E Diel, 1 Nëntor 2026

2010- vit i bursës shqiptare?

Uk Lushi* 2009 ishte viti kur kapitalizmi nuk u dorëzua. Në vend të kapitullimit, ai vendosi të reformohet dhe t’i përshtatet kushteve të reja. Por, përkundër entuziazmit të mundshëm, më e keqja nuk ka kaluar krejt akoma Viti i Ri 2010 nuk do të jetë vit i festimeve sepse për shkak të djegies së buzëve prej qumështit të nxehtë të dështimeve financiare të viteve 2008 dhe 2009, me 2010 do t’i fryhet edhe kosit. çfarë pritet të ndodhë dhe cili do të jetë fati i ekonomisë dhe financave në botë dhe vendet ku jetojnë shqiptarët me 2010?Lokomotivat e ekonomisë globale, Amerika dhe Evropa, do të vazhdojnë rrugëtimin drejt stabilizimit. Sipas konsensusit të prognozuesve nga banka të ndryshme globale, në vitin 2010, SHBA-ja dhe vendet evropiane pritet të përjetojnë rritje të GDP-së rreth 3 për qind. Megjithatë, viti 2010 do të jetë edhe vit kur qeverive amerikane dhe evropiane do t’u duhet të përballen me dy probleme shumë të mëdha, që quhen deficite të thella buxhetore dhe papunësi e lartë.Në anën e botës ku lind dielli, Japonia pritet të vazhdojë ecjen e saj prej somnabuli dhe kompanitë eksportuese të saj, si fjala bie Toyota dhe Panasonic, do të kenë telashe me shitjet për shkak të kërkesës së dobësuar nga konsumatorët në SHBA dhe Evropë. Një problem tjetër i Japonisë do të jetë monedha yen, e cila momentalisht është në nivelin më të lartë në 14 vitet e fundit përkundrejt dollarit amerikan. Përndryshe, ekonomitë e tjera të Lindjes së Largët dhe Pacifikut, edhe me 2010 pritet të korrin rritje dhe suksese dhe nuk do të ndërpresin marshin e zhvendosjes së ekuilibrit të fuqisë ekonomike planetare drejt Azisë, më saktësisht drejt Kinës dhe Indisë.Sidoqoftë, ngritja dhe ndihma më e madhe për ekonominë botërore në vitin 2010 duket që do të vijë nga vendet e Amerikës Latine. P.sh. indeksi i bursës së Brazilit, BOVESPA, gjatë vitit 2009 është rritur mbi 80 për qind. Kjo ka ndodhur për shkak të menaxhimit vizionar të ekonomisë, kërkesës së lartë të brendshme, bursave moderne braziliane dhe rritjes së çmimeve të naftës, metaleve dhe drithërave- me të cilat Brazili është shumë i pasur. Ekonomia braziliane, që prej vitit 2003 kur udhëheqjen e Brazilit e mori Presidenti Luiz Inacio Lula Da Silva, është zgjeruar mesatarisht 4.1 për qind për çdo vit.Porse, Amerika Latine ofron edhe shembullin se si nuk duhet të udhëhiqet, siç është rasti me Argjentinën dhe Kryetaren- Cristina Fernandez de Kirchner. Popullariteti i saj ka zbritur në nivelin e turpshëm prej 20 për qind. Natyrisht që ka arsye të thella për këtë rënie të lirë të dashurisë për de Kirchner. Me 2009 ajo konfiskoi 24 miliardë dollarë të fondeve pensionale, shtetëzoi një ndër kompanitë ajrore kryesore dhe vendosi taksë prej 35 për qind për farmerët që donin të eksportonin sojën e tyre jashtë shtetit. Nën menaxhmentin e saj, investitorët dhe zhvillimi ekonomik kanë shmangur Argjentinën sikur murtajën. Si rezultat i këtij keqmenaxhimi dhe rrudhjes ekonomike të vendit të saj, askush nuk do të duhej të habitej poqese me 2010 de Kirchner do të rrëzohet nga pushteti.Ku qëndrojmë ne- shqiptarët- në arenën e ekonomisë botërore? Mund të thuhet që kriza e fundit e viteve 2008-2009 na ka kursyer pakëz më tepër se shumë të tjerë, porse kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të superstrukturës së pazhvilluar financiare dhe bazës primitive të ekonomive të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Pra për shkak të faktorëve jashtë aftësive tona menaxhuese, administrative dhe qeverisëse. Mirëpo gjërat do të ndryshojnë nëpër tërë sistemin ekonomik botëror gjatë Vitit të Ri. Me 2010 menaxhimi i dobët ekonomik nuk do të mund të fshihet më sepse do të ballafaqohet me konkurrencën e ekonomive që po këndellen.Shqiptarët nevojisim urgjentisht që jo më larg se 2010 të përfundojmë fazën e tranzicionit. Një punë që nuk mundemi ta shtyjmë më tutje pas vitit 2010 është etablimi i bursës së parë shqiptare. Vështirë për ta besuar, për e vërtetë: sot nuk ka vend në Ballkan që nuk ka