Pas takimit të zhvilluar me banorë të qytetit të Elbasanit, pasditen e sotme, Kryeministri Berisha dha një konferencë për shtyp për mediat lokale dhe ato kombëtare. Në fillim të konferen
Pas takimit të zhvilluar me banorë të qytetit të Elbasanit, pasditen e sotme, Kryeministri Berisha dha një konferencë për shtyp për mediat lokale dhe ato kombëtare.
Në fillim të konferencës, Kryeministri bëri këtë deklaratë:
"Pas një takimi të shkëlqyer, entuziast, me qytetarë të Elbasanit në Pallatin e Sportit, shfrytëzoj rastin, përmes mediave lokale dhe ato kombëtare, për t'u përcjellë qytetarëve të Elbasanit, përshëndetjet më të përzemërta. Sikundër, dua t'u ftoj të vazhdojmë së bashku, për konkretizimin çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, të kontratës së 3 korrikut, kontratë kjo e cila ka në epiqendër qytetarin e Elbasanit, qytetarin shqiptar, me jetën dhe sigurinë e tij, me punën dhe mirëqenien e tij, me fëmijët dhe shkollimin e tyre, ka në epiqendër projektin e qytetarëve të Elbasanit për integrim në BE dhe NATO.
Në një vit e pak muaj, qeverisja e koalicionit që unë kryesoj u angazhua në një betejë me zero tolerancë kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. Sot qytetarët shqiptarë janë të vetëdijshëm se dhjetëra grupe kriminale, organizata kriminale, përfshi edhe qytetin e Elbasanit, Durrësit, Tiranës, Tropojës, Lushnjes, Vlorës e me radhë, janë vendosur para ligjit, para drejtësisë. Zero tolerancë është dhe do të mbetet qëndrimi ynë ndaj krimit të organizuar.
Por, dua të theksoj se krimi i organizuar shqiptar nuk ekzistonte vetëm në vilat e bosëve të mafies, apo në skutat ku fshiheshin anëtarët e tyre. Ekzistonte, për fat të keq, dhe akoma ekziston, edhe në zyrat e shtetit. Vërtetë ne e arrestuam Aldo Baren në një nga papafingot e një ndërtese në Ankara, por Aldo Baret politikë, shefi i tij politik, është në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ndaj edhe kjo betejë kundër krimit të organizuar është e një rëdësie jetike.Çdo votë për të vazhduar sëbashku rrugën është një votë kundër krimit të organizuar, është një votë në mbështetje të fuqishme të përpjekjes sonë për ta nxjerrë atë jashtë institucionove apo kudo që ndodhet dhe për ta vendosur para ligjit.
Një zotim tjetër madhor i yni ka qenë lufta me zero tolerancë kundër korrupsionit. Unë dua të informoj qytetarët e Elbasanit se, kjo luftë, ndonëse e vështirë - sepse korrupsioni është një kancer -, ka patur rezultate të qarta spektakolare. Administrata qendrore shkurtoi me 40 përqind shpenzimet e saj. Administrata tjetër jo qendrore shkurtoi me 20 përqind shpenzimet e saj. Me 25 përqind është ulur kostoja e prokurimeve publike. Pra, u zhduk zarfi i ministrit apo i drejtorit. Qindra milionë euro u shpëtuan nga kontrabanda dhe evazioni fiskal. Në një vit, në total, paratë të cilat u kursyen nga shpërdorimi, vjedhja, abuzimi, arrijnë vlerën 600 milionë euro.
