E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënshkruhet marrëveshja, merr fund greva e minatorëve

ACR pranon disa nga kushtet e minatorëve, ndërkohë që nuk janë diskutuar paga për muajt e grevës si dhe heqjen e drejtorit

BULQIZË ACR ka deklaruar se është arritur marrëveshje me minatorët, ndërsa sot pritet që minatorët e ngujuar në një lokal të marrë me qira të lënë përfundimisht grevën. Në një njoftim për shtyp të kësaj kompanie thuhet se “ACR, siç ka premtuar gjatë gjithë kësaj kohe, do të rrisë pagat e punëtorëve me 20%, do përmirësojë kushtet e punës, dhe do të sigurojë transparencë të plotë për investimet në minierë. Gjithashtu, për të treguar mirëbesimin e saj dhe për të ndihmuar minatorët të përballojnë gjendjen e vështirë financiare në të cilën ndodhen, ACR do të paguajë 22 ditë të lejes së zakonshme dhe do të japë pagën e 13-të. Marrëveshja u nënshkrua nga Kreu i Federatës Sindikale të Punëtorëve Industrialistë, Taf Koleci”.

Ndërkohë rreth orës 09.00 të ditë së sotme grevistët e urisë pritet të dalin nga mjedisi ku janë ngujuar dhe do të shkojnë në shtëpitë e tyre. Palët kanë debatuar gjatë ditës në distancë në lidhje me rifillimin e punës në minierë nga një numër i konsiderueshëm minatorësh. ACR, zyrtarët e saj lokalë, thanë se kanë rifilluar punën 80 minatorë, përveç afro 100 mirëmbajtësve që nuk e kanë ndalur punën as gjatë ditëve të protestave, ndërsa këshilli sindikal pretendon se kanë rifilluar punën 18 veta, pa lejen e komisionit të grevës dhe protestës.

Pikat e panegociueshme

Ndërkohë dy pika të kërkuara nga minatorët nuk do të realizohen. Drejtori i minierës, Medat Zogu, nuk do të shkarkohet, ndërsa pagesa për tre muajt e protestës nuk do të realizohet tërësisht. ACR deklaron se do të paguajë 22 ditë nga 90 gjithsej, ndërsa Koleci shprehet se do të paguhen dy muaj dhe muaji i tretë do të negociohet. “Fillimisht do të paguhen dy muaj të protestës, ndërsa muaji i tretë do të paguhet në një moment tjetër”-tha Taf Koleci për gazetën “Mapo”. Ai shtoi se nuk është e vërtetë të kenë nisur punën në minierë 80 minatorë, por vetëm 18 prej tyre, kryesisht në repartet e mirëmbajtjes. Ndërsa autoritetet e ACR-së për Bulqizën pohuan se dje minatorët që nisën punën kanë nxjerrë nga nëntoka disa vagonë me krom, të parët pas 4 korrikut të këtij viti. “Shumica e kërkesave tona, janë plotësuar. Pagat do të rriten 20 për qind. Kompania premton të kryejë investime të rëndësishme në thellësinë e minierës. Po ashtu kushtet e punës do të përmirësohen ndjeshëm. Çështja e drejtorit të minierës do të tolerohet për një muaj, pasi ai do të jetë në provë nga ACR. Nëse ndërton marrëdhënie të mira me minatorët, ai do të qëndrojë në detyrë, nëse jo, atëherë gjithçka do të ndryshojë” - nënvizoi Koleci. Sipas tij, konsiderohet sukses që minatorët do të paguhen për dy muaj të grevës, ndërsa muaji i tretë do të jepet në një moment të dytë. Dje greva e minatorëve konsiderohet e thyer. Një numër i tyre i janë rikthyer punës pa lejen e këshillit sindikal. Që puna ka nisur në minierë, pranohet edhe nga këshilli sindikal. ACR dhe sindikalistët ndahen te numri i minatorëve të “pabindur”, por thonë se marrëveshja mes minatorëve dhe ACR është nënshkruar mbrëmë.

Megjithëse palët nënshkruan një marrëveshje pas tre muajsh përplasje, burime të rezervuara informacioni thonë se firma koncesionare i trembet ndonjë lëvizjeje të fshehtë të sindikalistëve. “Kemi frikë se këshilli sindikal do të pranojë formalisht fillimin e punës në minierë, por elementë ekstremistë të saj do të sajojnë ndonjë tjetër grevë urie në thellësi të minierës. Atëherë gjithçka do të nisë nga e para dhe gjendja do të agravojë për keq” - tha një zyrtar i ACR-së, që nuk pranoi të identifikohet.

PAJTIM HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›