Gjendet hashash te Burgu 313
TIRANE – Teli me gjemba mbi murin rrethues të paraburgimit 313 është bërë pengesë për kalimin e një sasie narkotike në ambientet e brendshme të institucionit. Lënda narkotike ishte hedhur nga jashtë murit rrethues, me qëllim ambientet e brendshme të tij. Por lartësia e madhe e rrethimit ka bërë që “pakoja për Vitin e Ri” të ngecte në telat me gjemba dhe të mos shkonte në destinacion. Ngjarja ka vënë në alarm autoritetet e burgut, të cilat kanë vijuar me një kontroll të përgjithshëm në institucion. Gjithashtu, për ngjarjen ka nisur edhe një hetim. Behet e ditur se janë identifikuar ish përdoruesit e narkotikëve, të cilët ndodhen në 313 por ende nuk ka një të dyshuar si pritësin e drogës. Gjithashtu, i paidentifikuar mbetet edhe “dhuruesi” pasi pakoja është hedhur nga një pikë largësie jashtë rrethimit, që nuk mund të monitorohej nga kamerat vëzhguese. Ngjarja e rrallë është shënuar vetëm pak orë para ndërrimit të viteve. Ka qënë shërbimi i rojës në anën veri- lindore të paraburgimit që ka evidentuar në orët e mëngjesit të 30 dhjetorit 2009 një objekt të dyshimtë në gardhin me tela me gjëmba mbi murin rrethues të burgut. Pasi është kontrolluar nga pranë është evidentuar se bëhej fjalë për një pakëtë cigaresh të mbushur me lëndë narkotike të llojit kannabis sativa. Sipas burimeve, brenda në kuti ishin futur edhe gurëza për ti dhënë asaj peshë. Pakoja ishte mbështjellë me një qeskë plastike. Ishte mbështjellja plastike, apo mbase dhe një krah jo i fortë hedhës ç’ka ka bërë që “pakoja” të prekte te telat me gjemba të gardhit rrethues dhe të ngecte e varur aty. ar.ba