Çdo qytetar i Elbasanit dhe çdo qytetar shqiptar duhet të shtrojë pyetjen; çfarë bëtë ju me këto para? Janë këto shifra në letër, apo janë fakte reale?. Unë u them qyterarëve se janë të mirëpritur të kontrollojnë çdo vendim dhe çdo qindarkë. Të gjitha këto u shndërruan, së pari, në rroga dhe pensione. Dua të theksoj këtu se, së bashku me kartolinën e vitit të ri, për pensionistët shqiptar u dhanë shtesë në vitin 2006, 96 milionë euro. U vendos pensioni minimal 100 mijë lekë në qytet, 50 mijë lekë në fshat. Por këta nuk ishin 100 apo 200 mijë, por ishin 400 mijë pensionistë në mbarë Shqipërinë
U rritën rrogat e arsimtarëve. Këtu, në teatrin Skampa të Elbasanit, kam bërë premtimin e pare se në 4 vjet do të dyfishojmë rrogat e arsimtarëve. I kemi rritur vitin e parë me 23 përqind, këtë vit sërish do t'i rrisim mbi 20 përqind. Dhe unë do të mbaj fjalën time, në fund të këtij mandati, arsimtarët e Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë, do të marrin dy herë më shumë se sa merrnin në fillim të këtij mandati.
Por dua të them të vërtetën. Nuk janë rritur vetëm rrogat e arsimtarëve, janë rritur edhe rrogat e gjithë punonjësve buxhetor, në një mesatare prej 20 përqind.
Çfarë bëmë tjetër ne me këto para, që janë të gjitha të taksapaguesve shqiptarë? Me këto para ne ulëm taksat. Shqipëria këtë vit, sipas kompanisë më prestigjoze të vlerësimit, zë vendin e parë në botë të uljes së taksave si përqindje. Kam ardhur para 3 korrikut, kam trokitur në këto rrugica, nëpër dyqane, te biznesi i vogël dhe ju kam premtuar se do të përgjysmojmë taksat. Në javën e parë të qeverisjes kam përgjysmuar taksën e tyre.
Kemi ulur 30 deri në 45 përqind çmimin e energjisë për bizneset, kemi ulur sigurimet shoqërore 31 përqind. Pra, këto para, një pjesë e mirë e tyre, iu kthye biznesit, me qëllimin e vetëm për të ulur koston e prodhimit, të punës, të mund të zgjerojmë mundësitë e tyre investuese, të punësojnë sa më shumë shqiptare.
Çfarë bëmë tjetër me këto para. Ne kontratuam muajt e fundit të këtij viti dhe do të kontratojmë në muajt që do të vijnë, vepra publike në sistemin rrugor, me shumë se në 50 vitet e fundit. Kemi kontratuar tërësisht të gjithë aksin Milot-Morinë, kemi siguruar plotësisht financimin për autostradën Fier-Vlorë, Korçë-Qafë Thanë.
Këto janë vetëm në sistemin rrugor. Brenda këtij mandati, në këtë sistem do të investohen mbi 1.2 miliardë euro. Kemi një projekt për 6 mijë kilometra rrugë që fillon nga mesi i këtij viti. Të gjitha do të jenë rrugë dytësore të qyeteteve, në kuadrin e projektit asfaltim, gjelbërim, do jenë rrugë rurale, për të ndryshuar sa më shumë jetën e fermerëve, për t'i afruar ata sa më shumë me tregun, për t'i afruar qytetet me zonat e tyre turistike.
Por, në rast se vitin e parë ia dolëm të shpëtojmë 600 milionë euro, unë dua t'ju siguroj se këtë e konsideroj vetëm një stacion, sepse beteja kundër korrupsionit është realisht një minierë e vërtetë floriri për shqiptarët, sepse jo 600 milionë, por potenciali është shumë herë më i madh. Ne kemi vullnet të hekurt për të vazhduar më tej këtë betejë, deri sa të vendosim standardet më të mira të përdorimit të buxhetit të dytë të shqiptarëve, që është buxheti publik.
