Usain Bolt, fenomeni i 100 M rritur mes varfërisë e skllevërve
“Krenari e të qenit xhamajkan është motori ynë”. Usain Bolt tregon se nga i buron forca e vërtetë gjatë garave të tij.Xhamajka është një tokë e njerëzve të shpejtë sepse kështu e ka treguar historia, sepse kështu e ka dashur Zoti që të jetë. Usain ka lindur në 21 gusht të vitit 1986 në provincën e Trelaunit, që si kryeqytet njeh qytetin e Falmuthit, porti më i rëndësishëm mes viteve 1700 dhe 1800, aty ku shumica e anijeve evropiane zbarkonin për blerjen e skllevërve të Afrikës, aty ku më të mirët shkonin në ankand.
Bijtë e dhimbjes
“Ajo është origjina jonë, jemi bijtë e vuajtjes dhe dhimbjes”, thekson edhe Usain Bolt. Në fillimet e viteve 1800 numëroheshin më shumë se 30 mijë skllevër që punon në plantacionet e sheqerit, një numër jashtëzakonisht i madh për periudhën. Por në Trelaun, predikuesi Uilliam Knib, i cili urrente diskriminimin dhe donte që çdo njeri të ishte i lirë, mbolli farën e propagandës së tij në vitin 1832. Ajo periudhë u quajt ndryshe edhe lufta e baptistëve. Skllevërit u rebeluan, sepse mes tyre ishte shpërndarë fjala se tashmë ishin të lirë, apo më saktë ishin lënë të lirë nga padronët e tyre, ndonëse kjo risi ishte mbajtur e fshehtë nga padronët. Knib, i cili futi edhe këtë frymë te skllevërit u dënua përjetësisht dhe u burgos, pasi u dërgua në Britaninë e madhe. Shumë skllevër u varën, por gjashtë vjet më vonë, më në fund erdhi liria. Me kalimin e muajve pas kësaj periudhe, plantacionet u boshatisën pasi shumë nga punonjësit, apo skllevërit emigruan, dhe si rrjedhojë ekonomia e vendit u rrënua.
Uji i rrjedhshëm
Usain Bolt ka lindur dhe është rritur në “Shervud Kontents”, një nga qytetet e ndërtuara nga emigracioni anglez, një vend kodrinor. Shtëpia modeste e familjes Bolt është mes gjelbërimit, në një hapësirë shumë të madhe territoriale e cila nuk ka më shumë se një mijë banorë të shpërndarë në largësi mes tyre. Banorët vendas, pas triumfit të Usain Boltit në Lojërat Olimpike të Pekinit i dërguan një letër të hapur qeverisë së tyre, me anë të së cilës i kërkonin të ndërtonin dhe të asfaltonin rrugën kryesore që lidhte krahinën me kryeqytetin e Falmuthit, që edhe ata si bashkëqytetarë të Boltit të kishim mundësinë të festonin në mënyrën e duhur “fëmijën” e tyre të shpejtë. Dikush prej banorëve kishte shprehur edhe kërkesën për të sjellë ujin e rrjedhshëm në shtëpinë e tyre, banesa të cilat ishin të ndërtuara menjëherë pas përfundimit të periudhës së skllavërisë.
Usain fëmijë
Bolti ishte një fëmijë i pangopur. Babai i tij ishte shumë i shqetësuar sepse nuk dinte çfarë të bënte me të dhe ashtu siç shprehet edhe ai vetë, “do kisha qenë shumë i lumtur sikur ta lidhja pas një karrigeje”. Por me kalimin e viteve, Usain u bë një adoleshent i gjatë dhe i dobët, i cili magjepsi botën në moshën 17-vjeçare kur në garën e 400 metrave regjistroi kohën 45.53 sekonda dhe më pas realizoi gjithashtu edhe rekordin botëror për të rinj në 200 metra me kohën 19.93 sekonda. Kur arriti moshën madhore (ma-xhorene) iu desh të përballej me shumë probleme. Shpesh herë kishte probleme të mëdha, lidhur me dhimbjet në shpinë, sepse trajneri i tij në atë periudhe përdorte taktikat e gabuara. Kjo bëri që ai të ndryshonte trajner, derisa mbërriti tek Glen Mills, një rreshter i cili i vuri në rregull jetës së tij sportive dhe asaj private, dhe tani, Usain Bolt është mbreti i atletikës, falë edhe Millsit. Gjithsesi, meritën më të madhe e mban mamaja e Boltit, e cila kurrë nuk e ka ditur përveçse tani se çfarë fenomeni ka sjellë në dritë.
Bolt: Vrapoj për t’u kthyer në një legjendë
“Nuk e di se kur do të mund të thyej një rekord tjetër, por gjithçka është e mundur. Kisha ëndërruar që të shkoja përtej “murit” 9"60 dhe kur ia arrita nuk dija se çafrë të bëja, isha tejet i lumturuar”. Usain Bolt jeton natën e Berlinit edhe një ditë më pas. Ato 9 sekonda për të më shumë se të çmendura ishin një primat për t’u kthyer në një legjendë të atletikës botërore. “Nëse ndjehem si një legjendë në këtë sport? Jam duke punuar shumë për këtë gjë. Të jeni të sigurt se edhe në sezonet në vazhdim do të punoj për të thyer sërish këtë rekord”, pohon Bolt. Ndërkohë sekreti i suksesit sipas tij qëndron te 50 metrat e parë, nëse shkojnë mirë ato atëherë garën e ke në dorë. “Vura re që 50 metrat e para shkuan për mrekulli ndaj thjesht vazhdova ritmin tim për të arritur tek objektivi që i kisha vënë vetes, rekordin e ri botëror”, ka përfunduar Bolt.