Gjatë vizitës në Korçë, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me qytetarë të këtij qyteti. Duke folur në këtë takim Kryeministri, ndër të tjera, theksoi: "Dua t'ju shpreh mirën
Gjatë vizitës në Korçë, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me qytetarë të këtij qyteti. Duke folur në këtë takim Kryeministri, ndër të tjera, theksoi:
"Dua t'ju shpreh mirënjohjen shumë të veçantë jo vetëm për besimin e madh që ju keni vendosur tek Partia Demokratike dhe koalicionin e saj, por, para së gjithash, për frymëzimin e madh që më jepni mua dhe të gjithë atyre që ndajnë me ju qëllimet e mëdha për Korçën, që ndajnë moralin dhe besimin tek e ardhmja.
Në çdo vizitë këtu frymëzohem dhe vetëm frymëzohem. Unë vij sot, këtu, për të paraqitur para qytetarëve të Korçës atë se çfarë ne bëmë me kontratën e 3 korrikut. Në 3 korrik së bashku në këtë sallë, në çdo qendër votimi, rrugë e shesh të Korçës kemi firmosur një kontratë. Kontrata me qytetarët e Korçës dhe të gjithë qytetarët e Shqipërisë ka pasur si nen të parë mbrojtjen e parave tuaja, lutën me tolerancë zero kundër korrupsionit. Unë vij këtu për t'ju thënë se gjatë vitit 2006 ne e ngjitëm Shqipërinë në vendin e parë në planet për uljen e taksave si përqindje. Ne shpëtuam nga kontrabanda, evazioni fiskal, abuzimet në prokurime, shpenzimet abuzive në administratë 600 milion euro. Ne ju garantojmë se e konsiderojmë këtë vetëm një stacion për të vazhduar më tej, së bashku me ju, të mbrojmë paratë tuaja, t'i shndërrojmë në rrugë, shkolla, në qendra kulturore, në mirësi për çdo qytetar të saj.
Ne në kontratën tonë u zotuam për luftë me tolerancë zero ndaj krimit. I ftoj qytetarët korçarë të shtrojnë pyetjen se ku janë të kriminelët, Aldo Bare, Nehat Kulla. Ata janë aty ku e kanë vendin të gjithë ata që kërcënojnë qytetarët, sigurinë dhe jetën e tyre. Unë dua votën tuaj, sepse beteja kundër krimit të organizuar është beteja për të ardhmen tonë, për të vazhduar më tej, sepse në rast se Aldo Baret u kapën, shefat e tij qëndrojnë në KLD si dëshmi e turpit të krimit të organizuar. Ndaj të vazhdojmë të qëndrojmë të papërkulur për ta bërë vendin më të sigurt në Evropë.
Në 3 korrik, me kontratën tonë, ne u zotuam ta bëjmë Shqipërinë vendin më tërheqës për investimet e huaja. U premtuam biznesmenëve se do të përgjysmonim taksën e biznesit të vogël, të shpallnim çmimet e referencës dhe ato janë realizuar. Ne ulëm çmimin e energjisë, ulëm sigurimet shoqërore.
Gjatë këtij viti e në vazhdim Korçën do ta bëjmë me parkun e saj industrial, do asfaltojmë jo vetëm rrugët e qytetit, por edhe rrugët rurale, do të mbrojmë prodhimet e tyre bujqësore, do të mbrojmë Maliqin, do të zhvillojmë Dardhën, Voskopojën, Liqenasin dhe do t'i shndërrojmë ato në qendrat më të fuqishme turistike në mbarë Shqipërinë. Korça e zhvilluar mbetet objektivi ynë.
Lufta kundër korrupsionit është një njollë historike për shqiptarët. Me luftën kundër korrupsionit ne ia dolëm të kontraktojmë dhe do të vazhdojmë të kontraktojmë në muajt që vijnë për porte, termocentrale, autostrada më shumë se në 50 vitet e fundit. Autostrada Korçë-Qafë Plloçë fillon brenda muajve të parë të këtij viti. E theksoj sërish se lufta kundër korrupsionit bëri të mundur të shpëtojmë 600 milion euro. Do të trefishojmë kredinë e institucioneve ndërkombëtare për Shqipërinë dhe kjo meritë është e juaja, sepse ju votuat kundër këtij kanceri dhe ne me gërshërë do ta presim çdo ditë atë.
Neni kryesor i kontratës sonë ishte respekti për shpirtin tonë evropian, vokacionin tonë perëndimor. Në një vit ia dolëm të firmosim Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Ne ia dolëm që Shqipëria të jetë një ndër 3 vendet që të ftohet si kandidat i mundshëm për të marrë ftesën në samitin e ardhshëm për anëtarësim në NATO. Ne ia dolëm që të firmosim Marrëveshjen për Llogarinë e Sfidës së Mijëvjeçarit. Rezultatet janë të qarta. Të vazhdojmë së bashku në mënyrë që Korça dhe Shqipëria të ecin çdo ditë të sigurt drejt mirëqënies, drejt Evropës.
Duke paraqitur para jush intelektualin e shquar të Korçës, profesorin e universitetit tuaj, zotin Gjergji Papa, vij këtu t'ju jap fjalën se Gjergji Papa dhe të gjithë qeveritarët tuaj vendorë do t'i mbështesim në çdo projekt, me të cilin ata synojnë të përmirësojnë jetën tuaj, në mënyrë që ju të shkolloni fëmijët, të rregulloni infrastrukturën, tregun etj.. Gjergji Papa ka mbështetjen e plotë dhe totale të qeverisë. Ai është i mbështetur nga 10 parti politike dhe është kandidat i fitores, kandidati i Korçës dhe i të ardhmes më të mirë të Korçës.
Korça, me mençurinë dhe zgjuarsinë e saj politike, nuk mund të rezervojë përveçse votën kundër atij që sot ka hyrë në historinë e Shqipërisë si ‘mister kriza'. Ne, Korça, Shqipëria nuk kanë nevojë për kriza, kanë nevojë për mirëkuptim, tolerancë, për integrim. Prandaj të vazhdojmë rrugën tonë."