E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një dashuri e huaj dhe amaneti i një babai shqiptar

Jeta e tij ishte e vështirë në Shqipëri. Nuk kishte një punë e as një shpresë për të ardhmen. Emigracioni masiv i atyre viteve e bëri të mendojë seriozisht të largohej nga shtëpia e tij, të cilën e kishte aq për zemër. Pasi hodhi çantën në shpinë, u gjunjëzua para shtëpisë sikur të përshëndeste të gjitha sendet dhe objektet e saj dhe u largua pa u thënë asnjë fjalë prindërve të tij. Stërkalat e ujit të ftohtë të detit i ndjente t’i lagnin fytyrën dhe flokët e verdhë, prej të cilave ishte aq shumë i admiruar nga të gjithë, në veçanti nga vajzat. Kujtimet për Shqipërinë i kalonin nëpër mend në të qindat e sekondës, por kokën e mbante përpara drejt një horizonti të panjohur që rrihej nga dallgët e detit. Në moshën 22-vjeçare, djali tiranas, i quajtur Ilirjan Zike, u largua drejt Italisë për të jetuar një jetë ndryshe e për t’i bërë prindërit e tij të ndiheshin krenar për të. Provinca e Gaetës në Napoli do të ishte shtëpia e tij e parë në vendin fqinjë. Pasi ndihmohet nga disa të afërm të tij, Iliri punësohet në një familje italiane, në provincën e Formias, po në Napoli. Jeta e tij dukej sikur kishte filluar të merrte një ngjyrë shprese dhe përmirësimi, ndonëse me shumë vështirësi. Pas pak kohësh, mes Ilirit dhe njërës prej vajzave të familjes italiane lind një dashuri jo shumë larg pasionit, e cila do të mbahej e fshehtë nga pjesëtarët e tjerë të familjes. Lidhja romantike do të merrte fund pas pak kohësh, pasi zbulohet nga gjyshja e vajzës. Dashuria e dy të rinjve u konsiderua “mollë e ndaluar” për familjen e huaj, e cila e kërcënoi dhe e detyroi Ilirin të kthehej në Shqipëri. Pas disa grindjeve me familjarët e vajzës, Iliri vendos të kthehet në vendlindje me shpresën e thyer diku mes ëndërrave të tij djaloshare. Pasi kthehet, ai fillon me shumë vështirësi të gjejë drejtimin e jetës duke mos pasur më asnjë mundësi të largohej drejt Italisë. Përveç dashurisë së tij italiane, Iliri e mbajti të fshehtë për një kohë të gjatë edhe faktin se kishte lënë shtatzënë vajzën që kishte dashur, e cila së shpejti do të sillte në jetë fëmijën e tij. Prindërit e Ilirit e marrin vesh këtë të vërtetë pas shumë kohësh. Ky lajm i emocionoi të gjithë, por lumturia nuk do të zgjaste për shumë kohë ...Në moshën 31-vjeçare Iliri mësoi të vërtetën e hidhur se në trupin e tij ishin shfaqur simptomat e para të një sëmundjeje vdekjeprurëse që pak nga pak po i shkurtonte jetën. Ditët kalonin dhe sëmundja e leuçemisë po shkaktonte dëme të pariparueshme në trupin e Ilirit. Në luftën e gjatë kundër leuçemisë, Iliri kërkoi edhe ndihmë hyjnore duke filluar të shkonte shpesh në kishë me shpresën se çdo qiri që ndizte do t’i shtonte një ditë jetë. Prindërit e Ilirit kujtojnë me lot në sy fjalët e fundit që ai u kishte thënë para se të mbyllte sytë. Ai u kishte thënë që të përpiqeshin me të gjitha forcat për të gjetur vajzën e vogël, të cilën nuk e pa kurrë. Zana dhe Rakoja iu drejtuan “Njerëz të humbur” për të përmbushur amanetin e djalit të tyre, i cili u nda nga jeta vetëm para dy muajsh. Iliri u largua nga kjo jetë duke lënë gjurmën e tij më të madhe, vajzën, që nuk pati kurrë mundësi ta përkëdhelte. “Njerëz të humbur” ka arritur të zbulojë deri tani identitetin e vajzës së vogël dhe do ta mbyllë këtë rast kur t’i gjejë vogëlushen babait shqiptar, i cili donte aq shumë ta kërkonte e të jetonte me dashurinë e jetës së tij.

19 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›