Kam kënaqësi të informoj qytetarët e Elbasanit se kjo luftë që unë kryesoj, kundër korrupsionit, ka marrë realisht një vlerësim ndërkombëtar, europian dhe botëror. Unë nuk e them këtë për superlativa. Jo! Ata që do të lexojnë raportin e botuar në Këshillin e Europës para 3 ditësh, nga Asambleja Parlamentare e 42 vendeve anëtare, do të gjejnë në këtë raport se thuhet tekstualisht; Asambleja përshëndet luftën me zero tolerancë të qeverisë shqiptare kundër krimit, trafiqeve, korrupsionit. Ishte ky vlerësim që bëri të mundur nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Ishte ky vlerësim që bëri që Shqipëria të përmendet si një vend i mundshëm për të marrë ftësën për kandidat në NATO, në samitin e ardhshëm të Rigës. Ishte ky vlerësim që bëri të mundur të firmosej me Koorporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit marrrëveshjen prej 14 milionë dollarësh të Pragut të kësaj Sfide, marrëveshje e cila është e përqëndruar në 3 projekte madhore në luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni është një kacer dhe duhet luftuar çdo moment. Për këtë, ne qëndrojmë të përkushtuar.
Ne premtuam se do të firmosim Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, e firmosëm atë dhe do të vazhdojmë sëbashku të zbatojmë MSA-në. Premtuam se do të afrohemi shumë më tepër me NATO-n dhe jemi afruar shumë më tepër me NATO-n.
Premtuam se do të angazhohemi në reforma të thella në arsim dhe kemi hapur tërësisht dyert për universitetet tona. Nuk jemi ende të kënaqur, sepse akoma janë të shumtë fëmijët tanë që mbarojnë klasën e 9-të dhe nuk shkojnë në shkollën e mesme. Ka një rritje të ndjeshme këtë vit, ka qenë 37 përqind pjesemarrja e nxënësve ne shkollat e mesme në 2 vitet më parë, është bërë 60 përqind, por kjo duhet të jetë 90 përqind. Prandaj edhe ne, me një sistem konviktesh, do të bëjmë çdo gjë, në mënyrë që kudo që ndodhen, fëmijët që mbarojnë klasën e 9-të, të kenë mundësi të ndjekin shkollën e mesme.
Ne jemi angazhuar në një seri projektesh të mëdha në energji elektrike. Këtë vit vendi përjetoi krizën e radhës. Por dua të informoj qytetarët e Elbasanit se, e para, ne kemi përmbysur konceptin. Në rast se për 30 vjet me radhë është ecur me konceptin të japim energji aq sa kemi, ne kemi vendosur një koncept tjetër, energji 24 orë për shqiptarët. Ky është qëllimi ynë dhe këtë ne kemi premtuar se do ta zgjidhim brenda vitit 2007.
Ne premtuam para 3 korrikut, se do të japim energji elektrike 24 orë për zonat turistike gjatë verës dhe ne i dhamë të gjithë Shqipërisë gjatë verës energji elektrike. Pati 2 probleme madhore; një thatësirë jashtë të gjitha parashikimeve dhe 2 kontrata të paguara nga ne, me një sasi shumë të madhe energjie prej 200 kilovat të marra së bashku, por të parealizuara nga firmat të cilat duhet t'i realizonin.
Natyrisht, dua t'u bëj të ditur se çdo gjë e hidhur ka edhe anën e vet, ka edhe një leksion të madh dhe ky leksion është fakti se ne duhet të bëjmë investime, duhet të pranojmë të paguajmë çdo çmim që thatësira të mos na mposhtë. Kjo do të thotë që ne duhet të investojmë në superprodhim, të zhvillojmë eksporte atëherë kur nuk na duhet dhe kjo, është e vetmja mënyrë për të përballuar situatën edhe për të mos patur probleme energjitike.
