E Shtunë, 31 Tetor 2026

Platoni, Akademia dhe Qeveria

Dihet se shkolla e parë me emrin "Akademi" nga u fitua dhe pavdekësia apo shpeshtësia e përdorimit të këtij emri deri në ditët e sotme në të gjitha llojet e qytetërimeve dhe popujve, është hapur në ullishtat e Athinës nga filozofi i lashtësisë së botës greke, Platoni. Në këtë mënyrë, ky filozof aristokrat, e kaloi kulturën e marrë nga rrymat e ndryshme të ideve dhe sjelljeve nga një kulturë endacake e në thelb peripatetike të cinikëve apo stoikëve si Dhiogjeni i Sinopit apo Sokrati me "veprat" e tij verbale të rrëfyera nga të tjerët, në një kulturë të organizuar brenda ambienteve ku idetë mund të shkruheshin dhe mësoheshin. Qëllimi final i kësaj Akademie dhe i Platonit ishte në fakt edukimi i mbretërve dhe princërve me ide sipërane, gati-gati hyjnore, pasi Platoni mendonte se një sundimtar duhet të sundojë nëpërmjet drejtësisë, shpirtit dhe kulturës, të cilat ai duhej t‘i demonstronte që shtetasit e vet t‘i bindeshin atij dhe ligjeve të vendosura prej tij. Platoni e pranonte se pa lider, një komunitet ishte i destinuar të kalonte në anarshi. Madje ai, i mrekulluar nga magjia e numrave dhe shkolla e Pitagorës, pretendonte që një qytet ishte mirë të kishte 5040 veta (ky numër ishte i plotëpjesëtueshëm me të gjitha numrat e administratorëve të mundshëm nga 1-10) dhe më pas ai duhej të krijonte një koloni të re. Ai pretendonte të edukonte princër që të mohonin dhe të mos kishin pasuri personale dhe të mos preknin kurrë ar me dorë. Për të konkretizuar idetë e tij, Pitagora edukoi me moralin kundër posedimit të pasurisë princin Dionisi II i Sirakuzës, por në fakt dështoi me të pasi, kur ai zëvendësoi të atin, u soll si një tiran dhe si një njeri i pangopur me pasuri, fuqi dhe pushtet, duke ecur pikërisht në drejtim të kundërt me principet e profesorit të tij filozof, pak a shumë ashtu siç i ndodhi dhe Aristotelit me Liceun e tij dhe nxënësin e vet të famshëm, Aleksandrin e Madh. Ndoshta atë që s‘e bënë dot filozofët e Greqisë dhe Romës e bëri Kisha dhe elita e saj qysh me Shën Palin dhe sidomos në periudhën post augustiniane si Shën Zheromi e më pas murgjit e urdhrave të ndryshëm, të cilët pranuan me ndërgjegje vobekësinë dhe lumturinë e cila rridhte nga mungesa e dëshirave.

