ambienteve të tyre, Ndërmarrja e Pastrimit asnjë kompetencë për ndërhyrjen

DURRES- Bizneset në Plazh dhe në anë të rrugëve kryesore në qytetin e Durrësit shtyjnë natën e ditën kazanët e mbeturinave të vendosura para lokaleve. Ndërmarrja e Shërbimit Komunal në Plazhin e Durrësit ka bërë të ditur se ka ndeshur në raste të qëndrimeve ekstreme nga vet prnarët e lokaleve, hoteleve, restoranteve dhe bizneseve të ndryshme.

Kontenierët

Pikat e vendosjes së kontenierëve për grumbullimin e mbeturinave janë caktuar në mënyrë shkresore. Në çdo 200 m shërbimi i pastrimit duhet të vendosë në mjedise publike një kazan të tillë për të grumbulluar mbetjet urbane. Këto ditë krahas kazanëve prej llamarinë të trashë, ndërmarrja ka vendosur edhe kazanë të rinj, të cilët janë me kapacitete të ndryshme. Përgjithësisht kontenierët janë 1700 kg, por ka edhe 1000 kg. Në rrugën nga Ura Dajlanit deri në Plepa, e cila ka qenë edhe rrugë ekzistuese vendi i grumbullimit të mbeturinave është i përcaktuar më parë dhe ato pikëgrumbullimi shërbejnë edhe sot. Punonjësit e pastrimit dhe ata të transportit me kamion të mbeturinave janë ndeshur në kundërshtinë e lokaleve për të vendosur para trotuareve të lokaleve kontenierët. Në rrugët dytësore këto kazanë janë hequr fare, madje edhe janë hedhur në anë të kanaleve apo janë transportuar natën nga vetë pronarët e lokaleve. Në orët e mëngjesit sapo kamionët nisin pastrimin e kazanëve vërehen pronarë të lokaleve, të cilët detyrojnë të punësuarit të shtyjnë kazanët për në drejtime të ndryshme. Të njëjtën gjë bëjnë edhe lokalet e tjera duke kundërshtuar të kenë kazanë aty pranë. Ndërkohë këto biznese hedhin mbeturinat në rrugë, në trotuare dhe në vende publike duke mos u shqetësuar aspak për ndotjen. Shkak për të gjithë këtë rrëmujë që është bërë monotone dhe shqetësuese për shërbimin e pastrimit e të gjelbërimit në Plazhin e madh të qytetit dhe brenda në qytet, është bërë mungesa e xhepave.

Ndotja

Vetëm Durrësi me një popullsi afro 200 mijë banorë depoziton në ditë 2 deri në 2.2 ton mbeturina urbane duke llogaritur 0.8 kg mbeturina për frymë në ditë gjatë vitit. Por në sezonin e verës sasi e mbeturinave arrin në një mesatare deri në 1.2 kg për banorë a pushues. E gjithë kjo sasi mbetje urbane e paklasifikuar në qelqurina, hekur, ambalazhe të ndryshme, plastikë etj, hidhet në tokë, kazanë, buzë rruge, në kanale të thellë, në anë të tokave të braktisura apo edhe digjet në natyrë. Një vit më parë Bashkia e Durrësit është gjobitur plot 4 milionë lekë vetëm pse gjatë një inspektimi në orët e natës është vërejtur se mbeturinat digjeshin natën. Gjoba akoma nuk është vjelë, pasi procesi ka kaluar në shkallët e drejtësisë. Ajo që ka shqetësuar Ndërmarrjen e Pastrimit në plazh është pamundësia për të gjetur gjuhën e përbashkët me bizneset. Gjatë orëve të mbrëmjes dhe natën shumë lokale hedhin mbeturinat në trotuare apo edhe pranë kazanëve, por jo në vendin e duhur duke i sjellë jo pak telashe punonjësve të pastrimit. Për shkak se kazanët janë të gjerë ndërmarrja ka treguar kujdes në përcaktimin e pikave. Drejtues të ndërmarrjes kanë bërë të ditur se bizneset nuk kanë asnjë lloj justifikimi për veprimet që bëjnë duke mos pranuar kazanët e mbeturinave në vendet e caktuara. Ndërkohë këto kontenierë për shkak edhe të gjerësisë nuk mund të vendosen në çdo vend, pasi bllokojnë rrugën dhe bëhen burim aksidentesh. Pikërisht për këtë arsye nuk kanë qenë të pakta edhe fyerja që u është bërë punonjësve të ndërmarrjes si dhe konfrontimet fizike. Nga ana tjetër djegia e mbeturinave në kazanë është bërë fenomen shumë i njohur në qytet. Ndërmarrja e ka të pamundur të disiplinojë këtë problem nëse nuk do të vihen në punë edhe strukturat e tjera si ato të higjienës, tatimeve, policisë etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›