E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet i vdekur ish-gazetari i “News of the World”

Nga Express më 19 korrik 2011 në ora 12:10

Një ish-gazetar i “News of the World”, që bëri deklaratat e para për përgjimet telefonike të gazetës, është gjetur i vdekur.

Sean Hoare i kishte thënë “New York Times” se praktika ishte shumë më e gjerë nga sa thuhej, kur policia nisi për herë të parë hetimet mbi këtë çështje.

Policia ka deklaruar se trupi i gazetarit u gjet në një pronë në Lengli Road, në Watford.

Një zëdhënës i policisë ka bërë të ditur se rrethanat e vdekjes janë ende të paqarta.
“Në orën 10:40 të ditës, policia u thirr në Lengli Road, pas shqetësimeve për shëndetin e një personi që jeton në një nga shtëpitë e rrugës”, ka deklaruar zëdhënësi.

“Pasi policia dhe ambulanca arritën në vendngjarje, u gjet edhe trupi i personit. Ai u shpall i vdekur në vendin ku u gjet vetëm pak minuta më vonë”, ka shtuar ai.

Hoare kishte deklaruar për BBC se përgjimi i telefonave ishte një fenomen “endemik” në redaksinë e “News of the World”.

Ai kishte thënë gjithashtu se redaktori i dikurshëm, Andy Coulson, i kishte kërkuar atij që të përgjonte telefonat, gjë të cilën Coulson e ka mohuar.

Në ndërkohë, kryeministri britanik, David Cameron, do të kthehet më herët nga vizita e tij në Afrikë, për shkak të skandalit të përgjimeve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›