Pa dashur të pretendojmë për ngjashmërinë e përmasave të shembujve që cituam më lart, është e kuptueshme subjekti i shkrimit për krizën e marrëdhënieve midis qeverisë dhe Akademisë së vetme të filmit Marubi (AM). Nga ato që janë thënë verbalisht nga të dyja palët e mësipërme është e vështirë të gjykosh me realizëm se kush ka të drejtë dhe kush jo, por ajo që do të dëshirohej nga opinioni i kulturuar i shqiptarëve do të ishte mirëkuptimi, ligji, marrëveshja. Ka pasur akuza të ndërsjella se është shkelur një kontratë e para disa vjetëve me qeverinë "Nano" për sasinë e sipërfaqes së poseduar nga AM, pra janë shkelur ligjet e shtetit, ndërsa zoti Çashku dhe madje edhe gazetari i NTV, z.Peka, akuzonin ministrin e Kulturës si mafioz dhe mitëmarrës. Në fakt çështja duket si një matricë lotarie me disa "pluse", "minuse" dhe të panjohura "x" për publikun që e vështron nga ekrani i televizionit. Madje është akuzuar prej tyre si i përfshirë në sipërmarrjen e dhunshme të policisë ndaj AM edhe ministri i METE-s, z.Genc Rulim të cilin në fakt të gjithë e pamë që i shërbente me një zell të konstatuar dukshëm kolegut të tij Pango në shpjegimet në Kuvend për këtë çështje, si një sufler, duke i cituar herë pas here nga mbrapa ndonjë detaj ministrit të Kulturës. Nuk është hera e parë, në fakt, që këta dy ministra janë përfshirë në çështje aferash. Madje z. Ruli është larguar një herë nga qeveria "Meksi" si i përfshirë në aferën 3 milionë dollarëshe me agjentin e përzgjedhur prej tij për të negociuar borxhin tonë të jashtëm me klubin e Parsisit, z. Arsidi, ku ai ia hodhi paq, duke ia u faturuar problemin disa peshqve më të vegjël, ku përfshiheshin guvernatori i atëhershëm, si dhe disa bankierë të rangjeve më të ulëta, të cilët u përdorën si desh kurbani. Por në fakt, edhe për drejtimin e tij në këto 3-4 vjet, sipas mediave të ndryshme, z. Ruli është thirrur të dëshmojë në prokurori për të dhënë shpjegime për çështjen e privatizimit të "Albtelekomit". Ai është përmendur edhe për një klauzolë preferenciale e mafioze ndaj kompanisë "Taci Oil" në lidhje me të drejtën monopol në trajtimin e një lloji diezeli me përmbajtje të lartë squfuri. Madje supozohet se hija e errët e këtij Talejrandi të qeverisë dhe jo hija e zbehtë e Pangos, mund të ketë kapur për fyti "Dionisin tonë të Sirakuzës", ish-mikun e dhjetoristit Çashku në kohën kur pasuri kishte vetëm familjen dhe pardesynë e bardhë, Doktorin, i cili ka rënë në një heshtje budiste për këtë çështje. Ka gjithashtu akuza se z. Ruli ka frenuar investimet e impianteve të vegjël, në disa rajone dhe zona lokale. Këto akuza qëndrojnë edhe përkundër faktit pozitiv se ai ka përmirësuar dhe mirëmenaxhuar kapacitetet e KESH, ka sjellë korporata investitore të ndryshme strategjike në fushën e energjetikës.

Në fakt, duke iu rikthyer çështjes, kemi dëgjuar z. Çashku të japë shpjegimet e tij për shtetin ligjor dhe shtetin e së drejtës. Këto probleme z. Çashku duhet t‘i kishte zgjedhur me kohë dhe të kishte bërë lobing për përmirësime ligjore dhe për një funksionim normal mbi baza kontraktuese të aktivitetit të tij të vetëm kulturor dhe edukues privat apo publik, në se z. Çashku i pëlqen ta themi kështu. Administratorët e shtetit nuk mund të veprojnë në vakum. Gjithsesi, të prirur edhe nga një dëshirë për tolerancë maksimale sipas mundësive për këto lloj shkollash, kur flasin shkopinjtë e gomave dhe gjëmojnë sirenat e alarmit policor mbi një Akademi, qajnë jo vetëm të gjallët që anojnë nga shpirti dhe jo nga kuleta, por edhe të vdekurit. Kur prisheshin skeletet e kinoteatrit, ndoshta i padukshëm aty qëndronte duke qarë Platoni, Aristoteli e deri te Marubi. Nuk e dimë se ç‘i vlente "Dionisit" tonë, Doktorit, një tolerancë e tillë ndaj orekseve të Rulit (jo Pangos) kur dihet se tani para zgjedhjeve, sidomos, do të ketë një bilanc thellësisht negativ; sado që të nxjerrë si apologji dhe justifikim ligjor njerëz të nderuar por që kanë mllefe personale, xhelozi, a ku di unë se çfarë, si z. M.Marku që të purifikojnë qeverinë para opinionit publik. Me këtë rast, ia vlen të thuhet se z. Pango po vendos një rekord "Gines". Një ministër Kulture që prish një Akademi!!! Madje ai do t‘ia kalonte edhe Euklesit, rivalit virtual të Fidias, skulptorit të famshëm, të cilit ia theu në Akropol Tempullin e Dianës dhe kur e pyetën se përse e bëri këtë tha: nga që s‘kisha rrugë tjetër të bëhesha i famshëm.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›