Po merren të gjitha masat për të importuar gjatë vitit që vjen dyfishin dhe mbi dyfishin e asaj që importuam vitin e shkuar, do të programohen shumë më mirë digat. Gjithashtu, fillon ndërtimi i TEC-it të Vlorës, do të fillojë ndërtimi i 2 TEC-eve të tjera, në Fier dhe në Porto Romano. Ne do të konsiderojmë seriozisht ndërtimin e një TEC-i në Elbasan, me një teknologji e cila respekton plotësisht mjedisin. Kam qenë dhe mbetem i bindur se përgjigjia më e shkëlqyer për energjinë është një TEC në çdo qytet të madh. Në rast se kemi mbiprodhim, për shkak të ujërave, atëherë ulim prodhimin me to. Kjo është praktika që ndjekin vendet e zhvilluara dhe këtë praktikë do të ndjekim edhe ne.
Këtë vit ne u japim jetë esdhe parqeve industriale. Do jenë të parët Elbasani, Durrësi dhe Shkodra, në të cilat do të eksperimentohet. Unë garantoj kryetarin e ardhshëm të Bashkisë, zotin Luçiano Boçi, se studimi ka filluar me një ekspert të shquar, i cili ka studiuar 2 variante për parkun industrial këtu dhe, gjatë këtij viti, do të merren të gjitha vendimet përfundimtare dhe do të fillojë projekti i parkut industrial i zonës së lirë.
Sikundër, janë studiuar disa variante për ndërtimin e rrugës Elbasan-Tiranë, në mënyrë që të shkurtohet distance e pamerituar që e ndan këtë qytet me kryeqytetin e vendit.
Ne, në të gjithë këtë përpjekje të madhe, kemi një synim, të ndryshojmë për mirë jetën e qytetarëve të Elbasanit, jetën e qytetarëve shqiptarë, të krijojmë vende pune, të fuqizojmë biznesin, të fuqizojmë zhvillimin. Zoti Luçiano Boçi ka të gjithë mbështetjen e qeverisë në të gjitha projektet e tij.
Dua të theksoj dy momente me këtë rast; gjatë dhjetorit vendi përjetoi një krizë të turpshme, krizën e çertifikatave, që në të vërtetë nuk kishte të bënte as me hologramën, as me rregjistrin, as me letrën, por frikën dhe tmerrin nga vota e lirë. Megjithatë, është në duart tona që ne të bëjmë zgjedhjet më të mira dhe më të lira që kemi bërë ndonjëherë. Unë kam besim të madhe se, këtu në Elbasan, do të jenë zgjedhjet më të shkëlqyera në Shqipëri. Le t'i përgjigjemi ne, me sfidën tonë qytetare, me përgjegjësinë qytetare, detyrimit madhor ndaj vetes, fëmijëve tanë, Elbasanit, vendit, për zgjedhje të lira dhe të ndershme, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të flasin si qytetar europian, përmes votës së tyre.
Së dyti, i duhet dhënë një përgjigje e merituar atij, të cilin unë nuk mund ta quaj ndryshe veçse mister kriza. Sepse, të krijosh krizën për listat, të cilat 90 përqind në Tiranë i harton vet, për çertifikatat që 90 përqind në Tiranë i firmos vet, unë mendoj se është shumë e pamerituar.
Këtu tek ju përballen dy rryma, Luçiano Boçi dhe rryma e zhvillimit, e integrimit, e antikorrupsionit dhe antirryma tjetër, e përfaqësuar nga shoku Qazim, i cili, për hir të së vërtetës, por edhe të babëzisë, nuk e di se çfarë e shtyn të kandidojë, pasi, siç e dini, e provoi një vit më parë dhe nuk e votoi as mëhalla e tij. Tani do të provojë së dyti, absolutisht vetëm për qëllimet e veta dhe aspak për të zhvilluar Elbasanin dhe qytetarët e tij.
Ndaj, edhe njëherë, duke përshëndetur shumë përzemërsisht qytetarët e Elbasanit, i ftoj të votojnë për Luçiano Boçin, ju jap fjalën se qeveria do të mbështesë fuqimisht çdo projekt, çdo përpjekje të zotit Boçi, për të përmirësuar dhe ndryshuar jetën e qytetarëve të nderuar të këtij qyteti kaq të mirë, kaq të rëndësishëm, kaq të njohur për mbarë kombin shqiptar".
