E Diel, 1 Nëntor 2026

I burgosuri: Mora pafajësi, s‘ekzekutohet Lirimi

 TIRANE – Ka marrë pafajësi më datë 27 dhjetor të vitit të kaluar por prej 10 ditësh mbahet në qeli. Lajmi është bërë me dije nga vetë i burgosuri, kryeqytetasi Edison Canaj, i cili thotë se ka fituar pafajësinë më datë 27 dhjetor nga Gjykata e Tiranës, por që ende nuk ka mundur të dalë jashtë qelive. Shkak për këtë është bërë një tjetër vendim dënimi me tre muaj burg për dezertim nga ushtria, në bazë të të cilit ishte arrestuar tre vjet më parë. Pas mbylljes në qeli, ai u akuzua për tentativën e vrasjes së një polici në lagjen Kombinat, vepër për të cilën u dënua me 5 vjet burg, por që vendimi i’u prish dhe i’u dha pafajësia. Duke pretenduar se ka kryer tre vite burg të padrejta, Canaj ka kërkuar lirinë, ndërsa autoritetet e burgut kanë pohuar se duhet të vuajë edhe tre muaj dënim që ka marrë në vitin 2008. I burgosuri që aktualisht ndodhet në qelitë e burgut të Fushë-Krujës pohon se gjatë këtyre ditëve nuk e kanë njohur me ndonjë vendim të prokurorisë për ekzekutimin e dënimit penal.                                  fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›