E Diel, 1 Nëntor 2026

Teatri Kombëtar mbyll me sukses sezonin (!?)



Petrika GROSI
“Teatri Kombëtar bën të ditur për mediet se mbylli me sukses sezonin artistik janar-korrik 2008.” Kështu nis njoftimi zyrtar që ka bërë për ditën e djeshme për shtypin institucioni kryesor i dramës dhe teatrit në vendin tonë për mbylljes e këtij sezoni. Në fakt porsa e lexon një shprehje të tillë, në mendje të shkon se mbi çfarë bazohet ky sukses që përmendet në fillim të komunikatës?! Në fakt këtë gjë ndoshta vetëm drejtori i Teatrit Kombëtar mund ta dijë pasi ne, sa i takon TK-së nuk kemi parë sukses as në drejtim të shfaqjeve artistike, as në sjelljen e risive teatrore, promovimin dhe prodhimin e talenteve të reja, dramës shqipe, apo realizimin e ndonjë platforme, kuptohet, nëse ekziston një e tillë. Duke dashur t’i shmangim komentet le t’i kthehemi mbylljes së sezonit për TK. Premiera e tragjedisë “Trojanët” e Euripidit ka qenë realizimi i fundit për TK, i paraprirë nga dy pjesë të tjera të vëna në skenë siç janë “Pamje nga ura” dhe “Franku i V”. Në TK nuk kanë munguar disa shfaqje të paraqitura si bashkëpunime me teatrot e ndryshme të rajonit si ai i Shkupit dhe Prishtinës, apo edhe me disa kompani private. Por ama këtë sezon nuk mund të thuhet siç shprehen hartuesit e analizës: “janë vënë tri shfaqe të suksesshme prodhime të këtij institucioni në skenë”, pasi nëse “Pamje nga ura” e regjisorit Albert Minga, e cila ka qenë dhe shfaqja më e ndjekur nga publiku (gjithashtu me çmime të fituara nga aktori Timo Flloko dhe regjisori) i përket si premierë fundvitit të kaluar dhe jo periudhës “janar-korrik 2008”. Ka pasur në fakt edhe disa bashkëpunime krejt spontane e pa bujë sa i takon anës mediatike me teatrot bashkiake të rretheve; Korçës, Fierit, Durrësit, etj.
Sërish komunikata na thotë se TK-ja ka suksese të tjera duke u përfaqësuar denjësisht në festivale teatrore kombëtare e duke fituar çmime prape me të njëjtat pjesë e aktorë, (Timo Flloko për Edi Karbone te “Pamje nga ura”). Është me të vërtetë për të ardhur keq që analizat vazhdojnë ende të bëhen në mënyrë të tillë, aspak profesionale, delirante dhe patetike, por nuk ka si të ndodhë ndryshe kur mungojnë strategjitë, idetë dhe kritika mbi dramën dhe teatrin shqiptar. Ndoshta në këtë pikë edhe institucioni më i lartë i menaxhimit të Kulturës që është MTKRS, duhej të ndërhynte duke bërë presion ose ndryshime në TK, në mënyrë që të përmirësohej situata, gjithsesi kjo u përket njerëzve dhe instancave të tjera që ta vendosin duke gjykuar sa më objektivisht. Shpresojmë të paktën, që edhe sezonin tjetër aktorët apo shfaqja “Pamje nga ura”, ose “Apologjia e Sokratit” bashkë me Mirush Kabashin, të vazhdojnë të marrin ndonjë çmim, brenda apo jashtë vendit në mënyrë që prapë të vazhdojnë e “t’i bien gjoksit” drejtorët e TK-së dhe të thonë se Teatri Kombëtar vazhdon të jetë i suksesshëm... E gjitha kjo tablo është sa komike, aq për të ardhur keq!

31 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›