Gjenden gjallë 2 peshkatarët e zhdukur

Dy peshkatarët, Fatmir Ismaili dhe Gëzim Bashllari, të cilët ishin zhdukur mëngjesin e djeshëm për të peshkuar me një gomone në formë peshkarexhe janë gjetur të gjallë. Varka në të cilën udhëtonin dy shokët 25-vjeçarë është pikasur nga një kroçere turistike në Gjirin e Durrësit. Varka u gjet në kepin e Selitës. Ajo ka imbarkuar në bordin e saj dy peshkatarët dhe ka njoftuar kapitanerinë e Durrësit.
Peshkatarët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe brenda disa minutash priten të vijnë në portin e Durrësit.
Varka është gjetur në Kepin e Selitës në Gjirin e Durrësit, rreth 10 milje larg qytetit bregdetar të Durrësit. Kroçera ka njoftuar në radio Kapitanerinë e Durrësit se gjeti varkën dhe shpëtoi dy peshkatarët. Kapitaneria e Durrësit ka konfirmuar se dy personat janë peshkatarët e zhdukur prej ditës së djeshme nga bregdeti i Vlorës, por do bëhet verifikimi ligjor me të zbritur në tokë.
Kroçera "Kosta Voyage", e lica ishte duke ardhur nga Italia, po ankorohet në portin e Durrësit, shkruan shekulli.
Mësohet se në port ndodhen 2 autoambulanca dhe forca të shumta policie. Kapitaneria bën të ditur se, gjetja e dy peshkatarëve ka qenë e rastësishme dhe kroçera u ka ardhur në ndihmë dy të rinjve pasi ka dëgjuar thirrjet e dy peshkatarëve.
Në portin e Durrësit krahas familjarëve të dy 25-vjeçarëve ka mbërritur edhe ministri i Transportit, Sokol Olldashi./Indeksonline/