Gjenden pjesë të avionit Air France mund të jetë fundosur në Oqeanin Atlantik
Një aeroplan pasagjerësh i firmës ajrore Air France me 228 njerëz në bord mendohet të jetë zhytur në Oqeanin Atlantik në një mot të keq, gjatë një udhëtimi 11 orësh nga Rio de Zhaneiro i Brazilit në Paris. Forcat ajrore braziliane kanë zbuluar ditën e djeshme disa mbeturina të këtij avioni, rreth 650 kilometra në verilindje të ishullit Fernando de Norohna, pa mundur të konfirmonin nëse bëhej fjalë për avionin Airbus A330 të zhdukur të hënën.
Autoritetet thanë se avioni me numër fluturimi 447 që ishte nisur drejt Parisit u zhduk dje në mëngjes nga radari, rreth 4 orë pasi ishte nisur nga aeroporti i Rio De Zhaneiros. Airbus më pas kaloi në një zonë me mot tropikal pranë ekuatorit ku shpesh ka turbullira dhe stuhi të fuqishme me vetëtima. Pothuajse në atë kohë, avioni transmetoi një mesazh automatik për një qark të shkurtër elektrik. Një zëdhënës i Air France tha se një kombinim rrethanash përfshirë vetëtima, mund ta kenë rrëzuar avionin. Megjithatë ekspertët e aviacionit thonë se kjo nuk mund të ketë qenë arsyeja e vetme për rrëziomin katastrofik në oqean. Presidenti francez, Nicolas Sarkozi shkoi dje në aeroportin Sharl De Gol në Paris për të qëndruar pranë familjarëve të pasagjerëve. Ai tha se mundësitë për gjetjen e personave gjallë janë shumë të vogla. Ndërsa kancelarja gjermane, Angela Merkel është shprehur e tronditur nga katastrofa e avionit të "Air France" 447 që lidhte Rio de Zhaneiron me Parisin, në bordin e të cilit ndodheshin 26 gjermanë mes 228 pasagjerëve. Si të gjithë në Gjermani, jam e tronditur nga aksidenti i avionit të "Air France" mbi oqeanin Atlantik. Kjo është një katastrofë njerëzore. Ne provojmë një trishtim të thellë për viktimat, mendimet tona shkojnë për familjet e tyre", theksoi Merkel në një komunikatë.