E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet në Londër ikona e vjedhur e Shën Marisë, do riatdhesohet

ATHINË- Shtypi grek shkruan se së fundi është gjetur një ikonë e rrallë e Virgjëreshës Mari, e cila ishte vjedhur 10 vjet më parë në Kishën e Sopikut në Gjirokastër.

Sipas informacioneve, ikona në fjalë ka vlerë të pacmuar, për vetë faktin se është një nga 70 ikonat e pikturuara nga Apostulli Luka Evangjelisti. Ajo vlerësohej nga besimtarët si një “mrekulli” dhe vizitohej jashtëzakonisht prej tyre. Virgjëresha Mari e Luka Evangjelistit u vodh nga kisha e Sopikut dhe u zhduk nga Shqipëria para më shumë se një dekade dhe aktualisht ndodhet në një galeri në Londër, nga ku ka shumë mundësi që së shpejti të riatdhesohet.

Vjedhësit dhe trafikantët e ikonave kanë zhdukur mjaft ikona dhe objekte të vlefshme nga kishat shqiptare si në Gjirokastër, Himarë, Përmet, Korcë etj. duke dëmtuar kështu pasurinë historike dhe kulturore të popullit tonë.

Kthimi i ikonave të vjedhura nga kishat e Shqipërisë dhe Greqisë, është bërë objekt i një bashkëpunimi intensiv mes Interpolit dhe policisë greke.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›