Sot paradite, Kryeministri Berisha mirëpriti në një takim Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Zotin Joachim Rucker. Pas takimit, Zoti Berisha dhe z
Sot paradite, Kryeministri Berisha mirëpriti në një takim Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Zotin Joachim Rucker.
Pas takimit, Zoti Berisha dhe zoti Rucker dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, në të cilën bënë këto komente:
Kryeministri Berisha: Sapo përfunduam një diskutim të hapur e miqësor me Përfaqësuesin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, drejtuesin e UNMIK-ut në Kosovë, Zotin Rucker.
Ishte një rast i shkëlqyer për mua t'i shprehja mirëseardhjen dhe mirënjohjen e thellë Zotit Rucker, misionit që ai drejton dhe për rolin shumë të madh që kanë luajtur për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon.
Në takim diskutuam gjerësisht për intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale në të gjitha fushat.
Marrëdhëniet politike janë të shkëlqyera.
Marrëdhëniet ekonomike janë shumë të rëndësishme dhe po bëhen përpjekje për intensifikimin e tyre. Në mënyrë të veçantë, një interes të madh paraqesin marrëdhëniet në fushën e energjisë. E informova Zotin Rucker se Shqipëria po konsideron përpjekje të reja për t'i avancuar më tej këto marrëdhënie.
Marrëdhëniet midis agjencive të zbatimit të ligjit janë shumë të mira dhe janë të domosdoshme.
Natyrisht në takimin u diskutua edhe për statusin final të Kosovës. Unë shpreha admirimin tim për qendrimin e udhëheqjes politike të Kosovës, bashkëpunimin që ka dëshmuar me Presidentin Ahtisari dhe grupin e kontaktit, si dhe besimin se ekipi negociator i Kosovës do të qendrojë i bashkuar deri në përmbushjen e këtij misioni të madh jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin. Shqipëria mbetet e bindur se respektimi i plotë i lirive dhe të drejtave të serbëve në Kosovë dhe pavarësia e këtij vendi janë kusht për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Me shumë keqardhje konstatojmë se Beogradi është jo realist në qendrimin ndaj Kosovës. Dua të jem i sinqertë se për momentin rrezet e realizmit janë shumë të zbehta në Beograd. Shpresoj që të kuptohet se zgjidhja e statusit final të Kosovës është edhe në interesin e vetë forcave demokratike dhe të Serbisë në tërësi. Sikundër shpresojmë që zgjidhja e statusit përfundimtar të jetë një vepër midis komunitetit ndërkombëtar dhe autoriteteve të Kosovës dhe të mos lejojë krijimin e sherreve të reja në Ballkanin Perëndimor.
Ne mbetemi të vendosur të japim çdo ndihmesë, së pari, duke intensifikuar marrëdhëniet me Kosovën dhe fqinjët tanë, por të hapur për bashkëpunim me Beogradin. Vendet tona kanë, më shumë se çdo gjë tjetër, nevojë për projektin evropian. Zoti Joachim Rucker ka një kontribut shumë të çmuar në projektin evropian të Kosovës.
Zoti Rucker: Faleminderit shumë zoti Kryeministër. Kjo është vizita ime e parë në misionin tim të ri, si shef i misionit në Kosovë. Siç e përmendi edhe zoti Kryeministër ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera midis qeverisë shqiptare dhe Kosovës, ashtu siç dëshmohet edhe nga nënshkrimi i 2 memorandumeve të mirëkuptimit që do të nënshkruajmë sot në sektorin e energjisë. Kjo është arsyeja përse zotiÇeku nga Prishtina dhe zoti Ruli janë të pranishëm këtu sot.
Jo vetëm që ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe me qeverinë shqiptare, por ne çmojmë shumë rolin e Shqipërisë në lehtësimin e gjetjes së një zgjidhjeje të shpejtë për statusin final të Kosovës.
