E Diel, 1 Nëntor 2026

Paraditen e sotme, zëvendëskryeministri Rusmali dha një konferencë për shtyp, ku fillimisht bëri këtë deklaratë për median: "Dje, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u përpoq të

Paraditen e sotme, zëvendëskryeministri Rusmali dha një konferencë për shtyp, ku fillimisht bëri këtë deklaratë për median:

"Dje, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u përpoq të justifikonte me një dokument të ODIHR-it, tentativën e tij për të përjashtuar nga zgjedhjet vendore të këtij viti qindra mijra zgjedhës. Duke lexuar rekomandimin 19, të raportit të misionit vëzhgues të ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, zoti Rama pretendoi se ky rekomandim kërkon që të mos lejohen të votojnë të gjithë shqiptarët që disponojnë certifikata të lëshuara zyrtarisht nga zyrat e gjendjes civile përpara datës 1 nëntor 2006.

Zoti Rama thjesht gënjeu shqiptarët. Po i gënjen ata, sepse ka frikë të hyjë në zgjedhje. ODIHR-i është gardian i standarteve ndërkombëtare të zgjedhjeve dhe këto standarte nuk lejojnë, nuk justifikojnë dhe nuk pranojnë përjashtimin masiv të zgjedhësve nga votimi. Rekomandimi 19 i raportit të misionit vëzhgues lidhur me certifikatat e lindjes u ka kërkuar autoriteteve shqiptare, që të marrin të gjitha masat e nevojshme me qëllim që zyrat e gjendjes civile të mbajnë të dhëna të sakta zyrtare për certifikatat e lëshuara për të gjitha qëllimet. Kjo gjë tashmë është realitet. Falë përkushtimit të kësaj qeverie, në zyrat e gjendjes civile sot mbahet regjistër i posaçëm ku evidentohet gjithçka lidhur me lëshimin e çdo certificate. Rekomandimi i ODIHR-it nuk ka kërkuar dhe as rekomanduar nxjerrjen jashtë ligjit të certifikatave zyrtare në qarkullim, nuk ka kërkuar aullimin e qindra mijrave dokumentave të identifikimit, ligjore dhe të vlefshme, nuk ka kërkuar shvleftësimin e tyre. Kjo gjë ka ndodhur vetëm në trurin e zotit Rama, i cili mesa duket paska shume deshirë që të gënjejë shqiptarët.

Rekomandimi i ODIHR-it ka kërkuar që të dhënat e regjistrave të gjendjes civile të jenë të disponueshme për publikun. Kjo gjë tashmë është garantuar nga marrëveshja e 30 dhjetorit e lidhur midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, e cila parashikon vënien në dispozicion të komisioneve të qendrave të votimit të të dhënave të rregjistrave të çertifikatave për të gjithë certifikata e lëshuara me këtë regjim, sikurse parashikon shfrytëzimin e të gjitha mjeteve të nevojshme për verifikimin pranë zyrave të gjendjeve civile të çdo certifikate lindjeje tjetër që zgjedhësit e përdorin për identifikimin e tyre në ditën e votimit. Oferta e transparencës është e plotë. Ajo është shndërruar tashmë në amendamente ligjore dhe pret miratimin nga Kuvendi. Deputetët e mazhorancës janë gati ta votojnë atë dhe gjithë amendamentet e marrëveshjes, por është zoti Rama që pengon deputetët e tij që të bëjnë të njejtën gjë, sikurse u provua dje në komisionin e ligjeve, kur përfaqësuesit e tij braktisën mbledhjen pikërisht në momentin e diskutimit të këtyre amendamenteve.

Në përfundim të deklaratës së tij, Zëvendëskryeministri Rusmali iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve të pranishëm.

Pyetje: Duket se çështja që po i mban peng të dy palët në Komisionin e Ligjeve është pikërisht pika 1 e marrëveshjes së 30 dhjetorit që ka të bëjë me çertifikatat, ku socialistët këmbëngulin që ato të shoqërohen me pasaportë. Në momentin që ju e keni hartuar dhe e keni firmosur me zotin Blushi, a e keni konsultuar këtë problem. Cili ka qenë qëndrimi në momentin që është firmosur?

