Gjatë 2011-s, edhe Bashkia e Tiranës do çlirohet nga diktatura e korrupsionit

Në mbledhjen e fundit të Qeverisë për vitin 2010, listohet fitorja e zgjedhjeve lokale nga Koalicioni i Integrimit, si dhe marrja e statusit të vendit kandidat për në BE, si ngjarjet e sigurta për axhendën politike të Shqipërisë
“Për mazhorancën viti 2011 do të jetë një fitore në zgjedhjet lokale dhe një sukses për integrimin e vendit drejt Bashkimit Europian”.
Kështu është shprehur dje kryeministri i vendit, Sali Berisha në mbledhjen qeverisë, e fundit për këtë vit.
Kryeministri Berisha u ndal në disa nga çështjet kryesore të axhendës së punës së qeverisë për vitin e ardhshëm. Pasi e vlerësoi vitin 2010 si vitin e reformave të madhe dhe arritjeve të jashtëzakonshme, Kryeministri theksoi se viti 2011 do të shënojë arritje edhe më të mëdha për Shqipërinë e shqiptarët, ku axhendë kryesore mbeten reformat për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
“Me këtë mbledhje, ne mbyllim vitin 2010 si vitin e reformave më të mëdha, më të suksesshme të qeverisjes së vendit, si vitin në të cilin kjo qeveri, me përpjekjet më serioze, me reforma të gjithanshme ia doli të shndërroi në realitet një ëndërr të çdo shqiptari, lëvizjen e lirë pa viza. Ndaj edhe një herë një mirënjohje shumë të thellë për të gjithë punonjësit e kësaj administrate, të gjithë ata që projektuan e zbatuan reformat, falë të cilave u arrit që shqiptarët të festojnë Krishtlindjet, Vitin e Ri aty ku duan, pa kufizime në lëvizjen e tyre. Por viti 2010 u karakterizua nga zhvillime të tjera jashtëzakonisht të rëndësishme. Një bilanc të shkurtër paraqita dje në takimin tim përmbyllës me mediat. Sot nuk do të ripërsëris atë, por, natyrisht, është rasti të theksoj se ky kabinet pret me optimizëm të madh, me kënaqësi vitin që vjen, vit i cili do të shënojë arritje të tjera të mëdha për Shqipërinë dhe shqiptarët”, u shpreh kryeministri.
Duke përcaktuar objektivat për vitin e ardhshëm, kreu i qeverisë vuri theksin te reformat. Kryeministri Berisha shpalosi edhe objektivin ambicioz, kalimin e Shqipërisë brenda vitit 2017 në grupin e vendeve të zhvilluara, duke u shkëputur nga grupi i vendeve me të ardhura të mesme të larta, në grupin e vendeve me të ardhura të larta e shumë të larta. “Brenda viti 2017 Shqipëria duhet të kalojë në grupin e vendeve të zhvilluara, duhet të shkëputet me shpejtësi nga grupi i vendeve me të ardhura të mesme të larta, në grupin e vendeve me të ardhura të larta e shumë të larta. Unë e kuptoj se ata që më dëgjojnë, e vlerësojnë këtë me një skepticizëm, por unë i falënderoj ata për skepticizmin e tyre, sepse skeptikë ata ishin edhe 4 vjet më parë, kur deklaruam ‘Shqipëria dixhitale’. Katër vjet më parë, ne e kishim përdorimin e internetit në vend 4.8 përq ind dhe mbyllim këtë vit me 45 - 50 për qind. Vetëm në facebook janë mbi një milion shqiptarë. Skepticizëm kishte edhe kur deklaruam se do të asfaltojmë fillimisht 4 mijë kilometra dhe më pas u bënë 6 mijë kilometra. Skepticizëm kishte dhe ka edhe për autostradën Tiranë – Elbasan, por tenderi u hap dhe paratë u gjetën. Madje, u krijua edhe grupi antitunel në parlament si shprehje e këtij skepticizmi, por nuk e pengoi dot. Nuk e kuptoj se çfarë ka me tunelet. I ati i tij shpirtëror ndërtonte tunelet e asgjëkundit, ndërsa ky e quante rrugën e kombit rrugën e asgjëkundit. Ky skepticizëm veçse më inkurajon”, tha kryeministri.
