Gjendet i vrarë tek Ura e Zogut emigranti
Trupi i pajetë i një të riu është gjetur dje në mëngjes nga disa kalimtarë të rastit, pranë Urës së Zogut, në afërsi të Milotit. Banorët e zonës kanë lajmëruar policinë herët në mëngjes për një trup të pajetë që ndodhej në këmbët e urës dhe menjëherë në vend kanë shkuar ekspertë të Drejtorisë së Policisë së Lezhës. Nga hetimet e para është konkluduar se bëhet fjalë për një vrasje. Ekspertët thanë se viktima është qëlluar me katër plumba në trup dhe ky ka qenë shkaku i vdekjes. Identifikimi i kufomës është bërë vetëm disa orë pas gjetjes dhe ka rezultuar se bëhet fjalë për 29-vjeçarin Osman Berberi, lindur në Gramsh dhe banues në Kodër Kamëz, në Tiranë. Nëna e tij kishte bërë një denoncim për zhdukje përpara pesë ditësh, kohë kur mendohet se ka ndodhur edhe vrasja e të riut, i cili ishte i martuar dhe baba i një fëmijë. Burimet policore saktësuan gjithashtu se 29-vjeçari jetonte prej kohësh në Greqi si emigrant i ligjshëm dhe ishte kthyer në Shqipëri përpara një muaji. Pas identifikimit, me hetimin e çështjes është marrë policia e Tiranës, e cila ka tërhequr edhe trupin e pajetë për t‘i bërë ekspertizën mjekoligjore. Nga kjo ekspertizë rezultoi se vrasja nuk ka ndodhur në vendin ku u gjet trupi, por vrasësit, që mendohet të jenë dy persona, e kanë transportuar trupin aty dhe janë munduar të inskenojnë një vrasje në atë vend.