Gjendet me plumb në kokë, dyshohet se e vranë shokët
Policia e Vlorës mendon se mund të jetë ngjarje aksidentale
Sipas hetimeve, 25-vjeçari Leonard Latifi e ka marrë plumbin në kokë, me pushkë, nga poshtë-lart
Gjendet i vrarë një 25-vjeçar në Vlorë, ndërkohë që policia dyshon se shokët e kanë vrarë aksidentalisht. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në afërsi të fshatit Drithas, ku Leonard Latifi, 25 vjeç, banor i fshatit Llakatund të Vlorës, është gjetur i pajetë dje në mëngjes në anë të lumit Shushicë, pak kilometra nga vendbanimi i tij. Banorë të zonës të cilët kanë gjetur trupin e pajetë të 25-vjeçarit kanë njoftuar menjëherë Policinë e Vlorës, e cila sapo ka marrë njoftim ka mbërritur në vendngjarje. Pas ekspertizës së kryer në vendngjarje nga ekspertë të krimeve, trupi pa jetë është dërguar në morgun e spitalit të Vlorës. Pas ekspertizës mjekoligjore ka rezultuar se 25-vjeçari kishte një çarje të thellë në kokë e ngjashme me atë të plumbit.
Sipas të afërmve të 25-vjeçarit, ai ishte larguar nga shtëpia që mbrëmjen e kaluar dhe sishte kthyer në shtëpi. Të alarmuar, familjarët kanë dalë për ta kërkuar si dhe kanë pyetur shokët e 25-vjeçarit, por fatkeqësisht kanë marrë njoftim në orët e para të ditës se i afërmi i tyre ishte gjetur i vrarë me një plumb në kokë në breg të lumit. Sipas tyre, Leonardi punonte si punëtor ndërtimi me disa familjarë të tij në të gjithë zonën e Komunës Shushicë për të siguruar bukën. Ata shprehen se Leonardi ishte i qetë dhe skishte asnjë debat apo sherr me askënd. Policia dhe Prokuroria e Vlorës kanë filluar hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, shkaqeve të vrasjes, si dhe identifikimin dhe arrestimin e autorit, apo autorëve të vrasjes së 25-vjeçarit.
Fillimisht, janë marrë në pyetje familjarët e 25-vjeçarit të vrarë, janë pyetur disa bashkëfshatarë të tij, po gjithashtu janë marrë në pyetje disa nga banorët e zonës, si dhe personat, të cilët kanë gjetur të vrarë 25-vjeçarin. Burimet policore thanë se në ambientet e drejtorisë janë shoqëruar shtatë persona, kryesisht bashkëfshatarët e viktimës, por pas marrjes në pyetje, ata janë lënë të lirë. Sipas hetimeve të kryera deri në orët e vona të mbrëmjes, policia mendon se i riu është vrarë me pushkë. Në një variant të ngjarjes, ai mendohet se e ka pasur pushkën me vete dhe kur ka dalë me shokët, arma i është shkrepur gabimisht, pasi plumbin e ka marrë nga poshtë-lart në kokë. Ndërsa varianti tjetër, i cili është më i besueshëm për grupin hetimor, ka të bëjë me vrasje nga pakujdesia prej shokëve të tij. Ata mund ta kenë qëlluar 25-vjeçarin gabimisht dhe më pas janë larguar, me qëllim për ti shpëtuar policisë. Ky variant, sipas policisë, qëndron më shumë edhe për faktin se pushka e krimit, nuk është gjetur. Policia tha se ka shoqëruar disa të dyshuar, të cilët po merren në pyetje për ngjarjen e ndodhur.
Gjendet me plumb në kokë, dyshohet se e vranë shokët burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip