E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli i Ministrave miraton projektligjin "Për shpalljen e moratoriumit për mjetet motorike lundruese të Republikës së Shqipërisë".

Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën projektligjin "Për shpalljen e moratoriumit për mjetet motorike lundruese të Republikës së Shqipërisë".

Kryeministri Sali Berisha tha gjatë mbledhjes së qeverisë se skafet përbëjnë mjete të një potenciali të lartë për krimin e organizuar dhe me këtë akt merr fund njëri nga faktorët që i ka krijuar kombit drama të mëdha dhe serioze, që i ka nxirë imazhin më shumë ndoshta se çdo gjë tjetër.

"Ne nuk mund të lejojmë dhe nuk do të lejojmë që të eksportohet kriminalitet, drogë ndaj vendeve perëndimore me të cilat ne kërkojmë të integrohemi me shpejtësi", deklaroi Kryeministri Berisha.

VENDIM

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT "PËR SHPALLJEN E MORATORIUMIT PËR MJETET MOTORIKE LUNDRUESE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË"

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Propozimin e projektligjit "Për shpalljen e moratoriumit për mjetet motorike lundruese të Republikës së Shqipërisë", për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

KRYEMINISTRI

SALI BERISHA

PROJEKTLIGJ

PËR

SHPALLJEN E MORATORIUMIT PËR MJETET MOTORIKE LUNDRUESE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË"

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

VENDOSI:

Neni 1

Të gjitha lëvizjet e mjeteve motorike lundruese shqiptare në ujërat, territoriale dhe të brendshme, të Republikës së Shqipërisë, si dhe transporti i mjeteve lundruese, në rrugë tokësore, pezullohen.
Neni 2

Afati i zbatimit të këtij ligji është 3 vjet nga data e hyrjes në fuqi të tij.

Neni 3

Shkeljet e nenit 1, të këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale përbëjnë kundërvajtje administrative dhe kundërvajtësi dënohet me gjobë, në masën 800 000 – 1 000 000 lekë, dhe me konfiskim të mjetit.

Vendimi për masën administrative merret nga shefi i komisariatit të juridiksionit të konstatimit të shkeljes.

Kundër këtij vendimi, brenda 5 ditëve, bëhet ankim te drejtori i policisë së qarkut.

Neni 4

Përjashtohen nga ky moratorium:

a) Mjetet motorike lundruese, në përdorim të organeve shtetërore dhe të shërbimeve protuale.
b) Mjetet e destinuara vetëm për peshkim, sipas ligjit nr.7908, datë 5.4.1995, "Për peshkimin dhe akuakulturën", të ndryshuar.
c) Mjetet e transportit detar që shërbejnë për transportin e mallrave.
ç) Mjetet e transportit detar, të licencuara për transport pasagjerësh dhe të klasifikuara nga Regjistri Detar Shqiptar si mjete lundruese për transport udhëtarësh.

Neni 5

Ngarkohen ministri i Brendshëm dhe ministri i Mbrojtjes, që brenda 1 muaji, të nxjerrin aktet nënligjore, në zbatim të këtij ligji.

Neni 6

Ngarkohen Policia e Shtetit dhe Roja Bregdetare për zbatimin e këtij ligji.

Neni 7

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".

KRYETARI

JOZEFINA TOPALLI

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›