E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Ndërtuam 450 shkolla dhe objekte sportive, mësuesit pagë mesatare 950 euro

TIRANË, 27 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, bëri të ditur sot se ekonomia e vendit po njeh rritje dhe se disa tregues të saj e thonë qartë këtë.

Në takimin me asambletë socialiste të njësive 8, 9 dhe 11 në Tiranë, Rama tha se pavarësisht përmirësimit të ndjeshëm, sërish opozita thotë se këtu ka marrë fund çdo gjë.

Rama theksoi se sot më shumë qytetarë po lëvizin jashtë dhe kjo tregohet qartë nga aksesi në transportin ajror.

“Shqipëria e kishte në 2016-ën aksesin në aviacion, transportin ajror 6,7%. Në vitin 2024 e ka 32%. Dhe kjo shifër është matur vetëm për qytetarët shqiptarë rezidentë në vend, jo për emigrantët apo të huajt. Nuk është një shifër e ulët dhe nuk është larg një mesatareje të një pjese të vendeve të BE-së. Që tregon se ka më shumë lekë në duart e qytetarëve”, theksoi Rama.

Më tej, ai foli për dyfishim të numrit të sipërmarrjeve që operojnë në vend.

“Kur ne kemi marrë detyrën kishte 117 mijë biznese. Sot numërohen 250 mijë biznese. Këto janë shifra që shkojnë në kundërshtim me gjithë llumin që thotë që këtu ka marrë fund çdo gjë“, u shpreh Rama.

Rama po ashtu solli në vëmendje edhe kohën në 2013, kur edhe zona qendrore e Tiranës nuk kishte furnizim të plotë me energji, por ndriçohej me gjeneratorë.

“Po ta bënim këtë mbledhje në 2013-n do ta bënim me gjenerator. Në atë kohë ishte vetëm Blloku ku mund të dilej, dhe në çdo 7 hapa kishte një gjenerator; Ku 50% e qytetarëve nuk e paguanin energjinë, një pjesë e vidhnin dhe ata që paguanin, paguanin edhe për këta që nuk paguanin. Sot jemi në kushtet kur energjia e faturuar arkëtohet 100%”, informoi Rama.

Kryeministri theksoi se falë reformës së bërë në këtë sektor u arrit të ulej me 10,5% çmimi i energjisë për familjarët.

“Erdhëm në kohën, si askush jo vetëm rreth nesh, por dhe në Europë, jemi të vetmit që ulim çmimin e energjisë. Këta “të llumit” filluan përqeshjet: “Si thoni historike ulja?!” Por do të ishte për të qeshur nëse do të kishim ulur çmimin 1 mijë lekë në një milion lekë, ose 1 lek në 1 mijë lekë, po ne e ulëm 1 lek në 9,5 lekë. Pra 10,5%”, deklaroi kryeministri.

Nga ana tjetër kryeministri vuri në dukje se paga mesatare shkoi në 930 euro në sektorin publik, shifër kjo që nuk ishte as në programet elektorale të ndonjë partie politike, jo më të mendohej të bëhej realitet.

Madje, shtoi ai, sot paga mesatare e mësuesit ka shkuar në 950 euro.

“Faktikisht e kemi arritur si rezultat i të gjitha ndryshimeve dhe zhvillimit që ka ndodhur”, theksoi ai.

Duke u ndalur tek investimet, Rama tha se sot numërohen 53 spitale dhe 400 qendra shëndetësore të ndërtuara, si dhe 450 shkolla dhe objekte sportive.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›