Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha bëri një paraqitje të objektivave dhe prioriteteve të qeverisë për vitin 2007, duke kërkuar angazhimin maksimal të anëtarÃ
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha bëri një paraqitje të objektivave dhe prioriteteve të qeverisë për vitin 2007, duke kërkuar angazhimin maksimal të anëtarëve të qeverisë për realizimin e tyre, veçanërisht në përmirësimin dhe fuqizimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Duke folur për prioritetet e qeverisë, Kryeministri theksoi:
"Shfrytëzoj rastin edhe një herë t'ju përshëndes dhe t'ju uroj gëzuar. Kjo është mbledhja e parë e këtij viti dhe më shumë se vendimet që miratojmë sot, janë të rëndësishme zotimet tona për vitin 2007, që të bëjmë çdo përpjekje që ky vit të jetë për qytetarët shqiptarë një vit më i mbarë, më i begatë, më i madh dhe më shpresëdhënës se çdo vit tjetër.
Ne mund ta realizojmë këtë objektiv, me një kusht që duhet të jetë kushti i të gjitha kushteve, duke vendosur qytetarin, interesat e tij të drejta, shërbimet ndaj tij në epiqendër të të gjithë veprimtarisë sonë. Në rast se ne vendosim qytetarin mbi gjithçka dhe i përmbahemi parimit mbi të cilin është themeluar kjo qeveri, të shërbimit dhe shërbesave, atëherë të gjitha reformat tona duhet të synojnë përmirësimin dhe lehtësimin e kushteve të jetesës e të punës, punësimin, shkollimin, shërbimet më të mira për qytetarët shqiptarë.
Kjo është detyrë e vështirë, por absolutisht e mundshme për t'u realizuar. Kjo kërkon që të gjitha shërbimet tona ndaj qytetarëve të vështrohen me lupë në mënyrë që ato të jenë sa më të hapura dhe më cilësore. Kjo, gjithashtu, kërkon që shërbimet në shkallën më të madhe të privatizohen. Nuk ka garë që shteti mund të fitojë në cilësi shërbimi me privatet. Ndaj dhe duhet të nxisim maksimalisht privatizimin e shërbimeve. Edhe për ato shërbime që do të mbeten në dorë të qeverisë, pasi nuk do të heqim dorë nga funksionet publike në arsim dhe shëndetësi, vetë privatizimi shndërrohet në një faktor të fuqishëm të rritjes së cilësisë për shkak të garës që i imponon sektorit publik. Sikundër privatizimi i të gjitha shërbimeve ka meritën e madhe e të padiskutueshme t'i japë përgjigjen më të merituar korrupsionit dhe luftës kundër tij.
Çdo ministri duhet të konsiderojë me seriozitetin maksimal privatizimin e shërbimeve si një nga rrugët më të sigurta për përmirësimin e cilësisë së tyre ndaj qytetarëve.
Çdo ministri dhe agjenci duhet të bëjë çdo përpjekje për të thjeshtuar maksimalisht procedurat dhe barrën buroktratike të shtetit. Zëvendëskryeministri Rusmali kryeson grupin e reformës administrative. Ky grup ka nisur shqyrtimin e çdo procedure të administratës shtetërore. Ndërsa një task forcë e kryesuar nga Kryeministri dhe e drejtuar nga zoti Ruli po punon për të lehtësuar të gjitha procedurat e biznesit. Është në detyrimin tuaj që çdo procedurë ta thjeshtoni në mënyrë që qytetarët shqiptarë të kenë akses shumë më të madh në procedurat shtetërore administrative që u nevojiten atyre.
