Prishtina injoron zgjedhjet serbe: Nuk janë legjitime
Zgjedhjet serbe në Kosovë kanë përfunduar pa incidente, por Qeveria në Prishtinë ka theksuar se nuk do ta njohë rezultatin e votimit të karakterizuar nga një pjesëmarrje tejet e ulët.Për herë të dytë që pas shpalljes së pavarësisë, Serbia organizoi zgjedhjet e saj për komunën e Prishtinës dhe atë të Pejës, duke nxjerrë përfaqësues të institucioneve paralele. Këto zgjedhje të jashtëzakonshme ishin përsëritje e atyre të vitit të kaluar, për shkak të "parregullsive që kishin ndodhur atëherë". Ministri i Pushtetit Lokal në Kosovë, Sadri Ferati, tha se zgjedhjet nuk do të kenë asnjë peshë politike pasi janë ilegjitime. "Këto zgjedhje janë të papranueshme për institucionet e Republikës së Kosovës dhe për partnerët ndërkombëtarë, por sipas të gjitha sondazheve dhe matjeve, edhe vet qytetarët serbë janë të pakënaqur me strukturat paralele dhe ata kanë ankesa të mëdha në këtë drejtim. Ky është një improvizim i pushtetit që mundohet ta bëjë Serbia", tha Ferati për BBC-në. "Fakti që nuk kemi ndërhyrë, nuk është pse nuk e dëshirojmë sundimin e ligjit, por kemi reaguar kështu pikërisht, duke e respektuar situatën komplekse dhe që të mos jepnim asnjë shkas për çfarëdo destabilizimi të mundshëm dhe tensione që Serbia dhe disa qarqe ekstreme i dëshirojnë", shtoi ai. Ndërkohë, Serbia i vlerëson zgjedhjet si legjitime. Oliver Ivanoviç, sekretar shteti në Ministrinë serbe për Kosovën, tha se zgjedhjet serbe janë legjitime dhe të vetmet të pranuara nga Beogradi dhe serbët e Kosovës. "Ndoshta këto zgjedhje janë të jashtëligjshme për Qeverinë e Kosovës, por për ne Qeveria që është formuar në Kosovë është e jashtëligjshme. Popullit i duhet që të ketë përfaqësues legjitimë të zgjedhur e jo të emëruar dhe kjo mund të realizohet vetëm përmes zgjedhjeve, sepse në zgjedhjet që do të organizojnë institucionet e Kosovës, serbët nuk do të dalin, atëherë e vetmja që na mbetet është të organizojmë vet zgjedhjet tona", deklaroi ai. Ivanoviç shtoi se Prishtina nuk mund të qeverisë me vendbanimet serbe. Më 15 nëntor serbët kosovarë do të jenë sërish para dilemës a t'i përgjigjen thirrjeve të Prishtinës për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të Kosovës, apo apelit të Beogradit për bojkotim të tyre. (BBC)
EULEX: Gati marrëveshja me Beogradin
Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX, mund të nënshkruajë së shpejti një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë. Përfaqësues të misionit vlerësojnë se një marrëveshje e tillë ka për synim këmbimin e informacioneve në nivelin policor. “Nëse ndodh një vrasje në Kosovë dhe nëse i dyshuari arratiset në Serbi, duhet pasur mundësi për të këmbyer informacione dhe anasjelltas. Kjo është ajo që ne synojmë. Të gjitha informacionet do t’i ndajmë edhe me Policinë e Kosovës. Krimi i organizuar, kontrabanda, kalimet e paligjshme kufitare, trafikimi i qenieve njerëzore janë çështje rajonale, që nuk kufizohen me kufijtë e ndonjë shteti dhe për t’i trajtuar me sukses, dëshmitë duhet të ndahen dhe këmbehen. Në këto fusha, EULEX-i aktualisht ka mandat ekzekutiv që t’i ndjekë kriminelët dhe t’i sjellë ata përpara drejtësisë në gjykatat e Kosovës. Këto çështje tashmë janë diskutuar me homologët tanë në Shkup, Tiranë dhe Podgoricë dhe është arritur marrëveshje preliminare për rrugën përpara”, thuhet në deklaratën e misionit të EULEX-it.