Gjendet ekuipazhi i zhdukur rus
Ekuipazhi i anijes ruse “Artic Sea” të zhdukur prej disa ditësh është gjetur dhe transferuar në një anije tjetër, lajmin e ka konfirmuar ministri rus i Mbrojtjes, Anatoli Serdiukov pas përgënjeshtrimit për gjetjen e anijes që u bë një ditë më parë. “Ekuipazhi është transferuar dhe po përpiqemi të kuptojmë se çfarë ndodhi”, tha Serdikov. Anija që kishte në bord 15 marinarë rusë, ishte zhdukur disa javë më parë pas nisjes nga Finlanda me një ngarkesë druri prej rreth një milion euro, të drejtuar për në Algjeri. Rrethanat e zhdukjes kanë qenë nga më të ndryshmet mes të cilave edhe pirateria. Sipas policisë në Helsinki, për kthimin e anijes është kërkuar gjobë e madhe, rreth një milion euro.