“Njerëz të humbur” në kërkim të fatit të 21-vjeçarit britanik
Edward Craythorn i zhdukur që prej 2 shkurtit në rrethana ende të panjohura
Një djalë anglez 21-vjeçar zhduket në rrethana misterioze teksa ka dalë për të pirë një kafe me shokët e tij. Ngjarja e pazakontë ka ndodhur 15 ditë më parë, në datën 2 shkurt të vitit 2008, kur Edward Craythorn del nga shtëpia dhe nuk kthehet më. Si ndodh ngjarja. Nëna e Edit, Ajlin, jetonte së bashku me djalin e saj Edward dhe tri vajzat e saj në Britaninë e Madhe. Njëra nga vajzat, Sofia, dashurohet me një shtetas shqiptar, Edmondin, martohet me të dhe në vitin 2004 vjen të jetojë në Shqipëri. Po në këtë vit, nëna e Eduardit vjen të jetojë së bashku me vajzën në Shëngjin ndërsa Edi së bashku me dy motrat e tjera jetonin në Angli. Në muajin tetor të vitit 2007, Edi vjen në Shëngjin për të vizituar nënën e tij dhe do të largohej drejt shtetit anglez në datën 4 shkurt të vitit 2008. Në Angli, Edi punonte si ndihmës në transportin e mobiljeve nga njëra magazinë në tjetrën. Të shtunën e datës 2 shkurt të vitit 2008, djali del në orën 10:30 të mëngjesit për të konsumuar një kafe me shokun e tij, Marion. Për herë të fundit, ai është parë i shoqëruar me tre persona nga Lezha, të cilët flisnin anglisht. Sipas dëshmisë së Marios, ata janë ngjitur në një benz ngjyrë të zezë elegance, me targa angleze dhe me timon nga krahu i djathtë. Mario pothuajse nuk ka kuptuar asgjë nga biseda pasi nuk ka njohje të gjuhës angleze. Pasaporta e djalit, paratë dhe bileta e avionit ndodhen në shtëpi dhe nuk dihet asgjë për fatin e tij. Në fund të udhëtimit, tre shokët bashkëshoqërues i kanë bërë ftesë Marios për të shkuar me ta në Tiranë, por Mario nuk ka pranuar. Ndërkohë, nëna thekson se atë ditë djali jo vetëm që nuk është kthyer në shtëpi, por dhe telefonin e ka pasur të mbyllur.Të nesërmen e datës 3 shkurt familja bën denoncimin në policinë e Lezhës nga ku merren në pyetje të gjithë shokët e Edit, si një pistë kryesore e fshehjes së mundshme të Edit nga ata. Rezultati i dëshmisë së tyre dhënë policisë ishte negativ. Ajlin dhe Sofi, të gjendura të vetme në vendbanimin e ri pas braktisjes së Britanisë së Madhe, iu drejtuan redaksisë së “Njerëz të humbur” në Vizion Plus. Fillimisht historia e djalit u prezantua si rast urgjent me mendimin se largimi i tij i pazakonshëm nuk do të zgjaste shumë. Në fakt nuk do të ndodhte kështu. Të shtunën në mbrëmje historia e Edit u trajtua gjerësisht në “Njerëz të humbur” duke zbuluar detaje të reja të largimit të papritur të tij. Informacionet paraprake rezultuan se gisht në këtë zhdukje krejtësisht të “rastësishme” të Edit kishin persona me influencë në disa poste të rëndësishme shqiptare. Gjatë asaj nate u dhanë vendndodhje konkrete të Edit në Elbasan. Këto informacione u kaluan organeve kompetente, të cilat verifikuan që atë mbrëmje nëse bëhej fjalë për Edin apo jo. Kërkimet e stafit të Aida Shtinos janë bërë edhe më të vështira pasi kjo ngjarje shumë e thjeshtë në dukje mbart në vetvete shumë mistere, të cilat priten të zbardhen ditët në vazhdim.
19 Shkurt 2008