E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hakmarrja e një gruaje vrau 43 gra e fëmijë

 

Tragjedia e një dasme në Kuvajt, që u mori jetën 43 personave pas zjarrit në një tendë, shumica gra e fëmijë, ishte zjarrvënie e qëllimshme për hakmarrje nga një grua e keqtrajtuar nga ish-bashkëshorti i saj, që në këtë dasmë ishte dhëndri. Kështu për inat të tij, ish-gruaja e dhëndrit, 23-vjeçare ka pranuar në polici se i ka hedhur benzinë tendës së dasmorëve për t’u hakmarrë ndaj trajtimit të keq të tij para divorcit të tyre.  Drejtori i Përgjithshëm i Departamentit të Zjarrit në Kuvajt, Jas-sem al-Mansuri, tha se 43 gra dhe fëmijë u dogjën në zjarrin e vënë të shtunën në mbrëmje në Jahra, në perëndim të Kuvajtit. 90 persona të tjerë u plagosën në flakët që përfshinë në pak minuta të gjithë tendën e rezervuar për dasmorët gra dhe fëmijë. Kjo konsiderohet nga mediat vendase si ngjarja me më shumë viktima në këtë shtet të Gjirit. Mansuri tha për mediat vendase se pjesa më madhe e trupave të viktimave janë djegur përtej identifikimit dhe ata po punojnë për të gjetur emrat përkatës të grave dhe fëmijëve. Agjencia e lajmeve, “Kuwait Times” shkroi se shumica e viktimave ishin kushërinj të njerëzve, që u vranë në një aksident të ngjashëm në Jahra vitin e kaluar, ku humbën jetën dy gra dhe dhjetëra njerëz u plagosën. Pjesa më madhe dasmave në vendin mysliman kryhen sipas traditave lokale, ku burrat festojnë më vete dhe gratë e fëmijët më vete në tenda të ndara. Mendohet se disa prej viktimave kanë vdekur pasi janë shtypur me këmbë gjatë daljes së dasmorëve nga tenda. Brenda tendës mendohet se kanë qenë rreth 180 persona në momentin e fillimit të zjarrit. Tenda nuk kishte dalje emergjence. Autoritetet kanë kritikuar ashpër masat e sigurisë në këtë tendë të përfshirë nga flakët në fare pak minuta. Rreth 20 zjarrfikëse dhe dhjetëra punonjës zjarrfikës luftuan me flakët. Emiri i Kuvajtit, Sheiku Saba al-Ahmed al-Sabah, u ka dërguar mesazh ngushëllimi familjeve të viktimave, ndërsa deputetët në Parlament kanë kërkuar hetim në lidhje me masat e sigurisë në vende publike.                     (AFP, DPA)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›