Ne biseduam për çështjen e statusit dhe ne kemi besim të plotë që nën udhëheqjen e zotit Ahtisari do të gjendet një zgjidhje e shpejtë dhe e plotë për statusin e Kosovës. Zgjidhja e këtij problemi, që është zgjidhja e enigmës së fundit në Ballkan, është shumë e rëndësishme gjithashtu edhe për stabilitetin në rajon.
Unë i shpjegova Kryeministrit se çfarë po ndodh në terren në Kosovë për t'u përgatitur për statusin e ri të Kosovës. Ne e vlerësuam shumë punën që ka bërë Grupi negociator, nga pikpamja jonë. Ne kemi besim se të gjithë aktorët e interesuar janë të vetëdijshëm se së shpejti do të kenë një zgjidhje optimale.
Ne patëm mundësinë të njihemi me zhvillimet e fundit në Shqipëri. Në shumë drejtime Shqipëria është një model. Ju jo vetëm që keni Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian, çka edhe Kosova inspiron, por Shqipëria është gjithashtu një shoqëri e qëndrueshme, multietnike dhe demokratike, gjë që e bën atë shumë të rëndësishme si një model rajonal.
Më lejoni zoti Kryeministër t'ju falënderoj për marrëdhëniet e shkëlqyera që kemi dhe bisedën shumë të mirë që zhvilluam.
Pyetje: Duket se të gjithë biem dakort që për statusin e Kosovës duhet të punojmë të gjithë për ta zgjidhur, por ajo që nuk përmendet është koha se kur do të zgjidhet. Ka gjithashtu deklarata nga Serbia që ky proces të shtyhet pas zgjedhjeve në Serbi, ndërsa pala tjetër, Kosova, Shqipëria, por edhe Ministrat e jashtëm të BE-së janë të mendimit se ky proces nuk duhet të zgjatet më. Cili është mendimi juaj?
Zoti Rucker: Sigurisht që ne jemi në krahun e atyre që udhëheqin procesin, që do të thotë në krahun e Këshillit të Sigurimit dhe të Ahtisarit që do të marrin vendimin për të ardhmen e Kosovës. I dërguari i Posaçëm i Grupit të Kontaktit ka deklaruar këtë shtator në Nju Jork se do të bëhet gjithcka është e mundur që kjo zgjidhje të ndodhë brenda vitit 2006.
Kryeministri Berisha: Unë jam i bindur se zgjidhja e Statusit brenda mandatit të Presidentit Ahtisari është koha më optimale e zgjidhjes së tij. Në pritje të realizmit serb do të ishte si në pritje të Godosë, jo sepse në Serbi nuk do të predominojë qëndrimi realist, por zgjidhja e statusit do të ndihmojë këtë qëndrim të Beogradit.
Pyetje: Zoti Rucker, ju jeni një njohës shumë i mirë i ekonomisë së Kosovës.Çfarë vështirësish kalon Kosova në kushtet e mungesës së Statusit dhe sa të lidhura janë këto dy probleme? Po ashtu, sa ka ndikuar bashkëpunimi ekonomik me Shqipërinë për ta zbutur, për ta ndryshuar disi situatën ekonomike në Kosovë?
Zoti Rucker: Unë mendoj që statusi do ta ndihmojë performancën ekonomike, sepse aktualisht Kosova ka disa kufizime, për shembull nuk ka akses në disa institucione ndërkombëtare financiare. Pra janë disa gjëra që do të përmirësohen me vendosjen e statusit. Është e rëndësishme të theksojmë gjithashtu se Kosova ka dhe do të ketë në të ardhmen, një bazë ligjore shumë të mirë për të tërhequr investitorët e huaj, të cilët janë të mirëpritur në Kosovë për të investuar. Kështu që, përsa i përket zhvillimit të ekonomisë në Kosovë, nuk kemi pse të presim për statusin.
Në lidhje me bashkëpunimin dypalësh me Shqipërinë, marrëdhëniet luajnë një rol shumë të rëndësishëm, por ato mund të rriten më tej, të përmirësohen në fushën e energjisë, turizmit dhe infrastrukturës së përbashkët.