Zëvendëskryeministri Rusmali: Sigurisht që pika 1 e marrëveshjes është diskutuar, sikurse dhe të gjithë pikat e tjera të marrëveshjes, ka qenë një proces i gjatë dhe intensiv diskutimi dhe sigurisht marrveshja e shkruar është rezultat i këtij diskutimi. Kjo marrëveshje parashikon adoptimin, lidhur me këtë pikë, e të njëtit mekanizëm që u adoptua në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005. Atë, që në cdo rast kur ka dyshime për identitetin e zgjedhësit që paraqitet në qendrën e votimit me certifikatë, anëtarët e komisionit, të mund të kërkojnë në mbështetje, dokumenta shtesë, të cilat kanë qenë të përcaktuara në një listë të përpiluar nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. Pika 1 e marrëveshjes referon pikërisht tek kjo listë e KQZ dhe tek dokumentat e përfshirë në të, sikurse kërkon që të përfshihen shtesë aty dhe pasaporta dhe letërnjoftimi. Pika 1 është e disponueshme për të gjithë median, mund të lexohet nga kushdo, besoj se është e qartë për këdo. Nuk duan ta lexojnë vetëm zoti Rama dhe përkrahësit e tij, të cilët kanë një tmerr të madh nga zgjedhjet dhe gjejnë vetëm justifikime për të mos e çuar procesin përpara.

Pyetje: Zoti Rusmali janë bërë dy deklarata, nga trupi diplomatik këtu dhe nga zoti Solana. Të dyja deklaratat kërkojnë zgjidhjen e çështjeve të certifikatave. A do të ketë një zgjidhje të propozuar nga Partia Demokratike?

Zëvendëskryeministri Rusmali: Unë besoj se reagimin zyrtar nga mazhoranca dhe nga qeveria për deklaratat e faktorit ndërkombëtar, do ta keni nga burime të tjera kompetente.

Pyetje:Çfarë do të bëhet me marrëveshjen e 30 dhjetorit?

Zëvendëskryeministri Rusmali: Unë mund të them, se Partia Demokratike dhe deputetët e saj janë të gatshëm të miratojnë menjëherë amendamentet e marrëveshjes së 30 dhjetorit, të miratojnë menjëherë në parlament marrëveshjen e 30 dhjetorit, ashtu siç është ajo. Ajo marrëveshje i jep zgjidhje të gjitha shqetësimeve dhe ne jemi të gatshëm tu japim zgjidhje të gjitha shqetësimeve. Palët kanë rënë dakort dhe kanë shkruar teksin e asaj marrëveshje, duhet vetëm ta adoptojnë atë në parlament. Ne jemi gati menjëherë ta adoptojmë atë në parlament. Është vetëm Partia Socialiste dhe Edi Rama që po e pengojnë atë.

Pyetje: Në betejën e deklaratave dhe kundërdeklaratave, më shumë është krijuar një mjegull lidhur me këtë problem dhe asgjë pothuajse nuk është e qartë lidhur me çështjen e çertifikatave. A përbën certifikata, sipas qeverisë, një problem shqetësues për garantimin e një proçesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm?
Ku e shikoni ju që certifikata për zgjedhjet të ketë garancitë e nevojshme për opozitën, që ajo të mos ketë më dyshime lidhur me përdorimin e këtij dokumenti?

Zëvendëskryeministri Rusmali: Unë besoj se çështja është trajtuar gjerësisht në media. Nuk ka asnjë problem lidhur me regjimin e certifikatave. Regjimi i përdorimit dhe i lëshimit të çertifikatave sot është më i miri që ka patur Shqipëria në të gjithë historinë e vet si shtet. Ka një problem me Partinë Socialiste, e cila pretendon që ekziston potenciali i ndikimit në rezultatin e zgjedhjeve, nëpërmjet çertifikatave. Ne e kemi marrë shumë seriozisht frikën dhe pretendimin e Partisë Socialiste dhe i jemi përgjigjur me të gjitha garancitë e mundshme teknike dhe ligjore, që këtë frike e reduktojnë në zero. Mundësinë e përdorimit të certifikatave jashtë sistemit, siç i quan zoti Rama, mundësinë e përdorimit të certifikatave të falsifikuara, të gjitha ofertat tona, dhe nuk është vetëm një pikë, por është e gjitha marrëveshja që synon këtë qëllim, e reduktojnë në zero këtë frikë. Por nuk është ky problemi që ekziston. Zoti Rama do që të përjashtojë zgjedhësit nga votimi. Ai kërkon, që duke vendosur detyrime ekstra mbi shqiptarët, ti bëjë ata që ti largohen votimit, dhe për këtë shkak të marrin mbi vete peshën e mospjesëmarrjes. Mospjesëmarrja, përjashtimi nga votimi, është diçka që nuk mund ta pranojë asnjë forcë demokratike në asnjë vend të botës. Ky është problemi që ka zoti Rama dhe nuk janë çertifikatat.