bursë, përveç Shqipërisë dhe Kosovës. Ne jemi kombi i vetëm në Ballkan që nuk kemi tregje formale të kapitalit dhe titujve financiarë- bile edhe entiteti serb në Bosnje, që nuk është shtet- Republika Srpska- e ka bursën e vet në Banjallukë.Kanë kaluar 19 vjet nga përmbysja e komunizmit dhe edhe pse Republika e Shqipërisë ka përpunuar legjislacionin e bursës dhe tregjeve themelore financiare, përpos ankandeve për bonot e thesarit të aranzhuara nga qeveria, në bursën e Tiranës nuk ka të listuar asnjë kompani dhe nuk tregtohen aksione, bono të korporatave apo letra të tjera me vlerë. Në anën tjetër, Republika e Kosovës, pas çlirimit nga okupacioni serb dhe përkundër prezencës së qindra ekspertëve ndërkombëtarë për më shumë se dhjetë vite në Prishtinë, ende nuk ka nisur as draftimin e legjislacionit për tregje të kapitalit. Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës do të duhej të konsideronin versionin e përvetësimit të legjislacionit shqiptar dhe nuk do të duhej të hezitojnë të marrin edhe nga përvojat e Maqedonisë, Malit të Zi dhe vendeve të tjera. Shikuar nga perspektiva e efiçiencës ekonomike, Shqipëria dhe Kosova, në fakt, do të tregonin mençuri nëse gjatë vitit 2010 bashkëpunojnë ngushtë dhe eventualisht krijojnë një bursë të vetme të përbashkët - le të themi në Prizren. Kjo është e mundur sepse bursa mund të jetë në pronësi publike, private apo publiko-private dhe lokacioni fizik nuk luan rol të rëndësishëm. Për më mirë- një bursë për dy vende do të ishte në harmoni me integrimet dhe reformat e sistemit global ekonomiko-financiar dhe do të lejonte dy shtetet të përgatisin kuadër më të kualifikuar për mirëvajtje të proceseve dhe tregtimit më shpejt dhe në mënyrë efektive të formojnë mekanizmat si Komisioni i Bursës dhe Titujve Financiarë, që do të mbikëqyrte tregtimin dhe mbarëvajtjen e bursës dhe tregjeve të kapitalit në të dy republikat- asaj të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Ekspertët dhe profesionistët shqiptarë, të cilët punojnë nëpër bursa të njohura në Amerikë dhe Evropë, sigurisht që nuk do të ngurrojnë të mbështesin Atdheun e tyre në këtë ndërmarrje të rëndësishme.Po të kishim pasur tregje kapitali dhe bursa, procesi i privatizimit në trojet tona në Ballkan do të kishte qenë vërtetë transparent dhe jashtëzakonisht më i suksesshëm se sa ka qenë prej kur shqiptarët rrëzuan sistemin monist dhe ekonominë e komanduar në të gjitha anët e kufijve të tyre. Jemi vonë dhe çdo vonesë e re do të jetë goditje e rëndë për integrimet tona në tregjet rajonale, evropiane dhe globale. Nuk duhet të vajtohet, por duhet të punohet. Nuk ka më shfajësime. Kur jemi prapa dhe të tjerët kanë komoditetin të ecin, ne duhet të vrapojmë. Aksesi në burime dhe menaxhim të kapitalit është vendimtar lidhur me të ardhmen, zhvillimin ekonomik dhe pavarësinë e një vendi apo populli.Qeveritarët e kombit shqiptar me 2010 duhet ta kuptojnë se të përqafosh dhe të modernizosh ekonominë e tregut pa tregje kapitali dhe bursë, është sikur të mendosh që do të fluturosh pa krahë dhe do të fitosh një garë fluturimi kundër atyre që kanë helikopterë dhe aeroplanë. Në këtë ndërlidhje, në shtetet e tjera me shqiptarë në regjion, si në Maqedoni dhe Mal të Zi, të rinjtë dhe profesionistët shqiptarë do të duhej të inkuadrohen dhe të stërviten në zejen e investimit dhe tregtimit në bursat e Shkupit, Podgoricës dhe qyteteve të tjera regjionale.Ndërrimi i moteve është moment i mrekullueshëm për të shprehur dëshirimet dhe nevojat, por edhe për të planifikuar. Sistemi ekonomiko-financiar global është duke ndryshuar. Ata - që nuk do të jenë gati kur treni të ketë lënë stacionin në vitin 2010 - do të detyrohen të paguajnë për mosveprim. Pasojave të ndryshimeve, si të mira ashtu edhe të këqija, nuk do të mund t’u ikin as shqiptarët në Ballkan. Le të urojmë që viti 2010 do të jetë vit i kthesës së ekonomisë botërore dhe shqiptare - viti i bursës së parë shqiptare. Gëzuar!*Uk Lushi është ekspert i ekonomisë dhe financave në New York.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›