Qeveria vendos ndryshimin e orarit të punës në zyrat konsullore jashtë vendit
Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën gjatë mbledhjes së radhës, disa shtesa në vendimin "Për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit në institucionet shtetërore, e ndryshuar" .
Sipas këtij vendimi, të gjitha zyrat konsullore të Shqipërisë, jashtë vendit, në mënyrë që t'u shërbejnë sa më mirë emigrantëve shqiptarë, shqiptarëve të diasporës, do të funksionojnë të hapura të premten pasdite nga ora 14:00 deri në 22:00 dhe me tetë orë të plota ditën e shtunë dhe të dielë.
Në këtë mënyrë, emigrantët do të kenë mundësinë të kryejnë procedurat, të marrin dokumentacionin që u nevojitet, pa humbur ditët e punës. Titullarët do të përshtasin të gjithë veprimtarinë e zyrave konsullore në përputhje me këtë vendim.
VENDIM
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.511, DATË 24.10.2002, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, "PËR KOHËZGJATJEN E PUNËS DHE TË PUSHIMIT NË INSTITUCIONET SHTETËRORE, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 19, shkronja "c", 20 e 29, të ligjit nr.8549, datë 11.11.1999, "Statusi i nëpunësit civil", dhe të neneve 82 e 85, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, "Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar, me propozimin e kryeministrit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Në vëndimin Nr.511, datë 24.10.2002, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhen këto shtesa:
1. Në fund të pikës 2, të kreut I, të këtij vendimi, të shtohen tre paragrafë, me këtë përmbajtje:
"Përjashtim nga zbatimi i orarit të përcaktuar më lart bëjnë përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit. Në përfaqësitë diplomatike jashtë vendit: zyra konsullore, orari i punës të jetë:
• Çdo të mërkurë, të enjte, të shtunë dhe të dielë, nga ora 9.00 deri në orën 14.00 dhe nga ora 14.30 deri në orën 17.30;
• Çdo të premte nga ora 14.00 deri në orën 22.00
Për misionet e përhershme ose speciale, pranë organizatave ndërkombëtare, të zbatohet i njëjti orar, i vendosur si për të gjithë nëpunësit ose punonjësit e tjerë në institucionet e adminitratës publike, të nivelit qendror, dhe në institucionet e tjera shtetërore, sipas kësaj pike."
2. Në fund të pikës 1, të kreut II, të shtohen tri paragrafë, me këtë përmbajtje:
"Në përfaqësitë diplomatike jashtë vendit: zyra konsullore;
• Dita e hënë dhe e martë janë pushim javor.
• Për misionet e përhershme ose speciale, pranë organizatave ndërkombëtare, si ditë pushimi javor zbatohen të njëjtat ditë të vendosura për të gjithë nëpunësit ose punonjësit e tjerë në institucionet e adminitratës publike, të nivelit qendror, dhe në institucionet e tjera shtetërore, sipas fjalisë së parë, të kësaj pike.".
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".
KRYEMINISTRI
SALI BERISHA