Ne mund të realizojmë një rritje 6, 7 apo 8 përqind. Ekonomia është në rritje të sigurtë. Treguesit e fundit të indeksit të rritjeve janë realisht entuziastë, nuk e kanë mendjen tek certifikatat, por po ecin përpara. Dhe kjo është shumë pozitive. Rritja ekonomike është e domosdoshme. Zbatimi i projekteve të mëdha është jetik për zhvillimin e vendit. Të gjitha këto duhet të konvertohen në impulse dhe inpute pozitive për çdo qytetar. Ndaj dhe nuk duhet asnjëherë të na pengojnë degët për të parë trungun. Trungu është qytetari. Të gjitha të tjerat janë në funksion të tij, autostradat, portet dhe gjithçka ka një qëllim: kushte më të mira për qytetarin.
Ky vit nis me një buxhet realisht të ri si në ndërtimin, konceptimin dhe mundësitë e zbatimit të tij. Qeveria ka miratuar dhe parlamenti i ka votuar ligjin e ri të prokurimeve publike në përputhje me direktivën e Bashkimit Europian, si dhe ligjin për koncesionin dhe partneritetin publik privat, ligje bazë të veprimtarisë prokuruese të shtetit. Prandaj të bëjmë çdo përpjekje për të realizuar sa më shpejt prokurimet dhe koncesionet më të mira, partneritetet më të arrira dhe të dobishme për qytetarët dhe vendin në tërësi. Kjo do të thotë që me ligjin e ri të gjitha zyrat e shtetit në të gjitha nivelet kanë mundësi të tenderojnë të gjitha prokurimet e vitit brenda afatit kohor të 2 mujorëve të parë të vitit dhe kjo përbën një avantazh të madh. T'i bëjmë tani, në mënyrë që të kenë të gjithë kohën e nevojshme të ankimimit, të rishqyrtimit dhe jo të nxitimit. Ndaj dhe ky ligj ka meritë të madhe. Duhet t'i jepni porosi të prera agjencive që varen prej jush që të ndërmarin që tani, në përputhje me ligjin, të shqyrtojnë dhe të bëjnë skenarin e të gjitha prokurimeve të vitit. Ky është një detyrim në mënyrë që të përdorim sa më me eficencë buxhetin e shtetit, që është buxhet i qytetarëve.
Reformat duhet t'i shpejtojmë. Disa sektorë do t'i veçoja si sektorë në të cilët qytetarët kanë ende probleme të mundimshme. I tillë është sistemi i shëndetësisë. Grupi i reformës, me në krye Zëvendëskryeministrin Rusmali, ministrin Cikuli, ekspertë të huaj do të procedojnë këtë vit me shpejtësi. Unë dua t'i siguroj qytetarët se për asnjë moment nuk mund dhe nuk e injorojmë problematikën e tyre në shërbimin shëndetësor. Por, gjithashtu, dua të kërkoj mirëkuptimin e tyre se reforma në shëndetësi është reforma më problematike jo vetëm në Shqipëri, por për çdo vend, çka do të thotë se ne duhet të jemi shumë të vendosur në këtë reformë.
Qytetarët përballen me probleme. Unë po ndalem tek shëndetësia, sepse është e rëndësishme për jetën e tyre dhe kjo reformë është jetike. Ne duhet të bëjmë çdo përpjekje për të inkurajuar sektorin privat. Por sektori privat në Shqipëri nuk inkurajohet, në qoftë se i tërë buxheti i shtetit shkon për sigurimin e të sëmurëve në sektorin publik, sepse në të kundërt del ‘njëri i nënës dhe tjetri i njerkës'. Nuk mund të zhvillohet sektori privat, në qoftë se vetë shteti nuk merr përsipër rimbursimin, mbulimin e një përqindjeje të caktuar gjithnjë e në rritje të shpenzimeve të këtij sektori për kujdesin shëndetësor. Ky është një kusht. Mund të kujtojmë këtu vendet që nuk i jepnin asnjë qindarkë sektorit privat dikur, por u detyruan më vonë të hapen. Sot, reforma e madhe në Gjermani, vend që nga pikpamja sociale ka sistemin më të organizuar, konsiston në atë se cilës kompani sigurimi shteti t'i japë me tender shumën që ai përcakton për shërbimin shëndetësor, se cila kompani ofron shërbimin më të mirë dhe më të lirë.
