E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Gjeçi: Mandarinat me pesticide janë groposur

TIRANË, 27 shkurt /ATSH/ Drejtorja e kabinetit të Ministres së Bujqësisë, Ermira Gjeçi bëri të ditur sot se 10 tonë mandarina me pesticide që ishin kthyer nga Kroacia janë groposur, nuk janë hedhur për konsum në treg.

Sipas saj, rasti është denoncuar nga vetë institucionet e varësisë së Ministrisë së Bujqësisë.

Në një intervistë për mediet, Gjeçi tha se, “në datën 10 dhjetor 2024, ka qenë një sasi mandarinash e destinuar për eksport, e cila është bllokuar nga autoritetet kroate pasi dyshohej për mbetje të dy produkteve që nuk janë në listën e aprovuar të Ministrisë së Bujqësisë”.

Ajo informoi se, historia nis me denoncimin që kanë bërë institucionet e varësisë të MBZHR.

“Nuk kemi të bëjmë me hedhjen e një produkti në treg ashtu sikurse po flitet gjerësisht në media. Ka të bëjë me një shkelje procedure, pasi procedura kërkon që në momentin ngarkesa e cila është e destinuar për eksport, bllokohet, atëherë menjëherë operatori në momentin e mbërritjes, është i detyruar në bazë të legjislacionit në fuqi, të informojë institucionet përgjegjëse, që në rastin në fjalë është AKU, i cili ka procedurën e vet për asgjësimin e kësaj sasie në mënyrë që ne të garantojmë që kjo sasi nuk vete në treg. Kjo procedurë nuk është ndjekur. Operatori e ka kthyer ngarkesën tek fermeri dhe fermeri e ka groposur. Kjo ka rezultuar nga hetimi administrativ që është bërë nga institucionet tona të varësisë.  Rasti është denoncuar nga vetë institucionet tona të varësisë për moszbatim të legjislacionit në fuqi. Pra në këtë rast kemi të bëjmë përdorimin e palejuar të pesticideve dhe mos ndjekjen e procedurave ligjore”, tha ajo.

Gjeçi konfirmoi se, përfaqësues të AKU nuk kanë qenë pjesë e groposjes së mandarinave, por është gjurmuar rasti dhe është verifikuar groposja e tyre.

“Nuk ka qenë pjesë e ekipit që është marrë me groposjen dhe kjo është arsyeja pse rasti është çuar për ndjekje penale, sepse procedura e kërkon që Ministria njoftohet dhe ministria është pjesë e ekipit që bën groposjen. Por duke vajtur mbrapsht në zinxhirin e kontrollit pra në gjurmueshmërinë, kjo është gjurmueshmëria që ne themi, unë i vete mbrapsht deri në pikën parësore, deri në pikën e parë, është parë, është deklaruar nga fermeri dhe është parë vendi i groposjes. Kurse për rezultate të mëtejshme, sikurse jeni në dijeni, rasti është nën hetim, kështu që nuk mundemi të japim më shumë inflamacion derisa të përfundojë. Por është e verifikuar me protokoll vendgroposja”, tha ajo.

Ministria e Bujqësisë bëri me dije se është ngritur një taskforcë që merret me analizimin e çdo rasti pozitiv qoftë nga importi por edhe produkte vendi. Sipas këtij institucioni, bëhet fjalë vetëm për 4 ngarkesa që kanë rezultuar pozitive nga 923 në total. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›