E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imazhi i ri i Kosovës

Kosova po sfidohet në impakt me një mori problemesh në të gjitha sferat e jetës, që drejtpërdrejt ndikojnë në krijimin e një atmosfere të zymtë dhe jo shpresëlënëse për komunitetin që jeton në këtë vend dhe të ardhmen e tij. Gjendja e tillë konsiston në një amulli të përcjellë me rrjedhën e ngjarjeve që kanë ndodhur e po vazhdojnë të jenë prezente prej një vargu motivesh të ulëta, duke i vënë në pah qëndrimet jo reale ndaj popullit dardan. Kjo situatë e rëndë është pasojë e luhatjeve nga individët vendorë dhe një qëndrimi jo korrekt nga bashkësia ndërkombëtare, që po reflektojnë një stabilitet të brishtë dhe një të ardhme të turbullt. Kjo bën që të mos ndihemi komod me një trajtim tashmë të ri për shtetin kosovar (me një imazh të ri për Kosovën pa shenja identifikuese historike) dhe kur në një ditë të afërme të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian, të mos mund të identifikojmë lashtësinë, përpjekjet për liri dhe traditat e prejardhjen tonë shekullore. Këto përpjekje u bënë nëpërmjet hartimit të një plani për të cilin populli kosovar nuk u është mirënjohës (as ndërkombëtarëve e aq më pak vendorëve), për simbolet e Kosovës: himnin dhe flamurin - simboleve të shtetit të ri (New Born) që lindi i sanksionuar prej gjendjes shpirtërore. Ne jemi përkrahës të Bashkësisë Ndërkombëtare, por jo të humbim atë që është identifikuese për popullin tonë të lashtë dhe përpjekjeve të vazhdueshme që u bënë për krijimin e imazhit të një komuniteti që ka vlera kulturore e njerëzore.

Simbolet shtetërore "Himni dhe Flamuri" sikurse në çdo vend tjetër përfaqësojnë simbolet e një shteti dhe traditave të tyre e këto te ne u bënë kundër dëshirës së gjeneratave që dhanë shumë për një ditë kur do të mund të ishin ballëhapur. Përshtypja e sotme për këto simbole shtetërore nuk është lehtë e pranueshme për një popull që ka kaluar nëpër një histori të dhimbshme dhe tani të bie pre e tekave të disa individëve se vetëm ata duhet të jenë përcaktuesit e fatit të Kosovës. Himni dhe Flamuri i Kosovës u bënë me një dinakëri të përdorur me mjeshtëri nga Bashkësia Ndërkombëtare (e përkrahur nga individët kosovarë, edhe pse ishin fillimisht kundër çfarëdo flamuri dhe himni tjetër përpos atij për të cilën dhamë shumë jetë me decenie), të cilët vepruan në shndërrimin (tjetërsimin) dhe deformimin e simboleve me të cilat do të identifikohej vendi Dardan. Disa vite më parë në Kosovë u bë një propozim duke u prezantuar simbolet e Kosovës me të cilat do të identifikohej populli dhe historia kosovare (që do të ishte i arsyeshëm dhe do të bënte pjesë në ndërgjegjen e cilitdo prej nesh), por ndodhi një moskoordinim apo më mirë të themi një revoltë midis krerëve dhe personave me influencë (që me siguri sot dhe tërë jetën e tyre do ta ndiejnë veten e tyre fajtor që nuk i kanë mbështetur ato simbole, që do të vërtetësonin ekzistencën historike të popullit kosovar).

Himni me tekst që përshkruan ngjarje të vendit tonë do të ishte zgjedhja adekuate (cilido tekst që vë në pah shpirtin e komunitetit kosovar dhe flamuri me shenjat e shndritjes së ngjyrave ku do të ishte lehtë të identifikohej prejardhja Dardane, do të kurorëzonte identifikimin e shtetësisë së Kosovës, por ne pranojmë ato gjëra që na serviren nga Bashkësia Ndërkombëtare, edhe pse janë kundër vullnetit të popullit). Nuk u arrit unifikimi i mendimeve për veten tonë, që në të ardhmen të ndjejnë veten kokëlartë, por u lamë hapësirë të mjaftueshme për zgjedhjen e më së keqes dhe ne u pajtuam pa hezitim që këto të jenë simbolet identifikuese të shtetësisë së Kosovës. Ne reagojmë dhe nuk pajtohemi mes vete, por kur është në pyetje Bashkësia Ndërkombëtare, jemi të pa gojë (edhe atëherë kur veprojmë kundër vetes dhe gjeneratave që me vite përjetuan çdo gjë që është e mundur të përjetojë njeriu nën sundimin e një populli që nuk lë metodë dhe mjet pa përdorur për të vepruar). A e humbi Kosova identitetin e saj duke e shndërruar në shtet pa asnjë gjurmë të së kaluarës? A është kjo mënyrë e qartë e Bashkësisë Ndërkombëtare për të krijuar një imazh që nuk i përket Kosovës? Sa jemi ne fajtor që nuk i konsoliduam radhët për simbolet para se të na servireshin simbolet e tanishme? Cila është përgjegjësia jonë për të gjithë dëshmorët e rënë (për këto simbole që i ndërruam pa një pa dy)?

Kosova festoi njëvjetorin e shtetësisë, por sa ishin të përzemërta simbolet për shënimin e një dite me vlerë për Kosovën, që historikisht pritej të ndodhte. Shënimi i një dite ishte më tepër pa emocion, me dhembje për jetët e shumta të humbura dhe për krijimin e një robotizmi njerëzor, ku populli i Kosovës ishte i pashpirt dhe i pakënaqur me ato simbole që i dhanë një imazh të ri historisë së vendit tonë (apo më mirë të themi festuam me simbole pa emocion, të cilat më tepër shkaktojnë neveri sesa dëshirë për to). Lidhjet organike me atë që është pjesë e dekadave nuk mund të humbet për një kohë të shpejt sikurse nuk ka ndodhur asgjë. Ky është një deformim i historisë dhe identitetit tonë. Flamuri nuk ka asnjë refleksion të ngjarjeve, komunitetit dhe rrjedhjes që na përcolli, por vetëm përligjje e ngulfatur shpirtërore (robotizëm). Himni është një reaksion i formuluar përmes një laboratori tingujsh që nuk përngjan me kurrfarë konteksti shqiptar i përcjellë me një radhitje tingujsh në mënyrë matematikore. Kjo i përgjigjet më tepër asaj që nuk realizon ëndrrën tonë për një himn që do t‘i përgjigjet emocioneve dhe gjendjes shpirtërore. Imazhi i ri i Kosovës i dedikohet më tepër një shteti të ri që nuk ka as traditë, as histori, as gjendje shpirtërore, apo ndoshta është një politikë e cila të bën që pas ndërrimit të gjeneratave kur do të krijohet një rend i ri dhe një frymë e re të mos e kthejnë kokën prapa, por edhe nuk do të jetë në gjendje të ketë fotografinë e duhur të identifikimit tonë. Përfaqësimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare me këto simbole e vë në provë vërtetësinë gjenetike të popullit dhe asaj që mund të quhet përfaqësim i denjë i shtetit të Kosovës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›