Gjen. Jones, Komandant Suprem Aleat i NATO-s për Evropën: Shqipëria është në rrugë të mbarë
"Vërtet mendoj se jeni në rrugë të mbarë". Ky është vlerësimi që i bëri reformave të qeverisë shqiptare në ushtri Gjeneral James Jones, Komandant Suprem Aleat për Evropën (SACEUR), gjatë takimit me kryeministrin Sali Berisha, të dielën në mbrëmje. Gjen. Jones shprehu vlerësimin e tij pas paraqitjes së përgjithshme që z.Berisha i bëri reformave të ndërmarra nga qeveria, sidomos përsa i përket rritjes së buxhetit, reduktimit të rezervistëve, nxjerrjen nga përdorimi të avionëve të vjetër MIG si dhe respektimin e hierarkisë ushtarake. Gjen. Jones u shpreh se ndryshimet janë të vështira, por të nevojshme, duke e vënë theksin te nevoja për profesionalizimin e ushtrisë. Ai tha gjithashtu se synimet e qeverisë janë të realizueshme.
Kryeministri Berisha theksoi se në 15 vjetët e fundit, Shqipëria ka treguar se është më shumë se një aleat për NATO-n. Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë madhore që ka për vendin antarësimi në NATO, duke shprehur njëkohësisht dëshirën e qeverisë që ky antarësim të realizohet në raundin e ardhshëm të zgjerimit. Kryeministri shqiptar theksoi se qeveria është angazhuar maksimalisht dhe seriozisht për të përmbushur të gjitha standartet ushtarake dhe politike që mundësojnë antarësimin në Aleancë. Përveç masave ushtarake ai theksoi edhe standartet politike: luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformimin e institucioneve si dhe angazhimin për zgjedhje të lira e të ndershme në të ardhmen. Ai theksoi edhe vullnetin e qeverisë shiqptare për të bashkëpunuar seriozisht në luftën globale kundër terrorizmit.
Të dy palët vlerësuan bashkëpunimin e Shqipërisë në manovrat, stërvitjet dhe veprimtaritë e përbashkëta të Shqipërisë, qoftë me vendet antare të NATO-s si dhe me Maqedoninë dhe Kroacinë në Kuadër të Kartës së Adriatikut.
Komandanti i Shtabit të NATO-s në Shqipëri Gjenerali Vito Di Ventura, u shpreh nga ana e tij se masat e marra nga qeveria shqiptare janë realitet.
Duke folur për synimet e qeverisë në të ardhmen, kryeministri Berisha nënvizoi profesionalizimin e ushtrisë si një prioritet të rëndësishëm të cilit do t'i kushtohet vëmendje maksimale. Nga ana tjetër, ai theksoi edhe angazhimin e qeverisë për të përmirësuar kushtet e jetesës së ushtarakëve shqiptarë.