Pyetje: Do ti mbani të hapura negociatat me opozitën për të arritur kompromisin?

Zëvendëskryeministri Rusmali: Siç e keni vënë re, më shumë se sa një herë,janë bërë të gjitha përpjekjet njerëzore të mundshme, për të realizuar çbllokimin e situatës, jo vetëm në nivel negociatorësh politik, por edhe në nivel institucional. Praktikisht, këtë vit, parlamenti shqiptar nuk ka patur pushime dimërore. Praktikisht, këtë vit, deputetët e mazhorancës janë në gadishmëri të plotë për të miratuar të gjitha amendamentet e Kodit dhe janë në pritje të vazhdueshme të PS-së që ajo të bëjë të njëtën gjë, të çbllokojë situatën dhe të hapë rrugën për zgjedhjet në Shqipëri.

Pyetje: Përse u shtua në listën e dokumentave pasaporta dhe letërnjoftimi?

Zëvendëskryeministri Rusmali: Ka patur vazhdimisht një shqetësim të shprehur nga eksponentët e Partisë Socialiste për një besim të madh të tyre tek pasaporta dhe letërnjoftimi i vjetër i shqiptarëve, dokument që zyrtarisht, nuk është më në qarkullim në Shqipëri dhe që përdoret vetëm për qëllime zgjedhore. Ka patur një sugjerim nga miqtë tanë të huaj që të bënim bashkarisht përpjekjet për ti dhënë vlerë prioritare këtyre dokumentave dhe formulimi i pikës 1 bën pikërisht këtë gjë, që quhet në gjuhën e tyre, prioritizim i dokumentave. Kërkon që të shtohen në listën e dokumentave në mënyrë të veçantë këto dy dokumenta, por pa përjashtuar dokumentat e tjerë validë që konfirmojnë identitetin e qytetarit, që konfirmojnë identitetin e zgjedhësit.

Pyetje: A do të ketë zgjedhje në Shqipëri në 18 shkurt, në këto kushte që jemi sot?

Zëvendëskryeministri Rusmali: Mund të them që mandati kushtetues i organave të qeverisjes vendore mbaron në datën 20 shkurt 2007. Kjo është e sigurtë.

Pyetje: Si e shpjegoni ju faktin që edhe dokumenti më i rregullt i pranuar i identifikimit që është pasaporta ka një afat, ndërsa çertifikakat janë pa afat? Kur çdo çertifikatë jepet me afat të caktuar përse kjo të jetë pa afat, pikërisht këtë ka kërkuar zoti Rama dje.

Zëvendëskryeministri Rusmali: Jo, kjo nuk është e vërtetë, është prapë gënjeshtra e rradhës e zoti Rama, megjithatë unë besoj se publiku ka nevojë për një sqarim. Pasaporta, certifikata, sot zyrtarisht janë dokumenta të barazvlefshëm për nga vlera e tyre juridike, ligjshmëria e tyre, që do të thotë se nuk ka hierarki midis këtyre dokumentave. Nga këndvështrimi praktik, certifikata është dokumenti më masiv që kanë shqiptarët, pra më i përdorshmi. Nga këndvështrimi i elementëve të sigurisë, certifikata që kemi sot në përdorim, është dokumenti me elementë të padiskutueshëm, të lartë, të sigurisë. Ka elementë sigurie që përdoren sot në botë për kartëmonedhat. Besoj se më shumë se kaq nuk mund të kërkosh nga një dokument zyrtar. Hologrami që kanë certifikatat shqiptare është një dokument që përdoret sot për kartëmonedhat, për euron, për dollarin, etj. Kështu që nga kjo pikëpamje nuk bëhet fjalë për të bërë dallime në të mirë dhe në të këqinj midis dokumentave zyrtare. Në Shqipëri ka pasaporta që kanë afat vlefshëmerie 10 vjet, sikundër certifikatat që nuk kanë afat vlefshmërie.Çertifikatat në Shqipëri janë dokument zyrtar identiteti, pa afat skadence dhe kjo është e vërteta dhe jo ajo që thotë zoti Rama. Nuk kanë afat skadence, identifikojnë qytetarin dhe identifikimi i qytetarit bëhet mbi bazën e disa të dhënave që janë në regjistra që në fakt janë të pandryshueshme. Janë certifikata lindje, evidentojnë që personi me këtë identitet ka lindur në një datë të caktuar, sepse datëlindja nuk ndryshon gjithë jetën. Prandaj dhe nuk është në logjikën e certifikatës si dokument vendosja e një afati skadence. Kështu që çdo gjë që thuhet për afate skadence një mujore apo dy mujore, tre mujore apo gjashtë mujore është shpikje e zotit Rama, nuk është pjesë e legjislacionit shqiptar.

