Gjatë mbledhjes së sotme të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha u ndal në dy çështje të rëndësishme, hartimin e buxhetit të shtetit të vitit 2007 dhe shpërnda
Gjatë mbledhjes së sotme të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha u ndal në dy çështje të rëndësishme, hartimin e buxhetit të shtetit të vitit 2007 dhe shpërndarjen e tij, si dhe bëri disa komente për çështjen Sollaku.
Duke vlerësuar se buxheti i vitit 2007 pasqyron përparësitë kryesore të qeverisë në sektorë shumë të rëndësishëm, veçanërisht në atë social, Kryeministri bëri këto komente:
"Këtë javë buxheti vjen në parlament. Buxheti ka një rritje thelbësore të investimeve, rritje e cila është rreth 40 përqind në mesatare mbi atë të vitit të kaluar. Por ajo që vlerësohet më pozitive në këtë buxhet është fytyra e tij sociale, njerëzore.
Ia kemi arritur të mbajmë plotësisht dhe në mënyrë të qëndrueshme përparësitë tona për arsimin me një rritje prej 17 përqind, për shëndetësinë me një rritje prej 17 përqind, për institucionet e vuajtjes së dënimit me një rritje po kaq të madhe, për invalidët dhe qytetarët me aftësi të kufizuara dhe përkujdesje për ta me një rritje prej 17 përqind, etj. Po ashtu, po përgatitemi për skemën e re për reformën e thellë sociale.
Kemi mbajtur objektivin tonë dhe kemi bërë progres të madh drejt realizimit të objektivit 2 përqind të GDP-së për Forcat e Armatosura, objektiv që ishte i parashikuar për në vitin 2009, por ne shpresojmë dhe do përpiqemi ta realizojmë në vitin 2008.
Ju do ta shqyrtoni buxhetin në Kuvend, por dua t'u rikujtoj se për herë të parë, këtë vit, grantet apo financat e pushtetit vendor morën një rritje të madhe. Eshtë rritur granti për shpenzimet në arsim dhe në shëndetësi, për ujësjellësa, por është rritur me rreth 3 miliardë lekë dhe financimi që marrin nga taksa e plotë e biznesit të vogël.
Pra, në Shqipërinë e njëmijë e një halleve, të trashëguara apo të krijuara nga sistemi kleptokratik, i cili vendosi pagat më të larta mbi vlerën e 50 pensioneve minimale të fshatit, mbi vlerën e 25-30 pensioneve të ulëta të qytetit, por edhe të pensioneve të invaliditetit, ne po përpiqemi t'u japim përgjigjen më të plotë këtyre halleve të mëdha të trashëguara.
Duke komentuar çështjen Sollaku, Kryeministri, ndër të tjera, u shpreh:
"Problemi i dytë ku doja të ndalesha, është një pyetje të cilën me shumë të drejtë ma shtruan mediat sot, por që po e shtrojnë të gjithë qytetarët, se; tani që avokati i krimit në krye të Prokurorisë së Përgjithshme mbeti në funksion, si do të shkojë lufta kundër krimit të organizuar?
Përgjigjia ime është një dhe vetëm një; lufta do të vazhdojë e pandërprerë, prokurori ka qenë pjesë e krimit, ka qenë pjesë e Aldo Bareve, e të tjerëve.
Nuk përjashtohet mundësia të ngremë një grup hetimor të pavarur për hetimin e lidhjeve të tij me krimin, një grup prokurorësh që ta hetojnë, jo siç bën vetë ai që zotohet të hetojë veten e tij.
Edhe një herë dua ta garantoj se fundi i tij do të jetë fundi që kanë patur dhe kanë të gjithë të protektuarit e tij. Ju do të thoni po dekreti? Respektimi i kushtetueshmërisë është një obligim i një rendi demokratik. Sado që është tepër dëshpëruese, ne do të intensifikojmë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke bllokuar të gjitha përpjekjet e kryeprokurorit për ta bllokuar këtë luftë, të cilat janë të përditshme dhe me fakte. Dy javë më parë urdhëroi prokurorin e çështjes që të heqë Anastas Angjelin dhe Igli Toskën, për faktin e thjeshtë se Igli Toska ka rregjistrimin e tij. Ekzistojnë dokumenta për këto.
Pra ai vazhdon të ushtrojë indirekt presion ndaj oficerëve të policisë kriminale dhe të policisë gjyqësore, vazhdon të mbyllë dosje dhe të bllokojë dosje. Prokurori nuk mund të ketë fund tjetër, përveç atij që i rezervon ligji dhe Kushtetuta një njeriu të implikuar në të gjitha aspektet. Ndaj duhet të shohim të gjitha prerogativat ligjore. Ministri i Drejtësisë të shohë mundësinë e ngritjes së një grupi të pavarur hetimor prokurorësh që t'i zbërthejë një nga një lidhjet e tij me krimin dhe të gjitha ndërvarësitë e tjera pa përjashtim.
Natyrisht, edhe njëherë e theksoj, kushtetueshmëria e vendit kërkon që pavarësisht nga rrethanat tërësisht dëshpëruese dhe të papranuara të dekretit, të respektohet. Por kjo do të thotë që ne të vazhdojmë luftën ndaj krimit e korrupsionit, si deri më sot, me të gjitha institucionet dhe agjencitë e zbatimit të ligjit, me prokurorët e ndershëm, të ndërgjegjshëm që nuk janë sollakizuar, që e konsiderojnë "Don Sollakun" në krye si një fatëkeqësi të madhe institucionale.
Beteja për shtetin ligjor është një betejë afatmesme. Bajlozët po këndojnë, por i siguroj se do të jenë të dëshpëruar në këngën e tyre. Ne kemi një mandat, mandati ynë ka qenë rivendosja e shtetit ligjor. Ne do t'i qëndrojmë kësaj me vendosmëri të madhe. Parlamenti, bashkë me Ministrinë e Drejtësisë, duhet të shqyrtojnë ngritjen e grupit hetimor ndaj prokurorit, i cili në rast se ka imunitet mund të shihet mundësia e heqjes së imunitetit dhe të bëhet hetimi për të gjitha lidhjet e tij me krimin, favorizimeve që u ka bërë organizatave kryesore kriminale dhe shumë probleme të tjera të mëdha".