Më pas, Kryeministri iu përgjigj interesimit të gazetarëve për çështje të ndryshme:
Pyetje: A do të ketë një afat konkret për fillimin e rrugës Elbasan-Tiranë?
Kryeministri Berisha: Janë 3 variante. Një grup gjerman, një kompani shumë serioze, ka përfunduar rreth para një muaji parafizibilitetin, distancën dhe largësinë dhe ka paraqitur dy variante. Njëri variant parashikon kalimin afër Papër-it, tjetri variant është pak më tutje. Një grup tjetër, i pavarur nga ky grup gjerman, ka një projek tjetër. Pra, janë tre projekte, do të studiohen dhe do të zgjidhet njëri prej tyre. Por rruga përbën një përparësi të padiskutueshme dhe ne i qëndrojmë plotësisht këtij premtim. Mund të më pyesni nëse kjo rrugë do të jetë me tunel apo tunel, por kjo varet se cili variant do të zgjidhet.
Pyetje: Opozita ju ka akuzuar se në disa bashki kryesore ju nuk keni rikandiduar drejtuesit aktualë demokratë të bashkive, por kandidatë të tjerë, emra të rinj. A është qeverisur keq prej tyre në këto bashki?
Kryeministri Berisha: Në fakt, e vërteta nuk qëndron kështu. Ju i patë qytetarët e Elbasanit dhe entuziazmin e tyre të madh që dëshmuan për zotin Luçiano Boçi. Por, kjo është një qeveri, e cila, për të qenë fare i hapur me ju, nuk flak njeri, përveçse për motive që dihen dhe, nëse ajo sposton një njeri nga një vend në një vend tjetër, kjo është një gjë normale.
Pyetje; Zoti Kryeministër, kur do të fillojë tenderi i linjës Elbasan – Tiranë – Podgoricë. Së dyti, a i merr në konsideratë qeveria juaj hidrocentralet lokale që mund të ndërtojnë zonat si Librazhdi, Prrenjasi etj.
Kryeministri Berisha: E para, tenderi për segmentin Laç-Podgoricë është bërë njëherë. Po priten mendimet e KfW-së dhe institucioneve të tjera financuese, ashtu siç është rregulli, që edhe ato duhet të shprehen meqenëse janë financues për fituesin. Nuk e përcaktojnë ato, por duhet ta miratojnë. Ndërsa tenderi për segmentin Elbasan-Tiranë është në përfundim e sipër, me kooperacion italian dhe paratë janë zhbllokuar.
Pyetja juaj e dytë është shumë e rëdësishme. Ne kemi patur një problem me çështjen e hidrocentraleve të vogla. Ligji i konçensioneve që kishim krijonte disa probleme në transparencën e tyre dhe institucionet ndërkombëtare finaciare kanë qenë shumë hezituese në aplikimin e atij ligji. Ne kemi miratuar një ligj të shkëlqyer për koncensionet. Përgatitëm një vendim të shkëlqyer, bazuar në këtë ligj, për hidrocentralet e vogla. Këto 2-3 ditë ligji hyn në fuqi, duhet të jetë botuar në Fletoren Zyrtare nga data 8 janar dhe i bie që pas 15 ditësh nga kjo date të hyjë në fuqi. Ndërkohë, vendimi hyn në fuqi menjëherë me ligjin. Janë rreth 25-30 kërkesa për hidrocentralet e vogla. Si do të veprohet me to? Këtyre kërkesave u njihet një meritë në bazë të këtij ligji, meritën e të qenit të parët. Këto subjekte që i kanë paraqitur kërkesat nuk do të mund t'i marrin pa tender, por do të hapet tenderi dhe këta, kanë 10 përqind më shumë se çdo ofertues tjetër që vjen i dyti. Kjo është transparenca. Kjo do të thotë se 3 muajt e parë të këtij vitit do të jenë një seri fituesisht të tenderit të hidrocentraleve të vogla.
