E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet pyetësori i Alibeaj, për raportin e sekretareve me gjyqtarët

TIRANE - "Cili është komunikimi juaj me gjyqtarin me të cilin ushtroni detyrën? Vlen ai për t'u vlerësuar? Në çfarë mase? Përcakto në përqindje. 

 Komento nëse dëshiron". Kjo është një nga pyetjet e pyetësorit që Ministria e Drejtësisë shpërndau dje për administratën e Gjykatës së Tiranës, madje i detyroi sekretaret që përgjigjet t'i jepnin para orës 13:00. Dy inspektore të Ministrisë së Drejtësisë paraditen e djeshme u shpërndanë sekretareve pyetësorin me 15 pyetje, ku pasi duhet të shënonin të dhënat personale, punonjëseve të administratës së gjyqësorit kryeqytetas u duhej t'iu përgjigjeshin pyetjeve që kishin të bënin me anën administrative të proceseve gjyqësore, bazuar kjo në informacionin e përditshëm që sekretaret i përcjellin ministrit të Drejtësisë. Pyetja: "Vlen për t'u vlerësuar gjyqtari? Në çfarë mase? Përcakto në përqindje. Komento nëse dëshiron", solli reagimin e ashpër të togave të zeza dhe sekretareve. Madje disa prej sekretareve u shprehën mesditën e djeshme në shenjë proteste se nuk dëshironin të plotësonin formularët e ministrisë pasi pyetjet ishin tendencioze. Por nuk dihet nëse ato mbajtën të njëjtin qëndrim deri në përfundim të orarit zyrtar të punës, apo më vonë iu përgjigjën pyetjeve të ministrisë. Pas mesditës dy inspektoret e ministrisë nisën mbledhjen e pyetësorëve, në fillim të të cilëve është shënuar: "Ky pyetësor shërben për të evidentuar në mënyrë individuale veprimtarinë e punës së sekretareve gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore". Në njërën nga pyetjet sekretareve u është kërkuar që të shënojnë në mënyrë të qartë dhe të detajuar në sa raste kanë ushtruar detyrën pranë gjyqtarëve të tjerë. Ndërsa në shënimin që shoqëronte këtë pyetje, specifikohej se informacioni duhej vetëm për 7 ditë të 15-ditëshit të dytë të marsit. Me sa duket vetëm informacioni i këtyre ditëve është kontrolluar nga inspektorati i ministrisë.                             fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›