E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjenden ne kutite e Tiranes 870 flete teper

Është 870 numri i fletëve të votimit të gjendura në kutitë e Tiranës më shumë se ai votuesve, numër që sipas socialistëve duhet të sjellë pavlefshmërinë e rezultatit përfundimtar të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në 23 maj.

Për rreth 5 orë e gjysmë, Kolegji Zgjedhor i kryesuar nga Dhurata Haveri, dëgjoi pretendimet e selisë rozë, Partisë Demokratike dhe KQZ-së para se të tërhiqej për të marrë një vendim për ankimimin e fundit të PS-së. Juristët e selisë rozë, mes tyre dhe deputetët Tahiri dhe Gjiknuri, ngritën pretendimin se fletët ishin futur qëllimisht gjatë numërimit për të manipuluar rezultatin, madje dhe gjatë rivlerësimit të 117 kutive, në ambientet e saj, vetë KQZ konstatoi se në këto kuti ndodheshin 129 fletë më shumë se votues.

Nga ana e tyre, Partia Demokratike dhe KQZ e justifikuan këtë mosrakordim shifrash me faktin se votuesit nuk kishin firmosur në listën e zjedhësve që të figuronin si votues, por sidoqoftë kishin hedhur votën në kuti. Madje në 2003-in, kjo shifër shkonte në 1083 fletë më shumë se zgjedhës, ndërsa në 2007-ën, 196.

Por sipas selisë blu, Kolegji nuk duhet ta marrë në shqyrtim kërkesën e PS-së pasi, nuk është ankimuar më parë në KQZ, 3 ditë pas shpalljes së rezultatit siç e parashikon kodi. Dhe si rrjedhojë, ky kapërcim hallkash është anti ligjor.  Ashtu si në të gjithë seancat e Kolegjit për Tiranën, edhe kjo fundit kishte interesin e gjerë të deputetëve juristë të të dyja partive.

Elona Gjylmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›