Normaliteti i Emergjencave
Ervin Bushati Qeveria jonë e sheh veten shpesh në emergjenca, dhe gjithmonë të papërgatitur. Jemi dëshmimtarë, më shpesh se sa do të dëshironim, të fenomeneve të dëmshme për ekonominë familjare dhe sigurinë e jetës së qytetarëve të pambrojtur nga ata të zgjedhur për të përmbushur këtë mision. Sot, të gjithë si qytetarë të këtij vendi jemi të mësuar me normalitetin e emergjencave: dhe kjo nuk është “normale”. Kosto financiare e përmbytjeve të fundit ka pak gjasa të bëhet trasparente, njësoj si me ato të tragjedisë së Gërdecit, apo të shembjeve dhe përmbytjeve të ndryshme që ndodhin rëndom në vendin tonë. Si gjithmonë, ato etiketohen “fatkeqësi” ose “emergjenca” nga shteti ynë që duhet të punojë për parandalimin dhe ruajtjen nga fenomene të dëmshme ndaj populatës, qoftë ato natyrore apo dhe të provokuara nga njerëzit. Shteti do të na paraqesë në fund të situatës së emergjencës një vetëm një fraksion të faturës financiare, por jo koston e vërtetë ekonomike të kësaj tragjedie me permasa kombëtare. Demi i shkaktuar i kalon ato të paraqitura në faturën financiare, ofruar nga shteti pas një inspektimi një javor, thjesht si shtëpi dhe orendi të dëmtuara, fusha të përmbytura, të mbjella të munguara apo dhe disa krerë bagëti të zhdukura. Shteti ynë përsëri duket i paaftë dhe i papërgjegjshëm për të kuptuar shkallën e rëndë të dëmit të shkaktuar në ekonomi, prandaj dhe nuk mund të përballojë situatën ashtu si nuk mundi ta parandalojë atë. Nuk ka të bëjë kjo as me natyrën e as me reshje të papritura; se natyra prandaj është burim i të mirave, ashtu si është dhe i sfidave që duhen kontrolluar në të dy rastet për mirë apo për keq.Si fillim, shteti harron të llogarisë si pjesë të faturës financiare të përmbytjeve në vend: prodhimet bujqësore dhe bagëtinë e zhdukur, kostot e rehabilitimit të infrastrukturës së dëmtuar, kapitalet e biznesit të shkatërruar, operacionet e shpëtimit e mjekimit që vazhdojnë, kostot e rehabilitimit të zonës e mjedisit në të ardhmen etj.Së dyti, shteti lë fare pa përmendur kostot ekonomike, që janë të tjera dhe më të rënda se ato financiare. Viktima të papërgjegjësisë së shtetit tonë janë sot, por me ndikim të fortë në ekonomi në të ardhmen: jetë njerëzish të humbura, trauma psikologjike dhe sociale, punësimi në zonën e dëmtuar dhe më gjerë, aktivitet ekonomik i munguar, investime vendase dhe të huaja, pasiguri ekonomike dhe psikologjike në të ardhmen etj. Kostot ekonomike janë pasojë direkte e pasigurisë, e aktivitetit të pakryer parandalues që duhet dhe në këtë rast të paguajë tregu shqiptar. Ashtu si do duhet të mbajë dhe peshën financiare xhepi i çdo shqiptari për të riparuar dëmet e përmbytjeve, një tragjedi e paralajmëruar me kohë dhe sa herë që ne si popull jetojmë nën pasigurinë dhe mëshirën e agjentëve natyrorë. Efekti i përmbytjeve në vend është një shock i vërtetë për ekonominë tashmë të traumatizuar shqiptare; një ‘përmbytje masive’ që akoma nuk e ka marrë formën e vet të plotë. Sot, çdo lekë tashmë i dëmtuar dhe shpenzuar, prej papërgjegjësisë për të parandaluar dëmet dhe përmbytjet nga moti, është pasuri kombëtare dhe pronë e çdo shqiptari. Në të ardhmen, pasojat do të jenë rritje ekonomike e frenuar dhe çmime më të larta, shkaktuar nga një treg i deformuar dhe abuzuar prej instancave më të larta të shtetit.Para dy dekadash çuditshëm me tragjeditë njerëzore që ndiqnin fenomenet e përsëritura natyrore në Indi a Afrikë: sot jo më. Kjo tregon pafuqinë e dukshme të shtetit tonë për të përmbushur një detyrë as të re dhe as të pamundur, sepse e ka pas kryer më me efikasitet atë në kohën e diktaturës. Emergjencat dhe gjendje të jashtëzakonshme janë kthyer tanimë në një fenomen të zakonshëm. Ky është problemi i vërtetë ekonomik dhe social i keqmenaxhimit qeverisës. Sot të gjithë në shpresojmë të kemi “një natyrë me rregullator”, që nuk vepron më “natyrshëm”. E shpresojmë, sepse nuk duam shumë shira në dhjetor; ashtu si nuk do të duam shumë borë në janar; ashtu si nuk duam shumë vapë në verë, apo shumë fenomene natyrore që na bëjnë të ndihemi të prekshëm nga forcat e natyrës. Dhe kjo të bën të ndihesh keq.