Në këtë reformë shumë të rëndësishme duhet të marrim hapa të guximshëm. Pa zgjidhur problemin e financimit të shërbimit shëndetësor, nuk mund të zgjidhet cilësia e këtij shërbimi. Për këtë është e domosdoshme një bashkëpunim i ngushtë ndërdikasterial. Ministria e Financave, Autoriteti i Mbikqyrjes së Kompanive të Sigurimeve, Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Sigurimeve Shëndetësore duhet të gjejnë format më të mira për të shpejtuar këtë proces.
Gjithashtu janë edhe disa probleme shumë serioze që lidhen me kthimin dhe kompensimin e pronave. Në këtë proces, për shkaqe të njohura, u zgjat miratimi i ligjit në parlament, një ligj shumë i mirë. Eshtë e domosdoshme të mbështetet fuqimisht dhe të rritet efiçenca e Agjencisë së ngritur për këtë qëllim. Ne kemi filluar kompensimin në Tiranë dhe Kavajë, absolutisht pa asnjë preference tjetër, përveç faktit se rrethe të tjera nuk e kanë hartën e tokave. Kjo do të thotë se duhet të shpejtojmë dhe të bëjmë çdo përpjekje për kompletimin e kësaj harte sa më shpejt, sepse pronarë janë jo vetëm pronarët e Tiranës, por edhe qytetarët e Durrësit, të Vlorës, Gjirokastrës etj.. Ne duhet të bëjmë të pamundurën për të shpejtuar reformat, të cilat në rrafshin e pronësisë angazhojnë me qindra e mijëra familje. Aty ku ka qenë një pronar, për shkak të shtimit demografik, janë bërë 30 familje. Ndaj duhet që me përparësi të madhe të mbështesim Agjencinë me të gjitha burimet e nevojshme. Reforma e pronësisë është reforma themelore ekonomike e vendit.
Po kështu, regjistrimi i pasurive. Ky vit do të jetë viti i regjistrimit të popullatës, regjistrimi për pajisjen e qytetarëve me kartat e identitetit, si një domosdoshmëri absolute për të mbyllur njëherë e përgjithmonë kapitullin e diskutimeve për këto probleme.
Pra, detyrat janë shumë të mëdha. Ky vit kompleton edhe reformën e ‘kafshatës'. Disa lëvizje të fuqishme u bënë, por kanë mbetur për t'u bërë të tjera shumë të rëndësishme. Është shans i mirë, sepse kemi garantuar ndihmën dhe mbështetjen më të mirë të Bankës Botërore. Kjo ka qenë edhe arsyeja që nuk është lëvizur ende në drejtim të ndihmës ekonomike. Është lëvizur ndjeshëm me pensionet, por po kaq ndjeshëm duhet të lëvizet edhe në ndihmën ekonomike. Shpresoj që edhe Ministri i Punës,Çështjeve Sociale dhe Shanceve të Barabarta i ka marrë sinjalet nga Banka Botërore dhe, sapo të kompletohet kjo reformë, edhe ajo do të pësojë ndryshime, të cilat do ta bëjnë shpërndarjen më të drejtë. Një rritje e madhe ekonomike, me një varfëri ekstreme është cinizëm ekstrem, pasuron të pasurin dhe mjeron të varfërin. Prandaj detyrimisht duhet një shpërndarje sa më njerëzore, në mënyrë që të ruhet kohezioni social dhe shoqëror.
Këtë vit ne kemi detyra të mëdha që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit si dhe nga mesazhi i Rigës. Janë krijuar për momentin disa vështirësi serioze, por ne do të bëjmë çmos që ato të kapërcehen. Të gjitha reformat që ne ndërmarrim kanë dhe do të kenë si qëllimin më kryesor integrimin e vendit në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe në Bashkimin Europian."