Gjendet i vdekur shefi i Financës së Paraburgimit të Tropojës
Tiranë-Mëngjesin e sotëm është gjetur pa jetë drejtori i Financës së Paraburgimit të komisariatit të Tropojës, Hysen Haxhiu. Shefi i Financës është gjendur i vdekur pranë stacionit të trenit në Tiranë, në rrethana ende të pasqaruara. Trupi i pajetë i 45-vjeçarit është parë nga kalimtarë të rastësishëm, që kanë kaluar në orët e para të mëngjesit pranë stacionit të trenit në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare, kalimtarët sapo kanë parë kufomën kanë njoftuar policinë, e cila ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes. Ekspertët e policisë kanë konstatuar se trupi ishte pa jetë dhe kështu e kanë nisur në drejtim të morgut pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Tiranë për të kryer procedurat e nevojshme. Kufoma do t’i nënshtrohet ekspertizës, për të përcaktuar në këtë mënyrë shkaqet që kanë sjellë vdekjen e 45-vjeçarit Haxhiu. Ndërkohë është ngritur një grup special, që po merret me hetimin e ngjarjes. Të dhënat e para flasin për një vdekje në mënyrë aksidentale, por gjithsesi kjo nuk është përfundimtare. “Do të priten përgjigjet e ekspertizës mjeko-ligjore. Është ajo që do të thotë fjalën e fundit rreth shkaqeve të vdekjes”- bënë me dije burime nga grupi hetimor. Policia është duke punuar edhe në pista të tjera, mes të cilave nuk përjashtohet edhe një vrasje e mundshme.