Tendosen edhe më shumë marrëdhëniet SHBA-Pakistan
Mosmarrëveshjet mes qeverive miqësore zakonisht ndodhin privatisht dhe minimizohen në sytë e publikut. Kështu që vendimi i administratës së presidentit Barack Obama, për të pezulluar gati 800 milionë dollarë ndihma ushtarake, është një shfaqje e pazakontë e pakënaqësisë diplomatike të Washingtonit me Islamabadin.
Ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit, Daniel Markey, tani ekspert në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, thotë se kjo lëvizje pasqyron një trajektore të tatëpjetë në marrëdhëniet SHBA-Pakistan.
"Është padyshim një shenjë që tregon se marrëdhëniet po përkeqësohen dhe mendoj se është shtim i trysnisë nga Washingtoni. Por nuk mendoj se është një trysni në nivel të mjaftueshëm për të sjell një pikë kthese. Kjo tregon në fakt më shumë se çdo gjë tjetër një nivel nervozizmi dhe acarimi, që mund të çojë në përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve", tha Markey.
Ndihma amerikane për Pakistanin vitin e kaluar arriti në gati 4.5 miliardë dollarë, gjysma e së cilës shkoi për ushtrinë.
Markey thotë se administrata ndoshta veproi në pritje të ndonjë lëvizjeje nga Kongresi, ku janë shtuar zërat për shkurtimin e ndihmës për Pakistanin.