Por nuk janë vetëm hidrocentralet e vogla. Ka një interes shumë të madh për kaskadën e Devollit dhe ajo do të jetë një nga kaskadat e para që do të fillojë ndërtimin. Pastaj është kaskada e Vjosës, edhe ajo një pasuri përrallore. Kemi një problem serioz aty me një kontratë 10-vjecare të cilën po e trajtojmë, por pas Devollit i vjen radha edhe kaskadës së Vjosës. Ndërkohë, janë qindra të tjerë të vegjël, të cilët do të mund të ndërtohen.
Dua t'ju them sërish se, ne do të bëjmë përpjekje të jashtëzakonshme për termoprodhimin. Fillon ndërtimi i TEC-it të Vlorës, një tjetër dy herë më i madh do të fillojë në Porto- Romano, i barabartë me fuqinë e TEC-it në Vlorë do të fillojë edhe TEC-i në Fier. Ne do përpiqemi edhe për të ndërtuar në Elbasan, në Korçë. Duhet detyrimisht të kemi një prodhim të madh, ndoshta edhe mbi 500 megavat në termocentrale, në mënyrë që të mos ndikohemi nga thatësira. Ajo është thatësirë që mund të përsëritet, ose mund të ketë cikle thatësirash, ndërkohë që ne duhet të kemi energji elektrike.
Pyetje: Ju sapo e thatë se vitin që ka hyrë do të fillojnë parqet industriale, si po ecet me to?
Kryeministri Berisha: Konkretisht, kemi punuar gjashtëmujorin e dytë të vitit 2006. Janë studiuar qytete si Shkodra, Durrësi dhe Elbasani. Studimet akoma nuk janë kompletuar. Kemi kontratuar një ekspert të shquar ndërkombëtar për parqet industriale dhe po punohet me të. Ka dy mënyra zhvillimi për to, menaxhimi privat dhe ai shtetëror, por menaxhimi privat është më i sigurt. Por kjo kërkon të gjendet edhe kompani private. Ne do të bëjmë çdo përpjekje që të tërheqim kompani private për zhvillimin e tyre, duke marrë përsipër, si qeveri, shumë shpenzime. Elbasani gjithashtu ka kushte të shkëlqyera për zhvillimin e parkut industrial. Unë jam takuar disa herë me këtë ekspert të shquar dhe ai është i bindur për kushtet e shkëlqyera që ekzistojnë në Elbasan. Sapo të përfundojnë zgjedhjet vendore, ne do të vazhdojmë punën me të.
Pyetja: A do të mbështetet nga qeveria ideja, e shprehur edhe si një ndër objektivat e punës së kandidatit tuaj në Elbasan, për zgjerimin dhe fuqizimin e Universitetit të Elbasanit?
Kryeministri Berisha: Do të mbështetet fuqimisht. Kryetari i Bashkisë është i lutur të përcaktojë terrenin. Ne disponojmë të gjitha fondet për të ndërtuar një korpus dhe një kampus modern universitar në Elbasan dhe kudo që të ketë nevojë. Por Elbasani, pas Tiranës, është prefektura më e madhe e vendit në numër, krahas faktit që ka edhe prurje nga jashtë Shqipërisë, sidomos nga shqiptarë të Maqedonisë, Kosovës, etj. Ndaj, edhe ne do të bëjmë çdo përpjekje për të fuqizuar universitetin e Elbasanit dhe mundësitë fiannciare realisht i kemi për këtë. Ne kemi një kredi prej 60 milionë, një kredi që mund të dyfishohet dhe që po e dedikojmë plotësisht në shkollat e larta dhe në modernizimin e shkollave. Kjo është, krahas buxhetit të shtetit.