E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aty ku serbët takohen me Kosovën e re

Praktikisht, serbët e Kosovës ende e konsiderojnë atë si pjesë të pandashme të Serbisë, por shumë prej tyre kanë rënë tashmë në kompromis me shtetin e ri

Bojkoti ndaj shtetit të ri të Kosovës erdhi më i lehtë në veri të vendit, aty ku Beogradi ende siguron shërbimet më esenciale për serbët dhe mbikëqyrja ndërkombëtare është e limituar. Por në arkipelagun e enklavave ku jetojnë shumica serbe, jeta dikton një nivel ndërveprimi me qeverinë e Kosovës. Ndaj duan, s’duan, serbët duhet të bëjnë kompromis me shtetin e ri. Ndërsa largohesh nga veriu dhe i afrohesh Prishtinës, pas gjithë makinave me targa serbe dhe dyqaneve ku paguan me dinarë, numri i madh i automjeteve me targa KS (të Kosovës) dhe dritaret e dyqaneve me etiketat e çmimeve në euro vijnë krejt pa pritur. Një kërkues serb i një organizate ndërkombëtare, i cili nuk preferoi të japë emrin, shpjegon se serbët në veri marrin çdo gjë nga Beogradi dhe shumë rrallë u duhet të përballen me policinë në rrugët në qendër apo jug të Kosovës. Serbët në Shterpcë priren të paguajnë me euro për sende si elektroshtëpiaket dhe dinarët i përdorin për dyqanin e mishit. Tregu i fruta-perimeve të qytetit është ndër rastet e rralla kur serbët dhe shqiptarët përzihen lirisht, ku shumë tregtarë shqiptarë i shesin klientëve serbë. Prishtina dhe Beogradi sigurojnë këtu pajisje shëndetësore dhe edukim në mënyrë paralele, por në këshillin bashkiak të qytetit, serbët dhe shqiptarët e gjejnë veten duke punuar së bashku mbi çështje praktike, si mbledhja e mbeturinave apo ndriçimi i rrugëve. Patrullimi i forcave të Shërbimit Policor të Kosovës përbën një tjetër zonë gri për komunitetet e ndara. Policët serbë të SHPK-së kanë refuzuar të marrin urdhra nga Prishtina që pas shpalljes së pavarësisë dhe punojnë në UNMIK, ndërsa në zona të tjera ata thjesht janë larguar. Por në Shterpcë, oficerët serbë ende marrin urdhra nga zyrat qendrore të SHPK-së në Urosevac, qytetin më të afërt shqiptar, duke argumentuar se komuniteti ka nevojë për mbrojtjen e tyre. Këtu jetojnë rreth 9 mijë serbë dhe 4500 shqiptarë. Një lektor universiteti serb, i cili gjithashtu nuk deshi të identifikohej, thotë se çdo përshtypje për një ndarje mes serbëve është e gabuar. “Serbët në veri e kanë më të thjesht t’i rezistojnë pavarësisë. Ky është ndryshimi”, - thotë ai. Por gjithsesi, pranon në mënyrë të tërthortë se ekziston një farë niveli pasiguria e banorëve ndaj politikanëve në veri, të cilët sipas tyre mendojnë vetëm për veten dhe ndaj po përkrahin ndarjen. “Në të kaluarën, disa politikanë të papërgjegjshëm në veri i kanë akuzuar serbët e jugut se po bashkëpunojnë me autoritetet e Prishtinës. Ata nuk duan ose nuk arrijnë të kuptojnë se situata në jug të lumit Ibër është krejt ndryshe”, -thotë ai. Përqendrimi i investimeve serbe në veri të Kosovës nuk ndihmon aspak për të lehtësuar frikën e serbëve të jugut se Beogradi i ka braktisur. Sllobodan Petroviç është një prej të paktëve serbë të Kosovës që shikon nga Prishtina dhe jo nga Beogradi për të ardhmen e tij. Ai është anëtar i kryesisë së kuvendit të Kosovës dhe lideri i një partie etnike serbe, megjithëse duke pasur parasysh faktin se vetëm 5 për iqnd e serbëve të Kosovës votuan në zgjedhjet e vitit të kaluar, këndvështrimi i tij nuk është edhe aq përfaqësues. Ai thotë se është një prej 200 serbëve të mbetur në Prishtinë, qytetin me 500 mijë banorë. Petroviç shprehet se e ndjen veten në zemër të shtetit të ri. Sipas tij, u takon serbëve të Kosovës të integrohen në mënyrë graduale në jetën e vendit dhe akuzon Beogradin se po i manipulon ata. Po ashtu, serbët e Kosovës nuk e përkrahin pavarësinë e saj, por gradualisht pak nga pak po përshtaten me realitetin në të cilin ndodhen.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›