E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet makina e biznesmenit të zhdukur

Vëllai i Arjan Bulkut: Prej dy javësh mjeti qëndronte pa lëvizur pranë një pallati në Dajt
Gjendet makina e babait të tre fëmijëve, i zhdukur që me 27 dhjetor. Ajo është gjetur e braktisur në rrugë pranë një pallati në zonën e “Freskut” në Tiranë, ndërkohë që ende nuk ka asnjë gjurmë për 39-vjeçarin Arjan Bulku, pronar i një lokali tek ish-SMT-ja. Familjarët, ende të shqetësuar, shpresojnë se policia do arrijë të zbulojë diçka në lidhje me fatin e tij, ndërkohë që kanë kaluar mbi njëzet ditë që nga momenti i zhdukjes. Vëllai i të zhdukurit, Besim Bulku, bëri apel në media në ditët e para të janarit dhe kërkoi ndihmë për gjetjen e tij. Por, ditën e shtunë është gjetur mjeti me të cilin Arjan Bulku u largua më 27 dhjetor. Sipas të dhënave nga policia, mjeti është gjetur nga dy miq të tij. Besim Bulku, por edhe policia, kanë treguar se ditën e shtunë, dy persona të njohur të familjes, kanë parë mjetin “Golf 3”, ngjyrë e verdhë, me targa TR 1947 S, pranë një pallati, te rruga që të çon te Thesari i Shtetit. Menjëherë, ata kanë njoftuar vëllain e të zhdukurit, Besimin. Ky i fundit ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe pasi është siguruar që mjeti i përkiste të vëllait, ka njoftuar shërbimet e policisë së Komisariatit Nr. 6. Oficerët e policisë së këtij komisariati, bashkë me kolegët e Komisariatit Nr. 4, pasi makina ndodhej në zonën e këtij organi, kanë shkuar në vendngjarje dhe e kanë dërguar për ekspertizë. Sipas të dhënave nga policia, mjeti është ekzaminuar nga ekspertët, por në të nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Grupi hetimor shpjegon se aty nuk është gjetur asnjë gjurmë që të dyshohet për ndonjë krim të rëndë.
Megjithatë, familjen e të zhdukurit e shqetëson fakti sesi mjeti u gjet rastësisht. Besim Bulku ka treguar se gjatë bisedës me administratorin e pallatit të ri, ku ishte parkuar mjeti, i është shpjeguar se mjeti kishte rreth dy javë në të njëjtin vend dhe nuk ishte lëvizur. Sipas tij, është e pashpjegueshme si nuk është vënë re nga punonjësit e policisë, ndërkohë që targa e mjetit u është dhënë të gjitha shërbimeve policore. Por, grupi hetimor shpjegon se janë 20 efektivë, të cilët po merren me zbardhjen sa më të shpejtë të kësaj çështje. Policia shpjegoi më tej se ka mbledhur edhe disa dëshmi për të dokumentuar tërësisht këtë ngjarje.
Babai i tre fëmijëve, i cili banon te rruga “Sabaudin Gabrani” (ish-SMT-ja), është larguar nga lokali i tij rreth orës 17.30 të datës 27 dhjetor. Në lokal ka qenë bashkë me djalin e madh, 15 vjeç, të cilit i ka treguar se do të shkonte te tekniku i televizorit. Në ato momente ka marrë makinën e tij tip “Golf 3”, ngjyrë të verdhë, me targa TR 1947 S. Rrugës, pak pa mbërritur në rrugën kryesore, është përshëndetur nga larg me vëllain e tij, Besimin, i cili punon si taksist. Por, që nga ai moment, ai nuk është parë më. Megjithatë, nga disa dëshmi mendohet se ai është parë në Kombinat dy ditë më vonë, por ende nuk është vërtetuar ky fakt. Në këto kushte, policia ka nisur hetimet për gjetjen e tij. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, është mësuar se një nga personat që e ka parë në zonën e Kombinatit është një kushëri i tij, i cili është shprehur i bindur se ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij. Veç tyre, policia ka marrë informacion edhe për ndonjë konflikt për çështjen e lokalit, por ka rezultuar se ai nuk ka asnjë problem të tillë. Arjan Bulku punonte edhe si taksist me persona të njohur. Nga ky fakt është frikësuar edhe më shumë familja e tij, pasi dyshon se mund të ketë rënë pre e ndonjë grabitjeje të mundshme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›