E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet makina e djegur, dyshohet se u përdor për krime

TIRANE – Policia e kryeqytetit ka nisur procedim penal pa autor, pas gjetjes së një makine të djegur tërësisht në fshatin Pinet të Ndroqit, në rrugën e vjetër që lidh kryeqytetin me Durrësin. Sipas Policisë, dyshohet se makina mund të jetë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale të ndodhur së fundi në kryeqytet për shkak se rezulton të ketë rreth 3-4 ditë që është djegur. Automjeti është gjetur nga efektivat e Policisë së Komisariatit Nr. 6, rreth orës 06:30 të mëngjesit, pas njoftimit që kanë dhënë në Polici banorët e fshatit, të cilët kanë parë makinën e djegur. Burime nga Policia thanë se automjeti që u gjet i djegur plotësisht në vendin e quajtur Butac, larg zonës së banuar, është tip Citroen, pa targa. Për shkak të djegies së plotë, policia nuk ka mundur të gjejë asnjë lloj dokumenti të kësaj makine, që mund të ndihmonte për zbulimin e pronësisë apo edhe ngjyrën e kabinës, pasi flakët kishin shkatërruar gjithçka. E vetmja e dhënë që mund të ndihmojë policinë për hetimin e këtij rasti është numri i shasisë së automjetit, VF7N1KFVB73025110, që sipas burimeve, është i padëmtuar. Nëpërmjet numrit të shasisë, janë kryer edhe verifikimet paraprake nga ana e grupit hetimor. Fillimisht janë verifikuar të gjitha denoncimet në komisariatet e Policisë së kryeqytetit, për të zbuluar nëse një mjet i tillë është denoncuar si i vjedhur nga ndonjë pronar i mundshëm. Megjithatë, në këtë drejtim verifikimet kanë rezultuar negative, pasi makina nuk është denoncuar e vjedhur apo e aksidentuar. Nisur nga këto rrethanë, makina është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, për tiu nënshtruar një ekzaminimi të detajuar nga ekspertët e Policisë dhe ata kundër zjarrit. Grupi hetimor ka dyshime të forta se automjeti i djegur mund të jetë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale të ndodhur së fundi në Tiranë. Për këtë arsye do të rishikohen dosjet e ngjarjeve që aktualisht janë pa autor, për të rilexuar dëshmi dhe detaje për autorët e dyshuar të ngjarjeve. Sipas të dhënave paraprake dyshohet se makina nuk ka shumë kohë që është djegur, ndaj për këtë arsye policia është duke kryer hetime për të parë nëse mjeti ka të bëjë me ndonjë krim të ndodhur në kryeqytet apo në rrethe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›