Pyetje: Do të kërkoja një koment tuajin lidhur me situatën politike ku gjendet Shqipëria. A jemi në një bllokim, në një krizë dhe sa i besueshëm do të jetë procesi zgjedhor që do të dalë në përfundim?

Zëvendëskryeministri Rusmali: Unë besoj se komenti politik që kërkoni ju, zhvendoset nga objekti i kësaj konference shtypi dhe do të kërkoja mirëkuptimin tuaj të plotë që të mos ndalesha në një analizë lidhur me situatën. Kjo konferencë shtypi i referohet një çështje shumë konkrete dhe shumë akute, e cila po tentohet të futet në qendër të një krize politike, në mënyrë artificiale dhe duke manipuluar opinionin publik shqiptar. Unë jam këtu për të sqaruar, për të thënë të vërteta rreth gënjeshtrave që ka përhapur këto ditë zoti Rama dhe besoj se kjo është shumë e rëndësishme dhe i shërben zgjidhjes së krizës.

Pyetje: Ndodhemi 15 ditë përpara datës së dekretuar nga presidenti dhe afro 40 ditë përpara një date hipotetike që është 18 shkurti. Sa të sigurtë jeni ju se presidenti do të dekretojë një datë të dytë, pasi të skadojë dekreti i tij i parë dhe sa të sigurtë jeni se edhe pas këtij dekreti, nuk do të ketë sërish një 18 mars apo një 18 prill, dmth një datë tjetër?

Zëvendëskryeministri Rusmali: Presidenti i Republikës është një institucion që është i lidhur me ligjin , detyrohet që të zbatojë ligjin si të gjitha institucionet e këtij vendi. Sigurinë ne na e jep zbatimi i ligjit, nuk na e japin individët. Dje në Komisionin e Ligjeve është kaluar një amendament, i cili krijon hapsirën e nevojshme ligjore, sepse deri dje nuk ekzistonte që të mund të ricaktohet data e zgjedhjeve, në një afat, në një ditë tjetër përpara datës 20 shkurt. Ky amendament i miratuar në Komision, nevojitet që të miratohet nga Kuvendi që të shndërrohet në ligj, pastaj çdo gjë tjetër është forca e ligjit që i imponon të gjithë.

Pyetje: Shumë njerëz po pyesin këto ditë se qeveria lëshoi tek data e zgjedhjeve, madje dhe duke interpretuar Kushtetutën. A mund të lëshojë tek certifikatat?

Zëvendëskryeministri Rusmali: A mund të përjashtohen shqiptarët nga votimi? A mund të lemë 300 mijë, 500 mijë apo më shumë shqiptarë pa votuar dhe të pranojmë si të regullta zgjedhjet në këtë vend? Besoj se qëllimi i qeverisë, qëllimi i forcave politike në Shqipëri, qëllimi i përpjekjeve tona për të realizuar standarte demokratike zgjedhjesh në Shqipëri duhet të jetë i ndryshëm nga ky skenar. Duhet të jetë përfshirja masive e shqiptarëve në proces, duhet të jetë lejimi me të gjitha mundësitë që ka shteti i shprehjes maksimalisht të vullnetit politik të shqiptarëve nëpërmjet votës.Çdo gjë në drejtim të kundërt me këtë është antidemokratike, antikushtetuese, antiligjore. Gjëra të tilla ne nuk pranojmë të bëjmë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›