E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta para Kuvendit, Policia shoqëron tetë persona për veprime të dhunshme

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Policia e Shtetit bëri të ditur se ka hartuar dhe zbatuar planin e masave për garantimin e perimetrit të sigurisë, rendit dhe sigurisë gjatë tubimit të zhvilluar sot para Kuvendit të Shqipërisë.

Sipas Policisë, gjatë tubimit, disa prej pjesëmarrësve kanë shtyrë dhe goditur me vezë, domate, gurë dhe sende të tjera punonjësit e Policisë të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë.

Policia informoi se punonjësit e saj u kanë bërë thirrje pjesëmarrësve, përmes megafonit, që të ndalonin veprimet e kundërligjshme ndaj efektivëve, të zbatonin urdhrat e ligjshëm të Policisë, të mos cenonin perimetrin e sigurisë së Kuvendit dhe të mos bllokonin rrugën.

Sipas njoftimit, disa prej pjesëmarrësve nuk i kanë zbatuar këto urdhra.

“Në këto kushte, punonjësit e Policisë, në zbatim të procedurave standarde të punës, me qëllim neutralizimin e veprimeve të dhunshme të disa prej pjesëmarrësve në tubim, kanë përdorur spraj individual policor dhe, në vijim të veprimeve, kanë shoqëruar deri në orën 17:30, tetë persona që kryenin veprime të dhunshme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit deklaroi se shërbimet e saj po vijojnë detyrën për garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe për ushtrimin e së drejtës së qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore.

Në këtë kuadër, Policia u bëri apel pjesëmarrësve në tubim që të respektojnë ligjin dhe të mos kryejnë veprime të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë.

“Çdo veprim i kundërligjshëm do të trajtohet në përputhje me ligjin”, thekson Policia e Shtetit.

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›