Gjithashtu kryeministri Berisha ritheksoi edhe njëherë se axhenda e qeverisë mbetet edhe për këtë vit reformat e integrimit drejt Bashkimit Europian.
“Po ashtu, do të shënohet progres i madh në ndërtimin e Shqipërisë europiane, afrimit me të gjitha standardet e vendeve të Bashkimit Europian. Kërkesat që parashtron raporti i BE-së janë plotësisht të mundshme për tu realizuar”, tha kryeministri Berisha. Konsolidimi dhe tërheqja e më të mirëve në administratën publike dhe shërbimin civil; vazhdimi i reformës në sistemin e drejtësisë, përmirësimi i mëtejshëm i kushteve dhe trajtimit në institucionet e vuajtjes së dënimit; përcaktimi i një platforme të re serioze për barazinë gjinore, janë disa prej objektivave të qeverisë për vitin e ardhshëm.
“Mazhoranca ambicioze për zgjedhjet vendore, Tirana meriton të drejtohet nga një kryebashkiak i ri”
Mazhoranca do të nisë vitin 2011-të, me një angazhim konkret dhe domethënës, për sa i takon zgjedhjeve lokale të 8 majit të vitit të ardhshëm. Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, shefi i ekzekutivit përcaktoi ambicien e mazhorancës për një fitore spektakolare në betejën elektorale të 2011-ës.
Sipas kryeministrit, zgjedhjet vendore do jenë me standardet më të larta bashkëkohore.
“Viti i ardhshëm do të jetë viti i fitores së thellë të koalicionit për integrim në zgjedhjet e ardhshme. Duke garantuar qytetarët shqiptarë se do të votojnë si të gjithë qytetarët europianë, qytetarë të një vendi të lirë dhe se vota e tyre do të numërohet si në Shkodër dhe ashtu u numërua në të gjithë Shqipërinë, por mora Shkodrën, meqenëse kërkoi rinumërimin shkëlqesia e tij dhe Tirana do të ketë kryetarin e ri të bashkisë. Kjo edhe në një akt nuk do të thosha ndihme, por edhe kontributi që opozita të bëhet me kryetar e të mos e qeverisin më 99-shat e bashkisë dhe që qytetarët e Tiranës të kenë menaxherin e vet të problematikës së madhe të krijuar. Edhe ky do të jetë një zhvillim madhor pozitiv për Shqipërinë dhe shqiptarët, në vitin e ardhshëm”, theksoi Berisha duke ri-theksuar se hapja e kutive në Shkodër tregon se zgjedhjet e 28 qershorit kanë qenë më të mirat.
Mega-projektet infrastrukturore të 2011-ës
Nga autostrada Tiranë – Elbasan, deri tek asfaltimi i të gjitha rrugëve rurale
Disa nga projektet dhe nismat e qeverisë vitin e ardhshëm, Kryeministri veçoi nisjen e projekteve të mëdha si autostrada Tiranë-Elbasan dhe tuneli i Kërrabës, vazhdimi drejt Tiranës i rrugës së Arbrit, autostrada Qafë Plloçë - Qukës, Kardhiq - Delvinë etj. Vit, në të cilin do të nisin projektet e mëdha siç është autostrada Tiranë-Elbasan dhe tuneli i Kërrabës, për të cilën u firmos marrëveshja për 420 milion dollarë nga Banka Islamike për Zhvillim.
“Vit, në të cilin dot hedhë shtat drejt Tiranës rruga e Arbrit, rruga e dytë e kombit, autostrada Qafë Plloçë - Qukës, Kardhiq - Delvinë dhe mijëra kilometra të tjera”, tha kryeministri duke folur për projektet e vitit të ardhshëm.
Ndërsa foli me të njëjtën vendosmëri edhe për rritjen e fuqishme ekonomike, rritjen e eksporteve, me hovin e madhe në fushën dixhitale, në fushën e turizmit, me burimet natyrore të pallogaritshme të vendit.