E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet i vetëvarur në pyll adoleshenti 16-vjeçar

Ditën e djeshme janë shënuar tre vetëflijime në Korçë, Elbasan dhe Librazhd. Shkak i tyre mendohet të jetë depresioni

Një 16-vjeçar nga një fshat i Korçës është gjetur i vetëvaruar nga familjarët e tij, të cilët 24 orë më parë e kishin deklaruar të zhdukur. Adoleshenti nga një fshat i thellë malor në rrethin e Korçës ka vendosur t’i japë fund jetës duke u vetëvarur në litar, ndërsa arsyet e këtij akti mbeten të panjohura si për familjarët ashtu dhe për hetimet e policisë.

Sipas hetimeve të deritanishme të bluve, mësohet se ngjarja e rëndë është regjistruar në fshatin Gopesh të komunës Moglicë në Korçë. 16-vjeçari me inicialet R.C. është larguar pa adresë nga banesa 24 orë më parë dhe vetëm pas kërkimeve të shumta të të afërmve të tij ai është gjetur i vetëvarur në një banesë të braktisur në fshat. Policia bën me dije se trupi i pajetë i adoleshentit nuk ka patur shenja dhune, por dyshohet që një moment i rënduar psikologjik pas ndonjë grindjeje të çastit ta ketë çuar viktimën drejt këtij akti. Ndërkohë ditën e djeshme janë marrë në pyetje dhe familjarët e viktimës, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë vënë re ndonjë problem tek i afërmi i tyre. Një nga shkaqet që mendohet se kanë shtyrë adoleshentit drejt këtij akti mund të ketë qenë situata e rënduar ekonomike në të cilët jetonte familja e tij. Ndërsa hetuesit kanë deklaruar se do të merren në pyetje edhe shokët e viktimës, pasi mendohet se ai ka pasur një zënkë me njërin prej tyre dhe në gjendje depresioni ka vendosur të vetësakrifikohet. Që nga fillimi i këtij viti në zonën e Korçës janë shënuar 26 raste të vetëflijimeve.

Elbasan

Ditën e djeshme në qarkun e Elbasanit janë shënuar dy raste të vetëflijimeve të ndodhura në rrethana të ndryshme. Në orët e para të mëngjesit në lagjen “Shën Koll” të Elbasanit, Ermir Dyrmishi, 35 vjeç, me banim në këtë lagje, është hedhur nga kati i katërt i apartamentit të pallatit ku banonte e ka gjetur vdekjen e menjëhershme për shkak të politraumës. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar policia dhe ekspertët të cilët konstatuan se viktima është vetëhedhur nga lartësia në kushtet e gjendjes së rënduar nervore. Sipas të dhënave, 35-vjeçari vuante prej kohësh nga sëmundje mendore dhe trajtohej edhe me ilaçe. Ndërsa në mesditën e djeshme në fshatin Katjel të komunës Rrajcë në Librazhd është gjendur i vetëvarur me litar në afërsi të banesës së tij Bedri Gurra, 55 vjeç. Sipas të dhënave, i ndjeri është gjetur i vetëvarur nga kunati, i cili ka njoftuar policinë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar ekspertët dhe policia. 55-vjeçari rezulton i martuar dhe me fëmijë. Ende nuk janë përcaktuat shkaqet që e detyruan atë të ndërmerrte hapin fatal. Një nga pistat e hetimit është edhe gjendja e vështirë ekonomike e të ndjerit. Për të dy rastet prokuroria ka ngritur veprën penale të ‘Shkaktimit të vetëvrasjes”. I.V/ F.S.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›