E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel-Tadiçit: Dialogu me Kosovën kusht për në BE

BEOGRAD- Kancelarja gjermane Angela Merkel i ka bëre të qartë presidentit serb, Boris Tadiç, se rruga e Serbisë drejt BE-së, duhet të ecë sipas parimeve europiane.

"Një nga kushtet e Serbisë për anëtaresimin e saj në BE, është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën"- Deklaroi kancelarja gjermane gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin serb.

Merkel i ka kërkuar Tadiç gjithashtu se duhet të vazhdojë dialogun me Prishtinën dhe se në të ardhmen duhet të shihen dhe rezultatet e këtij dialogu. “Ne besojmë se vendi i Serbisë është në Europe. “E pranojmë dhe jemi mirënjohës për guximin e treguar në këtë rrugë”:tha Merkel në konferencën e përbashkët të shtypit me presidentin serb. „Ne e shohim të ardhmen e Serbisë në BE dhe do të bëjmë cdo gjë që Serbia ta kalojë me sukses këtë rrugë duke u mbështetur në parimet europiane“. Për Kosovën, kancelarja gjermane tha se është i nevojshëm përparimi në marrëdhëniet e ndërsjellta mes Prishtinës dhe Beogradit.

„E di që problemet nuk mund të zgjidhen brenda natës por besoj se problemet siç janë përshembull ato që kanë lidhje me tregtinë mund të zgjidhen“- tha Merkel. Lidhur me situatën në veri, Merkel tha se “duhet të parandalohen hapat e njëanshëm. Për këtë Gjermania dëshiron vazhdimin e dialogut dhe rezultate nga këto bisedime dhe në këtë mënyrë zvogëlohet rreziku nga veprimet e njeanshme“ nënvizoi kancelarja gjermane.

Nga ana tjetër presidenti serb, Tadiç tha se çdo zgjidhje për konfliktet individuale në hapësirën e Europës Juglindore duhet të marrë parasysh stabilitetin e këtij rajoni. „Njëra prej çështjeve të komplikuara është Kosova, por Serbia nuk ka asnjë iluzion se këto konflikte mund të barten deri në BE“-është shprehur presidenti serb. Merkel mbërriti në Serbi pas vizites së një dite më parë në Kroaci ku kancelarja gjermane deklaroi se do t’i kërkojë Serbisë të zgjidhe mosmarrëveshjet e saj me Kosovën për të përmirësuar marrëdhëniet me BE-në.
(s.g/NEWS24/balkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›