E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH-ja hedh në gjyq ERE-n për tarifat e reja të energjisë

Kompania e shpërndarjes i drejtohet Gjykatës së Tiranës për të rrëzuar vendimet e autoritetit

Konflikti mes ERE-s dhe OSSH-së për tarifat e reja të energjisë elektrike ka përfunduar në dyert e Gjykatës së Tiranës. Shkak i padisë është ankesa e OSSH rrëzuar nga Bordi i ERE-s rreth nivelit të pretenduar të humbjeve. Pas studimit të kryer nga CEZ, rezultoi se niveli i humbjeve të energjisë elektrike gjatë vitit 2008 dhe fillimit të 2009-s, ishte 35.7 për qind, kurse Enti Rregullator i Energjisë pretendon një nivel prej rreth 33 përqindësh. Për këtë qëllim, CEZ e ankimoi vendimin e ERE-s, por e humbi në datë 6 nëntor, duke i hapur rrugë dërgimit të çështjes në gjykatë. Niveli i humbjeve të energjisë është “thembra e Akilit” në sektorin energjetik, pasi mbi bazën e këtij treguesi, del kostoja reale e çmimit të dritave.
Në muajin dhjetor, ERE miratoi rritjen e çmimit të energjisë elektrike në masën 13 për qind, duke pasur parasysh një nivel humbjeje prej 33 përqindësh. Ky vendim u kundërshtua nga CEZ, pronare e 75 për qind të aksioneve të OSSH-së, pasi niveli i lartë i humbjeve, të pretenduara 35.7 për qind, do të kërkonin më shumë investime se plani i miratuar, gjë që vinte në vështirësi kompaninë. Niveli i humbjeve është energjia e hedhur në rrjet, por që nuk paguhet ose vidhet dhe sa më e lartë është, aq më tepër investime kërkon. Në rast se OSSH e fiton gjyqin me ERE-n, atëherë çekëve të CEZ u lind e drejta ligjore të propozojë një rritje më të madhe të dritave, në të kundërt paraqet kërkesën te qeveria për dëmshpërblim, që i bie të jetë rreth 50 milionë euro.
Vet ministri i Energjetikës deklaroi në muajin dhjetor se nëse palët shkojnë në gjykatë, ka shumë gjasa që gjyqin ta fitojë OSSH-ja. Kjo për faktin se qeveria shqiptare ka lidhur një marrëveshje me CEZ, për rastet e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me ERE, duke vendosur garanci 60 milionë euro te Banka Botërore.
Ndërkaq në Fletoren Zyrtare është publikuar vendimi i ERE-s për tarifat e reja të energjisë elektrike, duke i ligjëruar, efekti i të cilave do të ndihen në muajin shkurt.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›