E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në Samitin e PPE-së, në Bruksel

Kanë përfunduar të enjten në Bruksel punimet e samitit të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të partive të qendrës së djathtë të vendeve të BE-së dhe vendeve anëtare të Partive Popullore Europiane. Gjatë këtij Samiti e ka marrë fjalën edhe kryeministri Sali Berisha, i cili ndër të tjera ka parashtruar edhe njëherë qëndrimin e qeverisë shqiptare për çështjen e Kosovës, duke theksuar se statusi i Kosovës duhet të përcaktohet në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, që janë shprehur në mënyrë të përsëritur për pavarësi dhe në bashkëpunim me Grupin e Kontaktit dhe bashkësinë ndërkombëtare, duke garantuar liritë dhe të drejtat e pakicës serbe dhe pakicave të tjera në Kosovë. Ai inkurajoi dialogun Prishtinë-Beograd për cështje që nuk lidhen me statusin, procesin e decentralizimit dhe kthimin e të zhvendosurve.

Kryeministri Berisha ka zhvilluar një sërë takimesh të shkurtra me kancelaren e re gjermane, Angela Merkel, me kancelarin austriak, W. Shusel, me Jose Manuel Barroso, Kryetar i Komisionit Evropian, me kryeministrin italian, Silvio Berluskoni dhe kryetarë të tjerë të qeverive dhe partive të djathta europiane. Gjatë këtyre takimeve kryeministri Berisha ka kërkuar mbështetjen e tyre për nënshkrimin sa më të shpejtë të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit për Shqipërinë dhe sigurimin e tërheqjes së investimeve të huaja në Shqipëri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›