Grabitësit plagosin adoleshentin
TIRANE - Një adoleshent nga kryeqyteti ra pre e dhunës së tre personave, të cilët i grabitën celularin dixhital tip “Iphone” tek rruga e Durrësit. Rezistenca e 18-vjeçarit ndaj tre të rinjve hajdutë që e kanë sulmuar, i ka kushtuar dy plagë thike në bark ndërsa i dëmtuari tashmë ndodhet i plagosur në Spitalin Ushtarak, jashtë rrezikut për jetën. Tre autorët kanë arritur të grabisin celularin dhe janë nisur të largohen me shpejtësi, por brenda pak minutave janë arrestuar nga forcat e policisë së Komisariatit Nr.3. Burime nga policia thanë se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së martës, tek rruga e Durrësit në kryeqytet. Adoleshenti, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, është sulmuar nga dy 21-vjeçarë, Arlind Muça dhe Vaim Tanushi, ndërsa një person i tretë, Hafiz Daci, 22 vjeç, ka qëndruar disi në distancë për të mbajtur situatën në kontroll. Pasi e kanë rrahur dhe e kanë goditur me thikë, i kanë marrë celularin dhe më pas janë larguar me shpëjtësi në drejtim të rrugës “Mine Peza”. Vetëm disa minuta pasi 18-vjeçari ka kërkuar ndihmën e policisë dhe është dërguar për ndihmë mjekësore në spital, policia ka bërë të mundur arrestimin e tre autorëve të dyshuar të ngjarjes. Policia bëri të ditur se Arlind Muça dhe Vaim Tanushi janë arrestuar për plagosjen dhe vjedhjen e adoleshentit, ndërsa Hafiz Daci, u arrestua pasi nga veprimet hetimore të kryera, rezultoi të ketë qenë së bashku me dy miqte e tij, ndërsa ka deklaruar se nuk ka dijeni për ngjarjen, duke mos kallëzuar krimin. e.d