E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB 4.3 miliarde dollare per vaksinat e femijeve

Kombet e zhvilluara të botës kanë premtuar të japin një shifër të paprecedentë prej 4.3 miliardë dollarësh për vaksinimin e fëmijeve kundër sëmundjeve të parandalueshme si psh pneumonia. Aleanca Globale për Vaksinat dhe Imunizimin thotë se fondet për këtë vit përbëjnë një arritje të madhe që mund të shpëtojë më shumë se katër milionë jetë në katër vitet e ardhshme.

Madje, këto donacione kanë tejkaluar edhe pritjet e organizatës prej 3.7 miliardë dollarë. Britania e Madhe premtoi 1.3 miliardë dollarë, ndërsa manjati i Microsoftit, Bill Gates tha se do të japë një miliardë për fushatën. Donatorë të tjerë janë edhe Norvegjia, Suedia, Hollanda, Australia, Franca, Gjermania dhe Italia.

Kryeministri David Camerun tha se mbajtja e premtimeve përbën një çështje të fortë morale, pavarësisht situatës ekonomike në shtëpi. Ideja e fëmijëve që vdesin nga diarreja apo pneumonia, sipas tij, duhet të jetë e pamendueshme në vitin 2011.

Mbi 2 milionë fëmijë nën pesë vjeç vdesin nga pneumonia në vendet e pazhvilluara cdo vit, edhe pse ekziston një vaksinë parandaluese.  Aleanca Globale për Vaksinat është organizatë partnere me mjaft qeveri, biznese, dhe organizma ndërkombëtarë si Banka Botërore, UNICEF apo fondacioni personal i Bill Gates.

Në fund të takimit të donatorëve, ky i fundit ka falënderuar të pranishmit për kohën e kushtuar. “Katër orë janë shumë, por ato mund të shpëtojnë katër milionë jetë kështu që ia vlejnë në cdo sekondë”, tha ai.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›